Tiranë, qëllohen me kallashnikov tri makinat në parkingun privat
Tri automjete luksoze janë shkatërruar totalisht me breshëri automatike, në parkingun e subjektit privat të Ilir Shtufit në Tiranë. Persona ende të paidentifikuar kanë zbrazur dy karikatorë kallashnikovi mbi makinat e parkuara dhe më pas janë larguar duke fshehur armët në afërsi të hotel "Akropoli", përballë subjektit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 të dy ditëve më parë, në afërsi të Kthesës së Kamzës, te rruga e Durrësit në kryeqytet. Ka qenë pronari i subjektit ku ndodheshin të parkuara makinat, Ilir Shtufi, ai që ka lajmëruar efektivat e Komisariarit Nr.6 të policisë, të cilët kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Gjatë verifikimeve është konstatuar se makinat janë shkatërruar plotësisht nga plumbat dhe vetëm disa metra më larg, në korsinë tjetër të rrugës, pranë një hoteli. Sipas policisë dyshohet se ngjarja është realizuar nga më shumë se dy persona, pasi janë gjetur dy automatikë, me të cilët dyshohet se janë qëlluar makinat. Ndërkohë dyshimet e para të grupit hetimor që po shqyrton ngjarjen, lidhen më të kaluarën e vëllait të Ilir Shtufit, pronarit të subjektit ku ishin parkuar makinat. Të dhënat paraprake, sipas policisë, flasin për një paralajmërim për ndonjë hakmarrje të mundshme, ndaj veprimtarisë së Kujtim Shtufit disa vite më parë. Ky i fundit ka qenë disa herë objekt hetimi për policinë e Tiranës. Fillimisht si viktimë në vitin 1999, kur u mbajt peng nga dy anëtarë të Bandës së Niklës, Flamur Haka dhe Petrit Lleshi, të cilët kërkonin në atë kohë 50 milionë lireta për lirimin e tij. Ky është një nga dyshimet e para të policisë. Ndërkohë një tjetër pistë hetimi lidhet me arrestimin e Kujtimit, vëllait të Ilir Shtufit, në vitin 2006, kur ai u akuzua për trafik mjetesh motorike. Në atë kohë Kujtim Shtufi ishte pronari i firmës "Ferro Beton" në Tiranë dhe u dyshua se kishte trafikuar nga jashtë Shqipërisë automjete të tonazhit të rëndë. Edhe pse dosja në ngarkim të tij u pushua, si rezultat të amnistisë që kapi veprën penale për të cilën ai akuzohej, për policinë veprimtaria e tij tashmë është subjekt hetimi për ngjarjen e dy ditëve më parë në parkingun e të vëllait. Ndërkohë edhe pse policia pretendon se ka gjetur armët me të cilën është realizuar ngjarja, ende nuk janë identifikuar autorët, duke bërë që të ngrihen postoblloqe në të katër anët e kryeqytetit.