Dhuna më 21 Janar, dy dënime me 10 muaj burg e 180 mijë lekë gjobë
Tiranë- Gjykata e Tiranës ka nisur “ndëshkimin” e demonstruesve të dhunshëm të 21 Janarit, të cilët akuzohen për goditje dhe kundërshtim me dhunë të forcave të policisë që ishin me shërbim përreth Kryeministrisë. Pamjet filmike të mediave, por edhe filmimet e kryera nga agjentët e policisë kanë identifikuar një numër të konsiderueshëm personash, që kanë ushtruar dhunë mbi uniformat blu, një pjesë e mirë e të cilëve janë ende nën hetim. Aktualisht, organi i akuzës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjykatë 10 demonstrues, të cilët po përballen me akuzën e kundërshtimit me dhunë të punonjësve të policisë. Sipas burimeve zyrtare pranë Gjykatës së Tiranës, mësohet se dy prej demonstruesve tashmë janë dënuar për veprimet e dhunshme të 21 Janarit, pasi janë filmuar duke ushtruar dhunë dhe goditur me sende të forta punonjësit e policisë që ndodheshin para Kryeministrisë. Jetmir Prenga dhe Lefter Mice janë shpallur fajtorë nga gjykata dhe janë dënuar respektivisht me burg dhe gjobë. Gjykata ka vendosur pak ditë më parë të dënojë me 10 muaj burg Jetmir Prengën, për akuzën e kundërshtimit me dhunë të punonjësit të policisë së rendit publik në bashkëpunim. Duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, Prengës i është ulur një e treta e dënimit, masë kjo që është e barasvlefshme me kohën e paraburgimit që ai ka kryer. Për këtë arsye, Gjykata ka vendosur lirimin e tij nga qelia, duke shfuqizuar kështu edhe masën e sigurimit “arrest me burg”. I ndëshkuari i dytë për veprime të dhunshme është 35-vjeçari nga Pogradeci, Lefter Mice. Sipas gjykatës, Mice është dënuar me gjobë për të njëjtën akuzës dhe gjithashtu ka përfituar nga gjykimi i shkurtuar, duke i ulur kështu një të tretën e masës së dënimit. Fillimisht gjykata e ka dënuar 35-vjeçarin me 180 mijë lekë gjobë, ndërsa dënimi ka zbritur në masën e 120 mijë lekëve, për shkak të gjykimit të shkurtuar. Paralelisht me këto dy vendime, Gjykata e Tiranës vazhdon procesin gjyqësor edhe për të paktën 8 demonstrues të dhunshëm, për të cilët Prokuroria e Tiranës tashmë ka përfunduar hetimet. Burime të rezervuara thanë se janë të paktën 140 demonstrues të tjerë që janë duke u hetuar për ngjarjet e dhunshme të 21 Janarit, ku mbetën të vrarë katër persona dhe 7 të tjerë u plagosën me armë zjarri. Të gjithë të dyshuarit janë filmuar nga agjentët e policisë dhe kamerat e televizioneve duke goditur me sende të forta dhe gurë uniformat blu, të cilat ishin rreshtuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë Kryeministrisë. Për një pjesë të mirë të demonstruesve të dhunshëm hetimet janë drejt fundit, dhe brenda pak ditësh dosjet në ngarkim të tyre do të përfundojnë në gjykatë. Fillimisht hetimet për ngjarjet e 21 Janarit u ndanë në dy pjesë, ku grupe të ndryshme prokurorësh do të hetonin për veprimtarinë e organizatorëve të demonstratës dhe vrasjet e demonstruesve. Tashmë që kanë kaluar rreth katër muaj nga këto ngjarje, një pjesë e mirë e organizatorëve po përballen me drejtësinë, duke marrë kështu edhe ndëshkimet e parashikuara në ligj. Ndërsa hetimet për pjesën më të rëndësishme të këtyre ngjarjeve, vrasjen e katër personave dhe plagosjen e 7 të tjerëve, duket se janë ende në pikën zero. Prokuroria deri tani ka mundur të identifikojë dhe vërë në pranga vetëm një gardist, i cili dyshohet për vrasjen e Ziver Veizit, ndërsa tri vrasjet e tjera mbeten ende pa autor.