Superiorja mban zi për Panajot Panon
Vendimi
Në të gjitha takimet e javës së 18-të në Kategorinë Superiore do të mbahet një minutë heshtje në nderim të kujtimit të legjendës së futbollit shqiptar, Panajot Pano, i cili u nda nga jeta vetëm pak ditë më parë për shkak të një infarkti. Vendimi është marrë nga Federata Shqiptare e Futbollit, që nëpërmjet një deklarate zyrtare konfirmoi se “në të gjitha stadiumet shqiptare ku do të luhen ndeshjet e Kategorisë Superiore, do të mbahet një minutë heshtje. Gjithashtu, të gjitha skuadrat pjesëmarrëse në këtë aktivitet, do t’i luajnë ndeshjet e javës së 18-të me shirit të zi në krah, në shenjë respekti për humbjen e mjeshtrit të njohur”. Pano, një nga emrat më të mëdhenj të futbollit shqiptar të të gjitha kohërave, ndërroi jetë në moshën 71-vjeçare, në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ndodhej për një vizitë familjare. Më parë, kujtimi i tij ishte nderuar nga Reali i Madridit dhe Gramozi: Skuadrat luajtën me shirit të zi dhe mbajtën një minutë heshtje në kujtim të “mbretit” të futbollit shqiptar.
#