E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minjtë pushtojnë Burgun 313

 

Armand Bajrami

"Koloni" minjsh në dhomat e para-burgimit të Burgut 313 në Tiranë. Prania e brejtësve në ambientet e regjimit të grave është konfirmuar dje zyrtarisht nga inspektimi më i fundit i Avokatit të Popullit, i cili rekomandoi marrjen e masave të menjëhershme. Minjtë, të cilët rrezikojnë epidemi, ishin vetëm një nga problemet e shumta që inspektimi i Dobjanit dalloi në dhomat e paraburgimit të grave dhe të miturve tek 313-ta. Amortizimi i tepërt i godinës, qeli të pa ajrosura mirë, lagështirë dhe myk në tavane, tualetë jashtë standardeve normale të higjienës, ishin të tjera probleme për të cilat Dobjani kërkoi zgjidhje. Rekomandimi me 8 pika iu dërgua Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Gazmend Dibra, drejtorit të burgut 313, Shkëlqim Kalemi ndërsa iu bë i ditur edhe Ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj.
"Marrjen e masave për dizinfektimin e ambienteve për zhdukjen e minjve dhe insekteve, gjë e cila do të ndihmonte në evitimin e ndonjë epidemie të mundshme ne sezonin e verës" rekomandonte në përfundim të raportit Dobjani. Gjithashtu Avokati i Popullit kërkonte zgjidhjen e të gjitha problemeve të konstatuara në regjimin e femrave dhe të miturve. 
INSPEKTIMI
Inspektorët e Dobjanit, nën shoqërinë e përfaqësuesve të Institutit Evropian, janë paraqitur më 30 prill në ambientet e paraburgimit në Burgun 313, për një inspektim të përgjithshëm. "Shënjestra" e tyre ishte regjimi i grave dhe i të miturve në këtë burg. "Një problem tejet i rëndë dhe që kërkon një impenjim dhe vëmendje të gjithë strukturave ishte prania e minjve dhe insekteve të tjera në të gjitha ambjentet ku jetojnë femrat e paraburgosura", thuhej në raportin e AP-së. Sipas raportit të Dobjanit, për këtë problem nga ana e drejtuesve të institucionit ishin marrë masa për dezinfektimin e ambienteve, por pa mundur ta zgjidhnin problemin. "Kjo ndodhte, sipas tyre, pasi godina është shumë e amortizuar dhe me lagështire", citohej në raport. Jashtë standardeve higjienike janë cilësuar në raport tualetet e regjimit të grave. "U konstatua një gjendje shumë e rënduar e tualeteve, ambjent ky që shërbente edhe për bërjen e dushit, larjen e rrobave dhe çdo shërbimi tjetër ditor. Pllakat në këtë ambjent ishin të përgjysmuara, muret me një lagështirë shumë të madhe, WC të thyera dhe shumë të amortizuara, e paajrosur dhe me një erë të rëndë, jashtë standardeve të një shërbimi normal higjiene", sqarohej nga AP. Problematike është cilësuar edhe mungesa e hapësirës së nevojshme në dhomat e fjetjes. Sipas raportit, sipërfaqja e tyre ishte e pamjaftueshme, me dritare që nuk mundësonin ajrosje normale dhe me shumë lagështirë. Ndërsa nuk mungonin edhe dhomat, ku për mungesë të shtretërve femrat flinin dyshe, ose në dysheme. Raporti evidentoi edhe mungesën e psikologes, mungesën e privatësisë në takimet e të paraburgosurve me familjarët dhe të drejtat e pakta për telefonata mes tyre. "Avokati i Popullit insiston se duhet të merren masa për krijimin e ambienteve të veçanta për survejimin dhe jo dëgjimin e takimeve të të paraburgosurve me familjarët e tyre, siç parashikohet në ligj", thuhet në rekomandim.

Alarmi i fundit, tri ditë më parë
"Kanosja" më e fundit nga minjtë në ambientet e paraburgimit të Burgut 313 ishte tre ditë më parë. Një numër shumë i madh minjsh të përmasave të mëdha janë shfaqur njëkohësisht në korridorin e paraburgimit, duke lëvizur lirshëm nëpër këtë ambient. Një telefonatë në institucionin e Avokatit të Popullit, ka dërguar për të dytën herë, pas inspektimit të 30 prillit, përfaqësues të AP në burg. Pas mbërritjes ata kanë regjistruar sërish ankesat e grave të paraburgosura për praninë e brejtësve në ambientet ku ato jetojnë. Amortizimi i tepërt i godinës dhe lagështia mendohet të jenë arsyet kryesore të shfaqjes së minjve në burgun 313. Ndërsa AP rekomandoi dje marrjen e masave për dezinfektimin e ambiente, duke i bërë "pritë" kështu edhe ndonjë epidemie të mundshme që minjtë mund të shkaktojnë.

Të miturit në burg, problem takimet speciale
TIRANE - Në kushte më të mira është paraqitur për inspektorët e AP-së regjimi i të miturve në ambientet e paraburgimit të Burgut 313 në Tiranë. "Problem në këtë regjim mbetet vetëm dhoma e takimeve, e cila ishte e përbashkët me të rriturit, por oraret ishin të ndryshme. Kjo dhomë kishte katër vendtakime, të ndara me hekura dhe me shumë lagështirë dhe nën shikimin dhe dëgjimin e oficerit roje", thuhej në rekomandim. Ndërsa ambienti ku strehohej kjo kategori ishte rikonstruktuar vitet e fundit. "Kushtet e dhomave të fjetjes, tualetet, pajisjet hotelerike, ajrosja e dhomave ishte në gjendje shumë të mirë dhe shumë të pranueshme për një jetesë normale. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›