E Diel, 1 Nëntor 2026

Tkurrja e kredive, varfëroi biznesin e familjet shqiptare

 

Fabiola Çela

Gjatë muajve të parë të vitit bankat shtrënguan ndjeshëm dhënien e kredive dhe kjo si pasojë e krizës globale. Por të parët që ndjenë efektet negative ishin biznesi dhe familjet. Por pavarësisht situatës së vështirë, gjatë 6-mujorit të parë bankat kanë arritur të dalin me bilanc pozitiv. Në raportin e saj më të fundit, Banka e Shqipërisë ka kaluar në skaner të gjithë efektet që ka pasur kriza globale në ekonominë e vendit.
Efektet 
Ashtu siç ishte paralajmëruar edhe më parë, kriza ndikoi në uljen e dërgesave të emigrantëve dhe rënien e eksporteve. “Efektet e krizës financiare ndërkombëtare u ndjenë në ekonominë e vendit dhe në sistemin tonë financiar. Duke qenë një krizë ndërkombëtare, efektet e para u ndjenë mbi bilancin e pagesave, që reflekton marrëdhëniet e ekonomisë tonë me botën. Rritja e papunësisë dhe rënia e financimeve në vendet fqinje anëtare të Zonës së Euros, u shoqërua me rënie të kërkesës për mallrat e vendit dhe me rënie të dërgesave të emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në ato vende. Në kushtet kur hendeku midis kërkesës së brendshme dhe asaj të jashtme u thellua, kjo u shoqërua me rritje të deficitit të llogarisë korente dhe rritje të presionit mbi kursin e këmbimit”, thuhet në deklaratën e BSH-së mbi stabilitetin e sistemit financiar për 6-mujorin e parë të vitit.
Kredia 
Si pasojë e krizës bankat shtrënguan ndjeshëm kushtet për marrjen e një kredie, si për bizneset, ashtu edhe për konsumatorët. “Sektori bankar në vend tkurri vëllimin e financimit për ekonominë e vendit në përgjigje të kërkesës së rritur për likuiditet, si rezultat i rënies së depozitave në banka dhe rritjes së kërkesës për borxh nga ana e qeverisë. Efekti i kombinuar i këtyre zhvillimeve pati ndikim negativ mbi sektorin real të ekonomisë, kryesisht mbi sektorin e biznesit, por edhe mbi familjet. Në tremujorin parë të vitit treguesi i besimit të biznesit ra nën mesataren e tij historike, duke reflektuar një situatë më problematike. Kjo u dëshmua edhe prej realizimit më të ulët të të ardhurave fiskale në krahasim me planin, si edhe prej rënies së cilësisë së portofolit të kredisë, me të cilën sektori bankar është përballur për të gjithë periudhën”, thuhet në deklaratën e BSH-së. Për gjashtëmujorin e parë të vitit 2009, kredia është rritur vetëm me 6.3 për qind. Përsa i takon depozitave, deri në fund të muajit qershor 2009 sektori bankar rimblodhi rreth 1/3 e vlerës së depozitave të humbura në tremujorin e fundit të vitit 2008 dhe në tremujorin e parë të vitit 2009. Sipas BSH-së, ky ritëm i rikthimit të depozitave ka qenë i qëndrueshëm dhe ka vijuar edhe në periudhën e verës. “Kthimi i depozitave të publikut në sektorin bankar pritet të ndikojë pozitivisht edhe në aftësinë e tij për të kredituar ekonominë. Situata më e vështirë e sektorit real të ekonomisë si dhe tkurrja e burimeve të financimit gjatë periudhës, u shoqëruan me rënien e cilësisë së portofolit të kredisë. Sidoqoftë, në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit, sektori bankar shënoi një rezultat financiar pozitiv në vlerën 0.66 miliardë lekë”, thuhet në deklaratën e BSH-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›