E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luan Omari: “Maxhoranca po i bën presion Presidentit të Republikës”

Konstitucionalisti i njohur komenton ngërçin Presidencë – Kuvend. Omari: “Zgjidhja e vetme është kalimi për votim pa bërë komente”

Një prej hartuesve të Kushtetutës, Luan Omari, e sheh konfliktin e krijuar mes Kuvendit dhe Presidentit të Republikës për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë si një mjedis ku presidentit Topi po i bëhet presion. Omari është shprehur se deri tani nuk mund të thuhet me siguri se po krijohen kushtet për të shmangur heqjen e imunitetit të Mediut nëpërmjet kontrollit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, duke shtuar se Parlamenti ka në dorë veçse të votojë ose jo dekretet e presidentit.

Zoti Omari, çfarë shijesh ju ka lënë polemika mes Kuvendit dhe Presidencës lidhur me dekretimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë?
Një shije të hidhur.
Si e shikoni këtë përplasje në kushtet e hetimit të ministrit Mediu dhe në kuptimin e nenit 141 të Kushtetutës, i cili përcakton se "Gjykata e Lartë ka juridiksion fillestar dhe rishikues. Ajo ka juridiksion fillestar kur gjykon akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, deputetëve, gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese"?
Nuk besoj se kjo vonesë në shqyrtimin dhe votimin e kandidaturave të anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë të ketë lidhje me gjykimin eventual të ndonjë personaliteti të lartë, gjykim që gjithsesi do të vonohej, sepse më parë do të duhej të përfundonte faza hetimore. Më duket se kjo vonesë ka të bëjë më shumë me një qëndrim mospërfillës ndaj institucionit të Presidentit të Republikës, sepse vonesa të tilla absurde kanë ndodhur edhe në kohën kur president ishte zoti Alfred Moisiu. Njëkohësisht kjo është edhe një formë presioni ndaj presidentit aktual, zotit Bamir Topi. Ky qëndrim është i papranueshëm si në aspektin juridik, ashtu edhe në atë etik.
Cila mund të ishte zgjidhja e situatës sipas mendimit tuaj?
Zgjidhja e vetme e ligjshme, në përputhje me Kushtetutën dhe me Rregulloren e Kuvendit, është që të kalohet sa më parë në shqyrtimin dhe votimin e anëtarëve të emëruar në seancë plenare. Kushtetuta i ka përcaktuar qartë kompetencat e Presidentit dhe të Kuvendit. Presidenti dekreton emërimin dhe Kuvendi ka fjalën e fundit: të miratojë ose të mos e miratojë dekretin. Në rastin e fundit presidenti detyrohet të dekretojë emërimin e anëtarëve të tjerë. Përveç ndarjes së tillë të kompetencave, Kushtetuta nuk parashikon asnjë marrëveshje ose ujdi ndërmjet dy organeve, Presidentit dhe Kuvendit.

7 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›