Ministrja e Shëndetësisë, Godo ndjek nga afër vaksinimin e foshnjave

Ministrja e Shëndetësisë,.Anila Godo, monitoron drejtpërsëdrejti vaksinimi i foshnjave me vaksinën pentavalente, në poliklinikën nr. 2 në kryeqytet. Ky lloj vaksinimi aplikohet për herë të parë në vendin tonë. Godo, shprehu kënaqësi të veçantë për hyrjen e kësaj vaksine në vendin tonë, kaq të domosdoshme dhe të efektshme për shëndetin e foshnjave.
Vaksina pentavalente, 5 në 1, siç është bërë e ditur edhe më parë, parandalon 5 llojë sëmundje më problematike që prekin fëmijët: Difterinë, Tetanozin, Kollën e mirë (Pertusin), Hepatitin B (Verdhëzën) dhe Infeksionet e shkaktuara nga Haemophilus influenzae tip b (Hib) në veçanti Meningjitin e shkaktuar prej tij. Kjo vaksinë kryhet në moshën 2, 4, dhe 6 muaj. Pra të gjithë fëmijët që lindin më 1 Janar 2009 do tu ofrohet vaksinimi me vaksinën e kombinuar 5 në 1 (DTP-HepB-Hib). Vaksina futet në vendin tonë pas një procesi të gjatë të aplikimit pranë GAVI-t (Aleancës Botërore për Vaksinat) që nga viti 2001, kohë kjo kur Shqipëria mund të aplikonte pranë këtij organizmi. Qeveria Shqiptare paguan vetëm për komponentin e Hepatitit B në këtë vaksinë. Në momentin që përfundon marrëveshja me GAVI-n, pas pesë vitesh, qeveria do të marrë përsipër, ashtu si dhe për të gjitha vaksinat e tjera, financimin e plotë të kësaj vaksine. Kjo vaksinë, ashtu si të gjitha vaksinat e kalendarit kombëtar të vaksinimit, ofrohet falas nga shteti. Haemophilus Influenzae tip b (Hib), pavarësisht nga emri nuk ka lidhje me influencën apo gripin. Ai është një bakter që infekton hundën dhe fytin duke vazhduar më tej në pjesë të tjera të trupit si mushkëritë, cipat e trurit, zemrën, kyçet, kockat dhe lëkurën. Ai mund të shkaktojë një sëmundje shumë serioze të quajtur meningjit nëse infekton cipat e trurit. Të gjithë fëmijët me meningjit nga Hib që nuk trajtohen, vdesin. Edhe në rast se trajtohen, përreth 1 në 20 fëmijë me meningjit nga Hib mund të vdesin. Edhe në rast se trajtohen, ka shumë gjasa që këta fëmijë të pësojnë shurdhim. Rreth 1 në 3 fëmijë që mbijetojnë mund të paraqesin dëmtime të trurit. Vaksina 5 në 1 DTP-HepB-Hib do të futet në kalendarin ekzistues të vaksinimit në moshat 2, 4 dhe 6 muajsh. Fëmija i lindur më 1 Janar 2009 e që mbush 2 muaj në 1 Mars 2009 fillon vaksinimin me këtë vaksinë pikërisht më 2 Mars 2009. Vaksina pentavalente DTP-HepB-Hib është në formë të lëngshme që përmban vetëm 1 dozë, që do të thotë një flakon për një fëmijë. Deri tani, në kalendarin kombëtar të vaksinimit, vaksinat DTP dhe Hepatit B janë dhënë me injeksione të veçanta. Vaksina 5 në 1, përveçse ofron komponentin e ri për Haemophilus influenzae tip b bën të mundur gjithashtu aplikimin me një injeksion të vetëm, të tre vaksinave, pra gjatë vaksinimit në moshat 2, 4 dhe 6 muaj fëmijët shpohen vetëm 1 herë dhe me të tria dozat nga 9 shpime pësojnë vetëm 3. Fëmijët e porsalindur do të vazhdojnë të vaksinohen me vaksinën e Hepatitit B menjëherë pas lindjes.