E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokatët refuzojnë mbrojtjen e vrasësit të vëllezërve Mulliri

 
Besim Karaj është mbrojtur nga një avokat i caktuar kryesisht nga gjykata dhe ndaj tij është caktuar masa e sigurisë burg pa afat. I pandehuri tregon rrugën nga është larguar pas kryerjes së krimit
 
 
Irena Vreto
Korçë - Autori i ekzekutimit të vëllezërve Mulliri tregon në gjykatë udhëtimin pas përgjakjes së fshatit, ku la tre fëmijët dhe gruan. Ndërsa i duhet të përballet me një akuzë të rëndë, asnjë avokat në qytetin juglindor nuk ka pranuar të mbrojë vrasësin, teksa gjykata ka caktuar një avokat për të mbrojtur kryesisht të akuzuarin. Besim Karaj gjatë së enjtes ka rrëfyer me detaje udhëtimin e tij pas krimit, ndërkohë që gjykata nuk ka lejuar për asnjë moment që ai të dëshmojë vrasjen e trefishtë të vëllezërve Mulliri. Besim Karaj për herë të parë ka dalë para togave të zeza në Gjykatën e Korçës. Ndërsa masa e sigurisë burg pa afat është vendosur në mungesë në datën 1 shkurt, trupi gjykues i kryesuar nga Besnik Shehu e ka vënë në dijeni të pandehurin që akuzohet për “vrasje në rrethana të tjera lehtësuese”, si dhe “mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”. 40-vjeçari Besim Karaj në datën 29 janar ka ekzekutuar në qendër të fshatit kufitar Vidohovë tre vëllezërit Xhilian, Taulant dhe Etlevan Mulliri. Tradhtia e gruas pas një marrëdhënieje jashtë martesore me njërin prej vëllezërve, dhe konkretisht Taulantin 23-vjeçar, ka qenë shkaku i këtij agresioni, që nisi si një kërcënim dhe përfundoi në një masakër të pazakontë.
Gjykata e Shkallës së Parë në Korçë i ka komunikuar masën e arrestit burg pa afat të dhënë në mungesë të pandehurit Karaj, masë kjoe dhënë në datën 1 shkurt nga i njëjti trup gjykues. Pas kapjes së tij nga forcat e policisë, autori i një ngjarjeje të rëndë ka dalë para trupit gjykues për t’iu komunikuar vendimi, por dhe për të treguar rrugën që ka ndjekur pas krimit. Gjyqtari Besnik Shehu i ka kërkuar të pandehurit që përfaqësohej nga një avokat i caktuar nga gjykata, të mos flasë absolutisht për krimin, pasi çështja është nën hetim dhe do të jetë organi i akuzës që do të zbardhë të plotë gjithçka që lidhet me këtë ngjarje. Autori i ngjarjes shokuese të Vidohovës ka treguar krejt pa emocione udhëtimin që ka ndjekur pas krimit monstruoz, si dhe udhëtimin më të pazakontë të jetës së tij. Ai ka treguar për gjykatën, se ka menduar fillimisht të kalojë kufirin, por nuk ka pasur guximin për ta bërë një gjë të tillë. “I armatosur kanë lënë fshatin dhe i jam afruar kufirit në afërsi të fshatit Arzë. Më pas ndërrova mendje dhe vazhdova rrugën në këmbë, duke dalë në Korçë e mandej në Pogradec. Kur arrita në këtë qytet, kam ikur fshatrave, deri ku fillonin shinat e trenit, të cilat do të më çonin më tej. Ndoqa rrugën e shinave dhe arrita deri në Elbasan. Mbaj mend që kam ecur pa u ndalur, megjithëse isha shumë i lodhur. Kam vazhduar pastaj në Qafë-Kërrabë, duke u munduar të shmangja rrugën kryesore, ku mund të bija në sy të policisë. Kur kam mbërritur në Tiranë, kam shkuar përsëri në stacionin e trenit, ku kam ndjekur shinat deri në Kamzë. Që aty kam marrë makinën dhe kam shkruar në Thumanë, tek shtëpia e vëllait tim, Ferit Karaj. Iu kam treguar atyre se çfarë kishte ndodhur, ndërsa vëllai më këshilloi të dorëzohesha se do të ishte më mirë për mua”. Kjo është ajo që ka treguar në gjykatën e juglindjes protagonisti i vetëm i një ngjarjeje shokuese të vetëm pak ditëve më parë në Vidohovë të Devollit.
 
 
 
Korçë
 
Humbet në kazino, grabit
me dhunë 55-vjeçarin
 
Korçë - Pranga 29-vjeçarit, grabiti me dhunë një shtetas, kapet pas dy orësh kërkime nga policia. Grabitjet me dhunë në qytetin juglindor kanë qenë të shumta kohët e fundit. Pas grabitjes së një banke, por edhe të disa lokaleve të lojërave të fatit, një 55-vjeçar ka mbetur viktimë e grabitjeje të një të riut. Ngjarja është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme. Donald Vesholli, banor i lagjes 15 në Korçë, ka grabitur shtetasin Hysni Sadiku. E gjithë ngjarja është zhvilluar më një lokal lojërash fati. Dy personat e lartpërmendur kanë qenë prezentë në lokalin ku luhej bixhoz, ndërsa 29-vjeçari, pasi ka humbur një shumë të konsiderueshme të hollash, ka vendosur të grabisë shtetasin që gjendej në ambientet e lokalit. Duke iu referuar burimeve të policisë lokale, i arrestuari i policisë, Vesholli, ka grabitur duke ushtruar dhunë fizike ndaj Hysni Sadikut, plot 400 mijë lekë. Ky i fundit është përpjekur fillimisht të bëjë rezistencë, por i gjendur përballë një situate që mund t’i kushtonte jetën, nuk ka mundur të evitojë grabitjen. Pas denoncimit në policinë e Korçës, autori është arrestuar pas rreth dy orësh kërkime. Ndaj Donald Veshollit rëndon akuza e vjedhjes me dhunë. Ndërkaq, policia bën të ditur se i arrestuari dyshohet edhe për disa vjedhje të tjera në qytet, njëra prej të cilave me dhunë.
I.Vreto
 
 
 
Pogradec
 
Thyen vendimin e gjykatës,
merr me forcë fëmijët e tij
 
Pogradec - Një 37-vjeçar përfundon në prangat e policisë, pasi ka marrë me dhunë fëmijët e tij, duke thyer urdhrin e gjykatës. I divorcuar disa kohë më parë, Jani Mokrari, banor i qytetit të Pogradecit, ka vendosur t’i marrë të dy fëmijët në shtëpinë e tij, duke iu shkaktuar terror gjatë momentit të rrëmbimit nga shkolla. Ngjarja është regjistruar në fshatin Proptisht të Rrethit të Pogradecit. Jani Mokrari ka shkuar në shkollën 9-vjeçare të fshatit, ku mësojnë dy fëmijët e tij, një vajzë dhe një djalë. Në momentin që ata kanë dalë nga mësimi,  ai i ka marrë, duke i gënjyer fillimisht dhe më pas i ka hipur me forcë në mjetin e tij. Pas vonesës së gjatë, nëna e fëmijëve, ish-bashkëshortja e të ndaluarit, Suzana Leka, ka kërkuar ndihmën e policisë. Kjo e fundit ka marrë informacion rreth ngjarjes, ndërsa i ka kthyer fëmijët nënës së tyre, kurse Mokrari nga ana tjetër ka përfunduar në pranga. 37-vjeçari i divorcuar akuzohet për veprën penale të “marrjes pa të drejtë të fëmijëve”, duke kryer veprime në kundërshtim me urdhrin e gjykatës. çifti Mokrari ka disa kohë i divorcuar, bëjnë të ditura burime të policisë, teksa kujdestaria e fëmijëve i është besuar nënës së tyre, për shkak të dhunës fizike që ushtronte babai i tyre mbi gruan, por në shumë raste edhe mbi fëmijët. Pas arrestimit, autori është përpjekur të justifikohet me faktin se e kishte marrë malli për fëmijët, ndaj ka kryer këtë veprim, teksa të miturit janë tmerruar nga skena dhe marrja me dhunë në një mjet, pavarësisht se i takonte babait të tyre.
I.Vreto
 
 
 
Berat
 
I dënuar me pesë vjet heqje liri, prangoset nga policia
 
BERAT - Një 33-vjeçar, banor i lagjes “Goricë”, i akuzuar për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, ka rënë në prangat e policisë lokale të qytetit të Beratit. Prangosja është realizuar rreth orës 11:30 të paradites së djeshme, ndërsa 33-vjeçari Albert Zoto ka qenë duke shkuar për në banesën e tij. Arrestimi i Zotos, lindur në Lushnjë dhe banues në lagjen “Goricë”, ka ardhur pas marrjes së informacioneve në rrugë operative të vendndodhjes së tij nga agjentë të policisë. Ai ishte shpallur në kërkim përpara tri vjetësh, pasi me vendimin e Gjykatës së Rrethit Berat ai ishte shpallur fajtor për konsumimin e veprës penale “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”,vepër penale e parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal, nga ku edhe është dënuar me pesë vjet heqje lirie. Që nga kjo kohë, shtetasi Zoto u fshihej organeve të drejtësisë, për t’i dhënë fund “lirisë” së tij në orët e paradites së djeshme, kur edhe është prangosur në afërsi të banesës së tij në lagjen “Goricë” të qytetit muze.
 
 
 
Kakavijë
 
Ndalohet i dyshuari për trafik ndërkombëtar armësh
 
Kakavijë - Ndalohet në doganën e Kakavijës një person, ndërsa po tentonte të trafikonte në drejtim të Greqisë armë dhe municione luftarake. Sipas burimeve zyrtare në policinë e Gjirokastrës, 29-vjeçari Sotir Zakos, lindur dhe banues në Skrapar, është ndaluar, pasi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “trafikut ndërkombëtar të armëve dhe municioneve”. “Ne dispononim informacione të marra në rrugë operative, se një person, i cili udhëtonte në njërin prej autobusëve të linjës Tiranë-Athinë, do të tentonte të trafikonte në drejtim të Greqisë armë dhe municione luftarake”, thonë agjentët antitrafik në policinë e Gjirokastrës. Në këtë situatë, në bashkëpunim edhe me kolegët e tyre në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ata kanë ndërmarrë një operacion të veçantë për goditjen e këtij rasti të trafikut të armëve me destinacion Greqinë. Hapi i parë i këtij operacioni ka qenë mbajtja nën vëzhgim të vazhdueshëm e autobusit të udhëtarëve të linjës Tiranë-Athinë, me targa TR 4849 F, për të cilin policia kishte dyshime se udhëtonte trafikanti i armëve. Agjentët policorë e kanë ndjekur autobusin gjatë gjithë rrugës kombëtare për në Kakavijë. “Pas mbërritjes në doganë ne bëmë bllokimin e autobusit, duke nisur edhe kontrollin e tij për praninë e armëve dhe municioneve të ndryshme”, thonë burimet policore. Gjatë kontrollit të autobusit, në bagazhin e tij policia ka konstatuar një çantë shpine, në të cilën ishte fshehur një pistoletë model 54, prodhim kinez dhe shtatë fishekë luftarakë. Gjatë verifikimeve të para, grupi hetimor arriti në përfundimin se çanta i përkiste të ndaluarit S. Zakos. Në përfundim të veprimeve hetimore, krahas ndalimit të Sotir Zakos, policia bëri sekuestrimin e armës dhe fishekëve në cilësinë e provës materiale. Sipas grupit hetimor, pistoleta dhe fishekët e bllokuar nga policia kishin si destinacion tregun ilegal të armëve në shtetin fqinj, Greqi. Materialet e kësaj ngjarjeje i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë.
B.Shehu
 
 
 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›