Morati kërkon Guardiolën, trajneri nuk ka rinovuar
SPANJE- Pep Guardiola është trajneri që po mban në ankth një pjesë të madhe të gjigandëve të Evropës, pasi nuk e ka bërë të qartë ende të ardhmen e tij. Tekniku i Barcelonës ndiqet nga disa klube të mëdhenj, që ëndërrojnë për stilin e lojës të katalanasve. Por, në krye të atyre që dëshirojnë ta kenë në ekip, është Masimo Morati, i cili e ndjek prej kohësh teknikun e ri të Barçës. Nëse Guardiola nuk do të rinovojë kontratën dhe do të largohet nga Katalonja, Interi është në pole-position për të fituar shërbimet e tij, ndërsa në radhë të dytë qëndron Mançester Junajtid, që prej kohësh kërkon të gjejë një pasardhës të Aleks Ferguson. Pasi ka lavdëruar Marselo Bielsën, duke lënë të kuptohet se ai mund të jetë pasuesi i tij te Barça dhe pasi ka marrë lëvdatat e Ferguson, Guardiola ka deklaruar se nuk e ka vendosur ende se çfarë do të bëjë verën e ardhshme. Kjo pasiguri duket se e ka vënë sërish në lëvizje kreun e Interit, Masimo Morati. Për Guardiolën, Seria A është një sfidë më tërheqëse sesa Premier Liga, ndërkohë që në rast triumfi me Interin, ai do të kurorëzohej një prej më të mëdhenjve të historisë. Morati madje edhe merkaton është duke e zhvilluar në bazë të ideve të Guardiolës, duke marrë vetëm lojtarë të rinj e të talentuar. I fundit, që duket shumë pranë zikaltërve, është Huan Hezus, mbrojtësi i ri i Internacionalit. Vetë lojtari ka konfirmuar se në ditët e ardhshme do të jetë në Itali për të zyrtarizuar transferimin e tij. Duke parë bollëkun e mbrojtësve të qendrës, Interi mund ta xhirojë te Kievo.
(ma.ar/A. Latifi/BalkanWeb)
(ma.ar/A. Latifi/BalkanWeb)