Miqësorja, Milani mund PSG-në, Pato ndëshkon Ançelotin
DUBAI- Milani e ka mbyllur në mënyrën më të mirë javën e punës në Dubai, duke mundur 1-0 Paris Sent Zhermenin, në një miqësore luksi. Takimi është vendosur nga një prej futbollistëve më të diskutuar të merkatos në Evropë, Aleksandre Pato, që pas 4 minutash, ka ndëshkuar ish-teknikun e tij Karlo Ançeloti. Braziliani është lojtari që kërkohet më me ngulm nga trajneri i ri i skuadrës pariziene, por akordi mes palëve mungon ende. Pato realizoi pas një asisti të bukur të Zllatan Ibrahimoviç, një moment që duket se hedh poshtë kritikat se ata të dy nuk mund të luajnë së bashku. Ndeshja u luajt në mënyrë të hapur, pasi edhe francezët kanë krijuar një seri rastesh të mira. Gjithashtu, Milani mund të kishte shënuar golin e dytë me Noçerinon, që goditi traversën në minutën e 18-të. Por, një lajm i mirë për Milanin ditën e sotme ka qenë rikthimi në fushë i Ivan Xhenaro Gatuzos, Alesandro Nestës dhe Pipo Inzagit, të tre të dëmtuar. SuperPipo formoi dyshen e sulmit bashkë me El Sharauin dhe për pak realizoi gol. Në pjesën e dytë, Abiati bëri disa pritje shpëtimtare, sidomos pas dy gjuajtjesh të Nene. Në minutën e 78-të kanë goditur traversën edhe francezët.
(ma.ar/A. Latifi/BalkanWeb)
(ma.ar/A. Latifi/BalkanWeb)