E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga kamarierit, “party” me hashash në lokal në Bathore

 TIRANE - Një kamarier 22-vjeçar dhe dy miq të tij janë arrestuar nga Antidroga e Tiranës, gjatë operacionit të koduar “Kamarieri”, pasi janë kapur me 500 gramë bimë narkotike kanabis sativa. Burime nga policia sqaruan se ata janë arrestuar në një lokal në lagjen nr.6 të Bathores në Tiranë, pas një sinjalizimi se aty disa të rinj po konsumonin hashash. Menjëherë oficerët e Antidrogës të mbështetur nga efektivat e Komisariatit nr.5 kanë nisur operacionin “Kamarieri”, duke rrethuar lokalin dhe më pas kanë bërë arrestimin e tyre në flagrancë. Në pranga kanë përfunduar kamarieri i lokalit Rezart Hyskolli, i cili pasi mbyllte zyrtarisht aktivitetin në lokal, dyshohet se ftonte miqtë e tij për të konsumuar hashash, si dhe Feridun Gorica, 20 vjeç. Gjithashtu hetimet kanë zbuluar edhe bashkëpunëtorin e tyre të tretë Klajdi Xhajën, i cili është arrestuar menjëherë pas tyre në banesën e tij. Të njëjtat burime thanë se janë shoqëruar për të dhënë deklarime edhe 5 persona të tjerë që ndodheshin në lokal, të cilët më pas janë lënë të lirë, pasi ishin thjeshtë konsumues, të drogës që kishte Hyskolli. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale, sasinë prej 500 gramë bime narkotike e ambalazhuar dhe 3 telefona celularë. Pas përfundimit të veprimeve procedurale u dërguan dokumentet në prokurori me akuzën e “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›