Kejsi Tola hyn në finalen e Festivalit Evropian
Pamja prej Lolite dhe performanca skenike, duket se ka bindur votuesit të çojnë në finale këngën shqiptare. Kejsi Tola u ngjit mbrëmë në skenën e Festivalit Evropian në Moskë. Sipas shortit të hedhur, kohë më parë, kënga shqiptare, "Më merr në ëndërr" (Carry me in your dreams), me tekst të Agim Doçit dhe muzikë të Edmond Zhulalit, u prezantua e 16-ta në radhë mes 19 shteteve që morën pjesë në gjysmëfinalen e dytë të festivalit. E veshur me një fustan rozë të shkurtër prej tyli me lule, e shoqëruar nga dy vokaliste me fustan të bardhë, Kejsi Tola u shfaq në skenën moskovite. Dy balerinët binjakë ishin krejt në të zeza, ndërsa balerini i tretë kishte veshur një kostum të gjelbër xixëllues, që ngjante me një "spiderman", që i mbulonte të gjithë trupin, madje edhe fytyrën. Një lloj "princi i kaltër" që kishte pushtuar ëndrrat e vajzës. Kënga u shoqërua edhe me një koreografi të realizuar nga koreografi Julian Bulku, e cila deri në natën e performancës u komentua si spektakolare. Kejsi dukej pak e frikësuar gjatë lëvizjeve, megjithatë kjo nuk e pengoi të hynte në finale. Azerbajxhani, Kroacia, Lituania, Ukraina, Moldavia, Danimarka, Estonia, Norvegjia dhe Greqia, janë nëntë finalistet e tjera, që bashkë me këngën shqiptare i bashkohen finalistëve të tjerë. Tani fjala i mbetet natës finale të festivalit, që do të zhvillohet nesër në mbrëmje. Në gjysmëfinalen e parë të "Eurosong 2009" u eliminuan Maqedonia dhe Mali i Zi, ndërsa Turqia udhëhoqi me më shumë vota. Ajo i ka prirë listës së dhjetë vendeve të para finaliste në garën "Eurovision 2009", pasi ka përfunduar nata e parë gjysmëfinale. Krahas Turqisë, vendet e tjera të kualifikuara në gjysmëfinalen e parë janë Suedia, Izraeli, Portugalia, Malta, Finlanda, Bosnja dhe Hercegovina, Rumania, Armenia dhe Islanda. Ndërsa vendet e tjera që u eliminuan në gjysmëfinalen e parë janë Andorra e Bjellorusia. Listës së këtyre finalistëve u shtohen edhe dhjetë të klasifikuarit natën e djeshme, si dhe pesë vendet e përhershme të finales: Franca, Gjermania, Britania dhe Spanja, që automatikisht janë pjesë e finales ashtu si çdo vit, si dhe Rusia si fituesja e vitit që shkoi. Për herë të parë shkuam në vitin 2004, në Turqi me këngën "Imazhi yt", të dyshes Zhulali-Doçi, interpretuar në skenën e Eurosong-ut nga këngëtarja Anjeza Shahini. Katër vjet më parë në këtë festival, Shqipëria u përfaqësua me këngëtaren Ledina Çelo me këngën "Nesër shkoj" e kompozitorit Adrian Hila. Në vitin 2006 përfaqësimi u bë me këngëtarin Luis Ejlli me këngën "Zjarr e ftohtë" të Klodian Qafokut, ndërsa në vitin 2007 me këngëtarin Frederik Ndoci, në Helsinki me këngën "Balada e gurit" me kompozim të Adrian Hila. Në Festivalin Europian të vitit të kaluar, që u zhvillua në Beograd, Shqipëria u përfaqësua me këngën "Zemrën e lamë peng", kënduar nga 16-vjeçarja Olta Boka, me kompozim të Adrian Hilës dhe tekst të Pandi Laços.