E Diel, 1 Nëntor 2026

Minxolli: Ushtarakët vizita në Gërdec

 Armand BajramiDritan Minxolli, ish-drejtori i punishtes së demontimit të municioneve në Gërdec deklaroi dje në Gjykatë, se fabrika që shpërtheu në 15 mars 2008 u ndërtua vetëm pasi Ministria e Mbrojtjes urdhëroi ngritjen e saj. I pandehuri Minxolli tha se gjeneralët e Forcave të Armatosura, Luan Hoxha e Shpëtim Spahiu ishin në dijeni të plotë të aktivitetit që do të kryhej në fabrikë dhe se ata vetë e kishin vizituar më parë vendin, ku do ngrihej pika e çmontimit. Dëshmia e Minxollit u paraqit në seancën e djeshme në Gjykatën e Tiranës në ngarkim të 29 të pandehurve të akuzuar për shpërthimin në Gërdec. Minxolli i cilësoi si krejtësisht të pasakta deklarimet e dëshmitari Beqir Prini në disa seanca më parë, se ndërtimi i fabrikës kishte filluar në shkurt të vitit 2007 para vendimit të Qeverisë. “Përfaqësues të kompanisë ‘SAC-Albademil’ janë paraqitur para dyerve të repartit ushtarak në Gërdec për herë të parë në 28 prill 2007 bazuar dhe referuar vetëm në urdhrin e ministrit të Mbrojtjes së datës 25 prill 2007, Nr 550", tha Minxolli nga kafazi i hekurt i sallës së gjyqit. Sipas tij, urdhri caktonte Gërdecin si vend ku do të ndërtohej fabrika e demontimit. Sipas Minxollit, “duke iu referuar deklarimeve të bëra nga nënoficerë të Forcave të Armatosura, para oficerëve të policisë gjyqësore, punimet për fabrikën e demontimit kanë filluar në muajin maj të vitit 2007”. Po sipas deklarimeve të ushtarakëve që qëndronin në repartin ushtarak në Gërdec para ndërtimit të fabrikës, funksionarë të lartë të forcave të armatosura, aktualisht të pandehur në proces, kishin lejuar fillimin e punimeve. “Gjeneral brigade Astrit Jaupi, pasi komunikon dhe vë në dijeni Komandantin e Forcës së Bashkuar, gjeneral brigade Shpëtim Spahiu për situatën e krijuara në datën 28.04.2007 para repartit ushtarak Gërdec, merr urdhër nga Shpëtim Spahiu që të lejohet kryerja e punimeve brenda repartit ushtarak”, citoi i pandehuri Minxolli. Referuar të tjera deklarimesh Minxolli tha se “repartin ushtarak e ka vizituar edhe ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha”.SEANCADëshmia e dhënë dje nga ish-drejtori i fabrikës hedh poshtë deklaratat e ushtarakëve që pohonin se nuk kanë qenë në dijeni të detajeve në fabrikën e Gërdecit. Minxolli tregoi se ata kanë bërë vizita në fabrikë, ndërkohë që inspektime të tilla janë mbajtur “sekret” nga ushtarakët që nuk i kanë pranuar asnjëherë ato. Në seancën e djeshme, gjykata e Tiranës dëgjoi në sallë shtatë dëshmitarë të thirrur nga organi i akuzës. Bujar Nasufi, Myrvete Lala, Luiza Durdaj, Dylbere Prini, Mirela Hazizaj, Afërdita Canga dhe Fatbardha Rama iu përgjigjen pyetjeve të palëve në proces për kohën kur ata ose të afërm të tyre kishin punuar në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec. Sipas dëshmitares Luiza Durdaj, në fabrikën e Gërdecit kishte të punësuar mosha të mitura, ndërsa në ambientet e fabrikës shikoje edhe fëmijë të moshave 8, 9 dhe 10 vjeç. “Fëmijët e kësaj moshe vinin pas prindërve të tyre në fabrikë. Ata nuk ishin punonjës, por edhe i ndihmonin prindërit”, tha dëshmitarja. Ajo shtoi se ditën e shpërthimit të 15 marsit 2008, drejtori i fabrikës, Mihal Delijorgji kishte qenë në fabrikë dhe se ishte larguar pak minuta para shpërthimit.“Ish-oficeri ishte i shqetësuar për kushtet e punës në Gërdec”TIRANE – Dëshmitarja Afërdita Canga tregoi dje në gjykatë punën e bashkëshortit të saj Besim Canga, si specialist ushtarak në Gërdec. Sipas dëshmitares, bashkëshorti i saj ishte punësuar në Gërdec në 21 janar 2008, ndërsa mbrëmjen e 15 marsit të këtij viti ajo ka gjetur trupin e tij të pajetë në morgun e spitalit “Nënë Tereza”. Sipas dëshmitares, bashkëshorti i saj i kishte treguar se në Gërdec punohej shumë keq dhe me mjete primitive. Dëshmitarja u shpreh se bashkëshorti i saj, ish ushtarak me përvojë i Forcave të Armatosura, kishte shfaqur shpesh herë shqetësime për kushtet e sigurisë në fabrikën e Gërdecit.“Bashkëshorti ka qenë ushtarak, si pjesë e xhenios të Forcave të Armatosura dhe ka punuar në strukturat e çminimit. Rreth një vit para se të fillonte punë në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec, ai ishte liruar nga detyra e ushtarakut për shkak të reformës. Në fabrikën e Gërdecit ai filloi punë si specialist. Më ka thënë që ka bërë një kontratë pune. Këtë ma tha ditën e parë të punës pasi erdhi në shtëpi. Më tha që kishte nënshkruar një kontratë ku përcaktohej edhe shuma e parave që do të merrte. Si punonjës në fabrikën e Gërdecit, ai kishte një pagë mujore prej 90 mijë lekësh të rinj. Bashkëshorti më tha që në Gërdec ishin gjithsej pesë specialistë ushtarakë. Nuk më pati treguar detaje rreth punës së tij në Gërdec, por më pati thënë që instruktonte grupet e punës për zbatimin e rregullave të sigurimit teknik. Më vonë, pasi kaloi një farë kohë ai filloi të shfaqte shqetësime, pasi ia ndërronin shumë shpesh njerëzit. Më tha që sa filloj të instruktoj një grup, më sjellin punonjës të rinj. Di që ka pasur debate të forta me Sokol Gjecin. Nuk di nëse e kishin për punën apo për arsye të tjera, por ndonjëherë arrija deri aty sa i thosha që ta linte punën. Në një rast mbaj mend që më tha: Ma dëgjuan fjalën më në fund dhe vendosën fikëse zjarri nëpër mure. E kishte fjalën për drejtuesit e fabrikës. Në një rast tjetër më tha që kishte arritur t’i bindte që karrocat që përdoreshin në fabrikë të kishin rrotat prej gome, pasi rrotat metalike përbënin rrezik për lindje shkëndijash. Për punën në fabrikë, më pati thënë që punohej me mjete primitive dhe se punohej shumë keq. Përdoreshim leva, kaçavida dhe mjete që konsideroheshin të rrezikshme”, tha dëshmitarja.                      ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›