E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi i kërkon anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor dhe KLD të qëndrojnë jashtë influencës politike

Partitë politike të flasin për drejtësinë
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në mbledhjen e radhës së këtij këshilli, ju bëri thirrje të gjitha partive politike që të prononcohen për vazhdimin e reformave në fushën e drejtësisë. Unë nuk mund të jem personi, pa asnjë lloj cilësie, që të orientojë partitë politike të realizojnë performancën e tyre elektorale, por me cilësinë e këtij pozicioni mjaft të rëndësishëm që ka të bëjë me të ardhmen e sistemit të drejtësisë, me vendosjen e parametrave të standardeve evropiane të shtetit të së drejtës, i ftoj partitë politike që të prononcohen për vazhdimin e reformave në fushën e drejtësisë, deklaroi presidenti Topi. Sipas tij partitë politike nuk duhet të marrin parasysh se kush do të jetë fituesi apo humbësi i këtyre zgjedhjeve por duhet të jenë të gatshme për të bërë reforma në drejtësi sepse këto reforma në radhë të parë duhet të kenë një vullnet politik dhe qytetar, të cilat do ti shërbenin sistemit të drejtësisë. Unë nuk do të futem në elementë specifikë, qoftë të retrospektivës, aq më pak të perspektivës, por dëshiroj që ky vullnet të jetë i shprehur, dhe nga partitë politike, të cilat natyrisht ta japin dhe ta kenë të qartë vizionin e tyre perspektiv për të ardhmen e një sistemi të drejtësisë dhe për ato funksione, të cilat janë primare për shtetin e së drejtës, nënvizoi presidenti Topi. Gjithashtu ai theksoi se është vullneti legjislativ i buxhetimit të sistemit të drejtësisë, i cili do të sjellë një tjetër intensitet për ekspozimin e drejtësisë. Sipas presidentit Topi sistemi i drejtësisë ka nevojë për të gjitha ato funksione të quajtura substanciale, të cilat janë aktiviteti, funksionimi dhe ekspozimi.          Anëtarët e Kolegjit Zgjedhor të qëndrojnë jashtë influencës politike  
Ndër të tjera presidenti Topi ju kërkoi anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të qëndrojnë larg influencës politike. Ai ju kërkoi anëtarëve të Kolegjit zgjedhor që të zbatojnë me përpikmëri ligjin dhe kushtetutën dhe të mos influencohen nga njëra apo tjetra forcë politike. Gjatë fjalës së tij Topi deklaroi se Këshilli i Lartë i Drejtësisë në aparencë dhe në substancë është larg partive politike dhe interesave të tyre, dhe është një kolegj i cili respekton ligjin dhe është në funksion të tij, ku sipas tij të gjithë personat që bëjnë pjesë në këtë kolegj zgjedhor i kanë dhënë provat dhe i kanë realizuar të gjitha standardet e kërkuara. Sistemi i drejtësisë merret me konfliktet e çfarëdolloj natyre dhe këtu është e qartë që konfliktet eventuale të mundura të subjekteve politike në funksion të rezultatit të zgjedhjeve mund të angazhojnë në mënyrë të qartë edhe Kolegjin Zgjedhor, i cili është i mandatuar dhe padyshim sot edhe një herë dëshiroj të shprehem në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për pritshmërinë e lartë që ne kemi për këtë Kolegj për të realizuar detyrën mjaft të rëndësishm dhe delikate, nënvizoi presidenti Topi. Ai theksoi se ka patur përpjekje të rëndësishme nga Kuvendi i Shqipërisë dhe nga partitë politike për ta realizuar Kolegjin Zgjedhor por sipas tij askush nuk mund të qahet për mungesën e kontureve të gjyqësorit, sepse ajo që presupozon një nga elementet më të rëndësishëm të shtetit të së drejtës është korrektësia e marrjes së vendimeve në rastet eventuale të kontestimeve dhe të vendosjes në tryezën ku do të merren vendimet e Kolegjit Zgjedhor.
Topi i bën thirrje qytetarëve për aplikim
Kreu i shtetit i bëri thirrje gjithashtu edhe zgjedhësve qe të aplikojnë për kartat e identitetit, një dokument i rëndësishëm ky për procesin zgjedhor. Pjesëmarrja në votime është një indikator i rëndësishëm i demokracisë, është një tregues shumë i rëndësishëm i çdo qytetari në qenien e tij për të vendosur piketat e së ardhmes. Unë u bëj thirrje qytetarëve, e cila vjen shumë pranë datës së zgjedhjeve, që ata që nuk kanë aplikuar duhet të aplikojnë me shpejtësi, u shpreh Topi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›