Minoritari Tavo akuzon Kserën dhe Rulin se po dhunojnë lazaratasit
Kandidati për deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Gjirokastrës Vangjel Tavo, ka denoncuar policinë e Gjirokastrës për terror psikologjik dhe fizik mbi banorët e Lazaratit. Ai deklaroi se policia e këtij qyteti ka ushtruar dhunë mbi lazaratsit me urdhër të kandidatëve të Partisë Demokratike, Genc Ruli dhe Spiro Ksena, pasi e kuptuan se do ta kishin të pamundur që të manipulonin votat në këto zgjedhje.
Politika e djathtë dhe politikanët e dëshpëruar të saj Ruli e Ksera duke parë se banorët e Lazaratit e kanë kuptuar të vërtetën dhe nuk mund të përdoren më për manipulim votash, nuk mund të vihen më në rresht nga PD dhe disa eksponentë të saj lokalë dhe qendrorë për të mbushur kutitë e votimit në mënyrë fiktive prandaj kanë nxjerrë në pah dhunën shtetërore, deklaroi Tavo. Sipas tij banorët e kanë të qartë se politikat e PD dhe politikat e Rulit e Kserës që kërkojnë pushtet mbi mashtrime dhe vjedhje votash nuk sjellin progres por varfërim të tejskajshëm të njerëzve dhe pasurimin e një pakice që kanë në dorë pushtetin. Pas vizitës së suksesshme të kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama në fshatin Lazarat, politikanë të PD që shpresën për të fituar e kanë vetëm tek manipulimi i votës së lirë në gjendje paniku dhe frike për humbjen që i pret në 28 qershor kanë urdhëruar forcat e rendit që të ushtrojnë presion psikologjik dhe fizik mbi banorët lazaratas. Sipas tij forcat e Policisë me pretekstin e kontrollit për bimë narkotike kanë bërë raprezalje në këtë fshat duke i dhunuar psikologjikisht dhe fizikisht banorët, ku sipas tij kjo ishte vetëm një pretekst kot për të realizuar qëllimin e tyre kandidatët e pacipë të Partisë Demokratike. Këto postblloqe të frikshme në emër të gjoja luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike, në fakt kanë si qëllim të trembin dhe terrorizojnë banorët , biznesmenët , ndërtuesit, bujqit dhe blegtorët që nëse nuk mbështesin PD dhe nuk votojnë për të dora e fortë e policisë së shtetit do të veprojë mbi ta, u shpreh Tavo. Sipas tij është e pakuptueshme dhe e palogjikshme që postblloqet e policisë nuk lejojnë mjetet e firmave të ndërtimit që të hyjnë në Lazarat, dhe veprojnë me dhunë mbi personat të cilët i kundërshtojnë. Kandidati Tavo deklaroi se policia po nxjerr lloj lloj justifikimesh për të ndaluar banorët e Lazaratit dhe ushtron presion mbi ta me urdhër të këtyre pseudo kandidatëve të cilët kërkojnë që të dhunojnë votën e lirë dhe të ndershme.