E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rajoni 3 pa certifikata, mungon boja për printerin

Gjendja Civile e rajonit 3 të Durrësit është ndodhur në një situatë paradoksale ditët e para të fillimit të javës, ku të gjithë qytetarët që kërkonin pajisjen e tyre me certifikata ktheheshin pas duarbosh për shkak se printerit të kësaj zyre i kishte mbaruar boja. Siç dihet certifikatat jepen elektronikisht dhe nuk lejohet më mbushja e tyre me dorë, ndaj puna u bllokua dhe radha e pafund e njerëzve që prisnin për certifikata shtohej e njëkohësisht edhe pakënaqësia e tyre. Gjithçka ka ndodhur si pasojë e indiferencës totale të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile në Tiranë që drejtohet nga Armand Teliti. Për situatën e krijuar në këtë gjendje civile, Teliti është njoftuar por pa dashur të dijë se qytetarët mbeten pa certifikata ai ka kërkuar që paratë për bojën ti jepte Bashkia e Durrësit, çka është absolutisht antiligjore dhe kundër çdo rregulli të administratës vendore. Në ligje dhe rregullore është e përcaktuar qartë se të gjitha materialet kancelarike për gjendjet civile vijnë nga drejtoria e përgjithshme dhe nga Ministria e Pushtetit Vendor, ose e thënë më thjesht nga Teliti ose Poni. Pasi i është shpjeguar një gjë e tillë Telitit, ai është shprehur se kjo situatë do të rregullohet dhe boja do të vijë por nuk dihet se kur. Bëhet fjalë vetëm për 15 000 lekë të rinj që është çmimi i kësaj boje dhe pikërisht për këtë shumë parash po vuajnë prej disa ditësh qytetarët e shumtë që nuk marrin dot certifikatë sepse printeri nuk ka bojë. Duke parë këtë situatë dhe indiferencë të zyrtarëve të gjendjeve civile në Tiranë alarmi i mbarimit të bojës dhe bllokimit të punës është përhapur edhe në gjendjet e tjera civile punonjëset e të cilave natyrisht janë krejt të pafuqishme të mbushin printerat me bojë, e boja kushton sa rroga e një muaji e tyre (pavarësisht rritjes së bujshme të rrogave që propagandon Berisha). Nga ana tjetër institucioni qendror që drejtohet nga Teliti nuk e vuri ujin në zjarr dhe qytetarët mbetën në udhëkryq. Mesa duket qeveria që thotë se po ndryshon Shqipërinë nuk ka 15 000 lekë të rinj për bojën e printerit në Durrës. Në një moment kur Teliti, Poni apo Berisha flasin për miliona euro investime, që vetëm ata i kuptojnë se ku janë, një printer i thjeshtë certifikatash në Durrës pret bojën që mesa duket në këtë lumë milionash nuk përballohet më nga buxheti i qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›