Bashkimi i së majtës, platforma “Lakrori” në zyrën e Ramës
Maqo Lakrori, një ndër themeluesit e Partisë Socialiste, ka gjetur formulën e bashkimit të socialistëve. Një propozim i guximshëm, edhe pse Rama e Meta i kanë kthyer kurrizin njëri-tjetrit dhe refuzojnë të bashkohen para zgjedhjeve. Lakrori është këmbëngulës. Ai ka paraqitur një platformë, shoqëruar me një letër në selinë rozë, ku kërkon bashkimin e së majtës, që sipas tij, është e ndarë në PS, LSI e PS’91. Formula e Lakrorit parashikon që strukturat vendimmarrëse të këtyre partive të majta, PS, LSI, PS’91, të mblidhen dhe të diskutojnë për një platformë të përbashkët elektorale. Propozimi merr trajtën e një shkrirjeje mes këtyre forumeve, ose mund të konsiderohet i ngjashëm me idenë e Skënder Gjinushit për federatën e së majtës. Propozimi i Lakrorit më parë duhet të kalojë për shqyrtim e miratim në Asamblenë Kombëtare në PS-së dhe nëse kjo miratohet, atëherë duhet të nisin negociatat mes partive për të realizuar shqyrtimin e platformës së përbashkët, nga AK-ja e PS-së, KDK-ja e LSI-së, KPD-ja e PS’91 etj. Lakrori propozon që të zhvillohet një kongres, i cili do të bashkojë socialistët e që do të quhet kongresi i bashkimit.
Burime nga PS thanë se Lakrori, në letrën që i është dorëzuar Ramën e Ruçit, kërkon që Asambleja Kombëtare e PS-së të mblidhet sa më shpejt, madje brenda muajit janar për të diskutuar rreth ideve të tija, por statuti parashikon se asambleja mblidhet çdo tre muaj, e në bazë të llogarive i bie të mblidhet në fund të muajit shkurt. Ideja e Lakrorit bie ndesh me frymën që mbizotëron që prej tre vjetësh në Partinë Socialiste. Procesi i reformimit që ka nisur kryetari i kësaj partie ka lënë jashtë dyerve të partisë mjaft ish-funksionarë, apo ish-themelues të saj. Si rezultat, PS pësoi ndarjen e dytë brenda katër viteve. Pas Lëvizjes Socialistë për Integrim, u krijua PS’91. Ndaj në Asamblenë Kombëtare të 22 nëntorit, menjëherë pas miratimit të Kodit Zgjedhor, një prej is- funksionarëve të lartë e njëkohësisht edhe themelues i kësaj partie, Maqo Lakrori, bëri dy propozime konkrete. Pika e parë e platformës së tij kërkon që faza e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë të bëhet direkt nga anëtarësia dhe simpatizantët e partisë përmes një konkurrimi publik të hapur, ku të shihet pesha e çdo kandidati. Sipas Lakrorit, konkurrimi të bëhet përmes një fushate të gjatë, ku kandidatët të ballafaqohen përmes platformave konkrete. Ndërkohë, ai propozon dhe një ribashkim të socialistëve, duke e parë këtë si një gjë të rëndësishme në prag të zgjedhjeve të reja. Sipas Lakrorit, asambleja të përgatisë një kongres bashkimi të të gjithë socialistëve kudo ku janë.