E Diel, 1 Nëntor 2026

Vaksina 5 në 1; Për herë të parë, vaksinim për fëmijët e porsalindur



Për të gjithë fëmijët që kanë lindur nga 1 janari i 2009-s, do të ofrohet tashmë në poliklinika, vaksina e re pentavalente. Vaksina pentavalente që do të thotë 5 në 1, është e rëndësishme për fëmijët e sapolindur, parandalon 5 sëmundje vetëm me një gjilpërë dhe do të zëvendësojë 9 gjilpërat që u bëheshin më parë fëmijëve për të njëjtat sëmundje.

Vaksina do të shërbehet falas dhe sipas ministres së Shëndetësisë, kjo vaksinë do të zëvendësojë tri vaksina të tjera, që bëheshin për bebet veç e veç.

"Kalendarit kombëtar të vaksinimit iu shtua dhe një vaksinë e re, është bebi i parë që bën këtë vaksinë që hyri në ditët e para të vitit 2009. Po duke qenë se vaksinimi i parë bëhet në moshën dy muajsh, ky qe bebi i parë sot që bërë vaksinën. Është një vaksinë që mbron nga shumë patologji të sistemit respirator, por dhe nga një patologji mjaft e rëndësishme që është meningjiti, nga ky lloj hemofilus, pra, hemofilus influence i tipit B. Është një meningjit që ka mortalitet mjaft të lartë, i cili nëse nuk trajtohet, mbetet në një mortalitet vërtet që meriton vëmendje të veçantë edhe nëse trajtohet", - bëri të ditur Anila Godo, ministre e Shëndetësisë.

Drejtori i Shëndetit Publik, Alban Ylli, theksoj se gjithë kostoja e kësaj fushate, që do të bëhet për bebet që kanë mbushur 2, 4 dhe 6 muaj, do të mbulohet nga buxheti i shtetit.

"Qeveria shqiptare paguan një pjesë të rëndësishme të vaksinës dhe pas pak kohe do të paguajë të gjithë vaksinën. Jemi të bindur që futja e kësaj vaksine do të prodhojë shëndet në Shqipëri, do të kemi më pak meningjit, më pak pneumoni, më pak sëmundje të tjera respiratorë të rrezikshme. Të gjithë fëmijët që kanë lindur këtë vit mund të përfitojnë nga kjo vaksinë falas", - tha Alban Ylli, drejtor i Shëndetit Publik.

Bashkia

Nis fushatë informimi për kundravajtjet në mjedis

Bashkia e Tiranës nëpërmjet Drejtorisë së Kontrollit mbi Territorin, për të mbrojtur hapësirat publike në kryeqytet, ka nisur një fushatë informimi për kundravajtjet në mjedis.

Në bazë të një vendimi të Këshillit Bashkiak të 2008-s, kjo drejtori aplikon sanksione ndaj kundravajtjeve të ndryshme që i bëhen mjedisit urban.

Burime nga Drejtoria e Kontrollit mbi Territorin pranë bashkisë thonë: “Me qëllim që qytetarët dhe subjektet tregtare që operojnë në Tiranë të njihen me shkeljet në hapësirat publike, kemi ndërmarrë një fushatë sensibilizuese dhe informuese në lidhje me sanksionet që parashikohen në çdo rast”.

Sipas të njëjtave burime: “Kjo fushatë ka të bëjë me prodhimin dhe shpërndarjen e materialeve informuese, të cilat do të njoftojnë publikun me listën e shkeljeve dhe masat që do të merren ndaj tyre. Gjobat për kundravajtjet shkojnë nga 2 mijë deri në 100 mijë lekë”.

Në listën e këtyre shkeljeve në bazë të vendimit të Këshillit Bashkiak hyjnë: Ndotja me baltë e rrugëve dhe trotuareve gjatë transportit ose punimeve në kantieret e ndërtimit; djegia e mbetjeve urbaneve në kontejnerë, në territore private dhe publike, brenda vijës së verdhë të qytetit; hedhja në trotuar e ujërave dhe mbetjeve të ndryshme nga pastrimi apo larja e lokaleve të shërbimit; dorëzimi i mbetjeve urbane jashtë kontejnerëve; moskryerja e pastrimit të territorit apo vendit të punës mbas mbarimit të aktivitetit për tregjet apo tregtarët ambulantë dhe parkimi i mjeteve para ose pranë pikave të grumbullimit të mbetjeve ose në hapësirat e manovrimit të mjeteve të pastrimit etj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›