Niazi Jaho: “Akuzat ndaj meje pasaktësi emri apo informacioni”
Z. Jaho, në një deklaratë për shtyp të datës 4 qershor 2008 të Shoqatës së ish-të përndjekurve politikë është përmendur edhe emri juaj si persekutor fizik dhe psikik i të burgosurve të ndërgjegjes në Burgun e Spaçit. Çfarë mund të thoni lidhur me këtë deklaratë?
Po e sqaroj shkurtimisht. Në vitin 1956, Konferenca e Partisë së Tiranës më dënoi “për veprimtari armiqësore” dhe element “antiparti”. Pas kësaj u dërgova në Elbasan me detyrën e ndihmësprokurorit, ku qëndrova pa lëvizur deri në fund të vitit 1973. Në vazhdim të masave të dënimit dhe “të kalitjes së mëtejshme” u dërgova në kooperativat bujqësore të Elbasanit, ku qëndrova deri në vitin 1983 (vit i daljes në pension). Me vendim të Këshillit të Ministrave të asaj kohe si person antiparti m’u caktua pension minimal. Prej vitit 1983 deri në vitin 1989 m’u refuzua për tri herë rresht pasaportizimi në Tiranë. Nuk kam qenë asnjëherë hetues, prokuror në gjykime me akuza kundër shtetit, asnjëherë në Mirditë dhe asnjëherë në Burgun e Spaçit.
Përse atëherë kjo akuzë?
Do të dëshiroja të ishte lajthitje, pasaktësi emri apo informacioni. Në një rast të tillë korrektesa do të kërkonte përgënjeshtrim dhe falje. Nëse dikujt nuk i pëlqejnë prononcimet e mia publike, kryesisht të karakterit ligjor dhe kushtetues, do të respektoja mendimin e kundërt me argumente juridike.
7 Qershor 2008