Miqësorja me Real Madrid, u turpëruam për 50 mijë lekë
Organizatorët nuk pranuan sugjerimin e OSSH-së për një gjenerator rezervë
Turpi mund të ishte evituar. Kostoja për një epilog pozitiv të miqësores së luksit që Gramozi luajti në mesjavë me Realin e Madridit do të ishte vetëm 50 mijë lekë të reja. Një faturë fare e papërfillshme nëse merren parasysh shpenzimet e jashtëzakonshme për realitetin shqiptar, për të sjellë në Tiranë “galaktikët” e Florentino Perez: 2.5 milionë euro, të cilat janë shpenzuar për të bindur gjigandët spanjollë që të udhëtojnë drejt vendit tonë në mes të edicionit dhe një milion lekë të reja për të marrë me qira stadiumin “Qemal Stafa”. Pak orë përpara se skuadra “merengue” të shkelte në tokën shqiptare, përfaqësuesit e OSSH-së, gjatë një mbledhjeje të zhvilluar me organizatorët e “Taçi Oil” dhe kompanisë AMC, kjo e fundit ishte sponsor i aktivitetit, parashtruan mundësinë e montimit të një gjeneratori. “Operatori i Sistemit të Shpërndarjes në Shqipëri i ofroi organizatorëve të miqësores ndërmjet Gramozit dhe Realit të Madridit t’i vendoste në dispozicion një gjenerator të fuqishëm, i cili do të siguronte energji të mjaftueshme për prozhektorët e stadiumit në rast defekti. Natyrisht që ky shërbim ‘ekstra’, do të kishte edhe një kosto: ajo ishte vetëm 50 mijë lekë të reja”, pohoi një burim konfidencial, i cili ishte i pranishëm në takim. “Përfaqësuesit e kompanisë celulare AMC ishin dakord, madje ata këmbëngulën që oferta të pranohej. Kostoja nuk ishte e lartë, në krahasim me atë që ishte shpenzuar për një aktivitet të përmasave të tilla dhe në këtë mënyrë do të evitohej ‘blackout’-i. Por, personat që përfaqësonin kompaninë ‘Taçi Oil’ nuk pranuan. Ata nuk e panë të udhës një masë të tillë, duke këmbëngulur se kishin marrë siguri, se gjithçka do të funksiononte më së miri. Kjo edhe për faktin se në të kaluarën në stadiumin ‘Qemal Stafa’ nuk kishte pasur asnjëherë probleme të tilla”.
Megjithatë, ndodhi pikërisht ajo që OSSH i bëri parapritë e që askush nuk e besonte. Në momentin kur lojtarët e Realit të Madridit hynë në fushën e lojës dhe po prisnin fillimin e pjesës së dytë, energjia u ndërpre pas një defekti në transformator, për shkak të mbingarkesës. Fusha e impiantit më të madh në vend qëndroi në errësirë për afro 90 minuta, sepse prej defektit të transformatorit kishte dalë jashtë përdorimit edhe gjeneratori i “Qemal Stafës”. Për të risjellë ndriçimin është përdorur gjeneratori i Parlamentit, ndërsa gjatë pritjes së gjatë Florentino Perez ndërhyri personalisht për të mos lejuar yjet e Realit që të largoheshin, duke i detyruar të prisnin vënien në punë të prozhektorëve dhe përfundimin e ndeshjes.
Gjithsesi, skandali ishte “gatuar”: Shqipëria tregoi edhe një herë aftësinë e lindur, sesi një festë me përmasa të tilla (ardhja e një skuadre si Reali, me disa prej lojtarëve më të mirë në botë nuk është se ndodh përditë në vendin tonë) mund të shkatërrohet fare lehtë. Lajmi i “blackout”-it u përhap me shpejtësinë e dritës në Spanjë, ku pesë televizione kishin lidhje direkte me stadiumin. Episodi bëri shumë bujë edhe në mediat e ndryshme ndërkombëtare, të cilat nuk i kursyen ironitë për ngjarjen.
#