E Diel, 1 Nëntor 2026

Referendumi për Kushtetutën, protesta popullore në të gjithë Shqipërinë

Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Zheji: “Vendimi i KQZ-së është absurd dhe cenues i parimeve të demokracisë”

Shaban Sulçe

Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës paralajmëron zhvillimin e protestave popullore në të gjithë Shqipërisë, pas rrëzimit që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bëri kërkesës për organizimin e referendumit. Përfaqësues të këtij komiteti e cilësuan vendimin e KQZ-së si një vendim të orientuar politikisht nga dy kryetarët e partive të mëdha, të cilët nxitën dhe realizuan ndryshimin e Kushtetutës.
Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës deklaroi se askush nuk mund t’u mohonte shqiptarëve të drejtën për t’u shprehur për fatet e demokracisë. Përfaqësues të këtij komiteti deklaruan se do të paraqisnin kërkesën për referendum pranë Gjykatës Kushtetutës si dhe do të organizonin protesta popullore në të gjithë Shqipërinë për të kërkuar zhvillimin e referendumit. “Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës do ta vazhdojë me të gjitha mjetet legale dhe të protestës aktivitetin e vet, për arsye se misioni për mbrojtjen e Kushtetutës, që është dhe në themelin e Komitetit tonë, do të vazhdojë i papërkulur pavarësisht nga ky ngërç, apo pavarësisht nga ky kurth antidemokratik që materializua dje me vota të kapura në Komisionin Qendror Zgjedhor”, - tha kryetari i Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, Artur Zheji.
Vendimi
Kryetari i Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës, Artur Zheji, e cilësoi vendimin e KQZ-së si cenues i parimeve të demokracisë dhe shprehje e kapjes së institucioneve. “Vendimi i djeshëm i Komisionit Qendror Zgjedhor është një vijimësi e kapjes së institucioneve më të rëndësishme që përbëjnë shtetin shqiptar. Vendimi i djeshëm i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dëshmoi edhe një herë që iu hoq mundësia shqiptarëve për të pasur instrumentin e vetëm demokratik që mbetet sot në Shqipëri, atë të demokracisë direkte, pra të referendumit popullor, për këtë denatyrim, masakrim, shndërrim të pandershëm dhe të pamoralshëm që i është bërë Kushtetutës shqiptare, sidomos në nenet 86, 104 dhe 105”, - u shpreh Zheji. Anëtari i KMK-së, analisti Andrea Stefani, tha se KQZ-ja është kthyer në një instrument në dorën e dy partive të mëdha. “Në vazhdën e punës së këtij komisioni shikojmë përputhjen e vendimeve që ai merr me vullnetin e lidershipit të partive më të mëdha të vendit, deri dje vetëm të partisë në pushtet, sot edhe të partisë më të madhe të opozitës. Dje dëgjuat zotin Zheji të përmendë pas marrjes së vendimit që këtu jemi në paradhomën e fashizmit. Ky nuk është një ekzagjerim. Duhet ta kemi të qartë se fashizmi nuk është gjë tjetër veçse komportimi i institucioneve me vullnetin e një njeriu apo dy njerëzve, apo tre njerëzve, nuk ka rëndësi. Fashizmi është ai sistem ku Kushtetuta është vullneti i liderit më të fuqishëm dhe ne pamë dje një shfaqje tjetër të kësaj dukurie, ku vullneti i një institucioni përputhet totalisht me vullnetin e liderëve më të fuqishëm, të partive më të mëdha dhe duke shkelur madje edhe vetë Kushtetutën”, - tha Stefani.
Gjykata Kushtetuese
Kryetari i Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, Artur Zheji, tha se kërkesa për referendum do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Sipas Zhejit, vendimi që do të japë kjo Gjykatë do të jetë edhe shprehje e pavarësisë së këtij institucioni nga kthetrat uzurpuese të maxhorancës. “Në qoftë se shprehet pozitivisht për kërkesën tonë, atëherë do të jetë një test që kjo gjykatë është në lartësinë e detyrës që ka. Në qoftë se shprehet me të njëjtin sistem që u shpreh dhe Komisioni Qendror Zgjedhor, atëherë është një fatkeqësi tjetër për pavarësinë e institucioneve dhe për statusin demokratik në të cilin nuk gjendet Shqipëria, për fat të keq”, - tha Zheji. Ai theksoi se në rast se edhe Gjykata Kushtetuese do të mohonte referendumin, atëherë Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës do të organizojë protesta popullore në të gjithë vendin. “Ne nuk do t’i lëmë shqiptarët jetimë nga mundësia për të thënë fjalën e tyre të protestës për një dhunë fashiste që i është bërë të drejtës së tyre për të shprehur vullnetin e tyre”, - tha Zheji.

7 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›