E Diel, 1 Nëntor 2026

Miqtë e Nadienit: U tmerruam, vrasësit i pamë vetëm shpinën

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 15-06-2011 11:26

Tiranë- Të frikësuar “në palcë” nga vdekja që u kaloi përbri e fatlumë që i shpëtuan atentatit, dy të plagosurit Tafë Mandri dhe Bledar Miho kanë preferuar të qëndrojnë “gojëkyçur”. Deklarimet e tyre, marrë nga grupi hetimor në mjediset e Spitalit Ushtarak duket se nuk kanë dhënë asnjë element të vlefshëm për arrestimin e personit që vrau mikun e tyre të tavolinës. Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe dy vajzat që i shoqëronin. Përveç rrethanave të ngjarjes, ato kanë pohuar se vrasësit i kanë parë vetëm shpinën. “Kemi qenë duke pirë dhe duke diskutuar mes nesh. Papritur dëgjuam krisma, që po vinim në drejtimin e tavolinës ku ishim ne. U tmerruam, pasi nuk po kuptonin se çfarë po ndodhte. Nuk arritëm të reagonin dhe as të fshiheshim, pasi gjithçka ndodhi në pak sekonda”,-ka thënë njëra prej vajzave për policinë. Sikurse edhe shoqja e vet, ajo ka shtuar se ka qenë aq e tronditur, sa nuk ka munduar të dallojë për fytyrë atentatorin.” Pasi përfunduan të shtënat, pamë një djalë të ri që po largohej me vrap. Nuk arritëm të shquanim nga fytyra, pasi ishte me shpinë. Në ato momente pamë që Nadieni ishte qëlluar dhe nuk po jepte shenja jete. Kërkuam ndihmë dhe të vetmit që erdhën, ishin punonjësit e Policisë Bashkiake, të cilët fillimisht u munduan të ndalonin gjakun dhe më pas e dërguan me urgjencë për në Spitalin Ushtarak.” – mësohet të ketë thënë njëra prej vajzave që ishte në tavolinë së bashku me Nadien Zenelin, Tafë Mandrin dhe Bledar Mihon. Ndërkohë, të pyetur në lidhje me konflikte të mundshme që Zeneli mund të ketë pasur, miqtë e tij janë shprehur se nuk kanë pasur asnjë dijeni dhe nuk kishin vënë re asnjë shqetësim tek miku i tyre. Nga ana e saj, Policia e Tiranës ka marrë në pyetje dhe të gjithë personat që ishin të pranishëm në lokalin “Baroque” në momentin e ngjarjes. Edhe dëshmitë e tyre mësohet se nuk kanë dhënë asnjë indicie që mund të çoj në identifikimin e autorit. Ashtu dhe si personat që ishin në tavolinë me viktimën, edhe ata janë shprehur se kanë dëgjuar vetëm krismat dhe nuk kanë parë autorin. Ata shtojnë se menjëherë pas krismave, kanë parë tre persona të gjakosur, ku njëri prej tyre ishte i ulur në karrige, pa shenja jete. Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit numri i të shoqëruarve në polici i ka kaluar tridhjetë, ku pas dëshmive të dhëna, ata janë lënë sërish të lirë. Përveç personave të pranishëm në lokal janë marrë në pyetje dhe ata që kanë qenë në lokale të tjera, ngjitur me vendin e ngjarjes, të cilët kanë deklaruar vetëm se kanë dëgjuar krisma dhe kanë parë një person të largohej me shpejtësi, por pa mundur të japin të dhëna që mund të çojnë në identifikimin e autorit. Ndërkohë, burime pranë grupit hetimor të ngritur për këtë ngjarje bëjnë të ditur se kamerat e sigurisë së bankës që ndodhej vetëm pak metra larg lokalit, kanë fokusuar pamje të autorit, të cilat tashmë janë duke u përpunuar për të nxjerrë më pas identitetin e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›