E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Ku gabuan ushtarakët e lartë me Gërdecin



Prokuroria e Përgjithshme, në 167 faqet e kërkesës për gjykim, ka detajuar me data, dokumente dhe argumentime ligjore ku gabuan ushtarakët e lartë për Gërdecin, ndonëse ata kanë deklaruar se janë shmangur nga zyrtarët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes. Për të gjithë ushtarakët e nivelit të lartë, grupi hetimor ka renditur zinxhirin bashkëpunues me Ylli Pinarin dhe të pandehur të tjerë, për rolin në kontrata, furnizim me municione dhe detaje të tjera për mjediset që ishin pronë e ushtrisë. Sipas organit qendror të akuzës, i pandehuri Shpëtim Spahiu, me gradën ushtarake Gjeneral Brigade dhe ish-komandant i Komandës së Forcës së Bashkuar (KFB), në mospërmbushje të rregullt të detyrave të tij, me synim sigurimin e përfitimeve të padrejta materiale dhe jomateriale për shoqërinë ALBADEMIL sh.p.k., në funksion të shitjes së municioneve dhe të procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të tyre ka dhënë disa urdhra, për të cilat akuzohet se ka bërë shkelje, madje duke shkaktuar miliarda lekë në dëm të interesave të shtetit dhe në favor të ALABDEMIL-it. Po sipas akuzës, edhe i pandehuri Zija Baja, me gradë ushtarake Gjeneral Brigade, ish-komandant i Komandës Mbështetëse (KM), në ushtrimin e detyrave të tij, ka kryer me dashje veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin dhe në mospërmbushje të rregullt të detyrës së tij, me synim sigurimin e përfitimeve të padrejta për shoqërinë ALBADEMIL sh.p.k. Sipas organit hetimor, ish-gjenerali Baja ka urdhëruar strukturat ushtarake vartëse për nxjerrjen nga grup-depot e KM-së municionet e kalibrave 7.62-14.5 mm dhe kryerjen e transportit të tyre për në Gërdec, pa verifikuar dhe garantuar për sigurinë dhe shmangien e ngjarjeve të jashtëzakonshme nga ky proces.

Urdhrat e ushtarakëve të lartë

I pandehuri Shpëtim Spahiu ka urdhëruar drejtues të komandave dhe strukturave vartëse të tij, për periudhën 28. 04. 2007 – 15. 06. 2007: të vënë në dispozicion të shoqërisë ALBADEMIL sh.p.k. pronën nr. 126 “Ish-Brigada e Tankeve“, Gërdec, Vorë; që të lejojë përfaqësuesit e këtij subjekti privat, të prishë objekte (ushtarake dhe civile) në inventarin e kësaj prone; të lejojë përfaqësuesit e shoqërisë ALBADEMIL sh.p.k. të kryenin punime për ndërtimin e infrastrukturës për çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve, si dhe të fillojë procesi i çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve, pa lidhur më parë kontratë qeraje me këtë subjekt dhe pa administruar asnjë dokument të nevojshëm për ndërtimin e strukturës së përkohshme industriale për çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve. Gjithashtu, Spahiu akuzohet se ka kryer veprime dhe mosveprime në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, duke iu shmangur detyrimeve për të garantuar realizimin e një procesi të sigurt në çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve të kalibrave 7.62 mm –14.5 mm në pronën nr. 126, në administrim të komandës që ai drejtonte. Këto veprime, sipas akuzës, janë kryer në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore dhe urdhrit të MM-së. Këto veprime dhe mosveprime, të kryera në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, në mospërmbushje të rregullt të detyrës, me synim sigurimin e përfitimeve të padrejta materiale dhe jomateriale të shoqërisë ALBADEMIL sh.p.k. nga dhënia pa qera të pronës nr. 126, në administrim të KFB-së, në periudhën 28. 04. 2007 – 25. 06. 2007, si dhe lejimi i prishjes së objekteve dhe ndërtimin e strukturës së përkohshme të demontimit, i kanë sjellë pasoja të rënda shtetit.

Pasojat në dëm të shtetit

Me veprimet dhe mosveprimet e tij, ish-gjenerali Shpëtim Spahiu i ka shkaktuar mjaft dëme shtetit. Sipas organit qendror të akuzës, këto dëme konsistojnë në: prona në administrim të KFB-së në vlerë 2 167 180,4 lekë, që përfaqëson: vlerën 81 396 lekë të 5 objekteve të prishura, me sipërfaqe të përgjithshme 296 m2, në inventarin e kësaj prone dhe të materialeve të shkatërruara në terrenet sportive; si dhe vlerën 2 085 784.4 lekë të qerasë së papaguar nga shoqëria ALBADEMIL sh.p.k. për sipërfaqen 9834 m2 të truallit dhe sipërfaqen 743 m2 të objekteve të shfrytëzuara prej kësaj shoqërie në periudhën e përmendur më sipër. Gjithashtu, ky i pandehur ka lejuar shoqërinë ALBADEMIL të ndërtojë strukturën e përkohshme industriale për çmontim dhe çmilitarizim të municioneve në një zonë të pronës nr. 126, afër qendrës së banuar, zonë në të cilën nuk sigurohej mundësia e marrjes së masave të plota për eliminimin e ngjarjeve të jashtëzakonshme, si dhe ka lejuar magazinimin e municioneve dhe nënprodukteve të nxjerra nga çmontimi dhe çmilitarizimi i municioneve në pronën në administrim të tij jashtë standardeve të licencimit. Ky veprim, i kryer prej tij, në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, në mospërmbushje të rregullt të detyrës, me synim përfitimin e padrejtë të shoqërisë ALBADEMIL, i ka sjellë pasoja të rënda shtetit dhe interesave të ligjshme të shtetasve, duke mos garantuar shmangien e ngjarjeve të jashtëzakonshme për jetën, shëndetin dhe pasuritë publike e private në rajonin e komunës Gërdec e më gjerë, sepse është mundësuar që subjektet demontuese të kryejnë një proces të pasigurt, rezultat i të cilit ishte mbajtja nga shoqëria ALBADEMIL sh.p.k. të depozituar e sasisë 404.8 tonë barut, në ato ambiente, deri në datën e shpërthimit, 15. 03. 2008, çka ka ndikuar në rritjen e nivelit të pasojave të ardhura nga kjo ngjarje. Për këto fakte kriminale, i pandehuri Shpëtim Spahiu ka kryer veprën penale ushtarake “Shpërdorimi i detyrës”, nga kuadri komandues, parashikuar nga neni 70/2 i K. P. Ushtarak.

Dëmet për pronën në administrim të KFB-së, me vlerën 2 167 180,4 lekë

* Vlera 81 396 lekë të 5 objekteve të prishura, me sipërfaqe të përgjithshme 296 m2, në inventarin e kësaj prone dhe të materialeve të shkatërruara në terrenet sportive;

* Vlera 2 085 784.4 lekë të qerasë së papaguar nga shoqëria ALBADEMIL sh.p.k. për sipërfaqen 9834 m2 të truallit dhe sipërfaqen 743 m2 të objekteve të shfrytëzuara prej kësaj shoqërie në periudhën e përmendur më sipër.

Detaj

404.8 tonë barut, të depozituar në Gërdec, solli pasojat e larta pas shpërthimit më 15 mars 2008

Bashkëpunimi me të pandehurit e tjerë

I pandehuri Shpëtim Spahiu, në bashkëpunim me të pandehurin Shkëlzen Madani, ish-drejtor i DMIMB-së, me synim realizimin e përfitimeve të padrejta të shoqërisë ALBADEMIL sh.p.k., ka dhënë me qira sipërfaqen e truallit 200 m2 në pronën nr. 126, me kontratën e qerasë nr. 4342/1, datë 26. 06. 2007, të lidhur ndërmjet KFB-së, përfaqësuar prej tij dhe qeramarrësit “kontraktori” shoqëria ALBADEMIL sh.p.k., përfaqësuar nga i pandehuri Mihal Delijorgji. Gjithashtu, në bashkëpunim me të pandehurin Shkëlzen Madani, me autorizimin e tij nr. 4285/1, datë 27. 06. 2007 “Autorizim për lidhje kontrate me shoqërinë ALBADEMIL sh.p.k.” ka dhënë me qera sipërfaqen e një objekti 66.5 m2, me kontratën e qerasë nr. 4342/3, datë 26. 06. 2007, të lidhur ndërmjet tij si përfaqësues i KFB-së dhe të pandehurit Mihal Delijorgji, si përfaqësues i ALBADEMIL sh.p.k. Në lidhjen e këtyre kontratave të firmosura në zyrën e tij, janë kryer veprimet e kundraligjshme si: kontratat e qerasë për truallin dhe objektin e përmendur më sipër janë lidhur me subjektin “kontraktor” shoqërinë ALBADEMIL, të paautorizuar nga urdhri i MM-së nr. 550, datë 25. 04. 2007, i vendosur si mbështetje ligjore në lidhjen e kësaj kontrate; lidhja e kontratave është bërë pa pasur grafik kohor, gent-plan/planimetri të miratuar prej tij dhe nga organi i qeverisjes vendore, si dhe pa pasur leje ndërtimi për strukturën e përkohshme; kontrata për sipërfaqen 66.5 m2 objekt i është dhënë të njëjtit subjekt mbi sipërfaqen e lejuar pa konkurrim. Sipas grupit hetimor, këto veprime janë kryer në shkelje të akteve ligjore, nënligjore dhe urdhrit të MM-së, siç janë: urdhri i MM-së nr. 550, datë 25. 04. 2007 “Për zbatimin e vendimit nr. 138, datë 14. 03. 2007 të Këshillit të Ministrave “Për procedurën e trajtimit të armeve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi” për sa i përket shitjes për çmontim dhe çmilitarizim të një sasie municioni”, pika 1 dhe 4 gërma “b”. Veprimet e kryera prej tij në bashkëpunim, në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, në mospërmbushje të rregullt të detyrës, me synim realizimin e përfitimeve të padrejta të shoqërisë ALBADEMIL sh.p.k., kanë sjellë pasoja interesave të shtetit dhe interesave të ligjshme të shtetasve nga dhënia pa konkurrim e sipërfaqes së objektit 66.5 m2, si dhe pa pasur grafik kohor, gent-plan/planimetri të miratuar, çka lidhej me caktimin e vendit të demontimit për të garantuar sigurinë e procesit nga ngjarjet e mundëshme të jashtëzakonshme. Për këtë fakt kriminal, sipas akuzës, të pandehurit Shpëtim Spahiu dhe Shkëlzen Madani kanë kryer veprën penale ushtarake “Shpërdorimi i detyrës”, nga kuadri komandues, parashikuar nga neni 70/2 e 2 të K. P. Ushtarak dhe 25 i K. Penal. Gjithashtu, i pandehuri Spahiu, edhe pas lidhjes së kontratave, në periudhën 26. 06. 2007 – 25. 10. 2007, ka lejuar shoqërinë ALBADEMIL sh.p.k., të shfrytëzojë sipërfaqen 10310,5 m2 të pronës nr. 126, të pakontraktuar. Këto veprime janë kryer në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore dhe urdhrit të MM-së, siç janë: vendimi i KM-së nr. 162, datë 7. 03. 2007 “Për dhënien me qera ose emfiteozë të pasurive të ndërmarrjeve, shoqërive dhe institucioneve shtetërore” kreu I, pika 1; urdhri i MM-së nr. 729, datë 16. 05. 2007 “Për dhënien me qera ose emfiteozë të pronave mbi e nëntokësore në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes”, pikat 1, 3, 5. Këto veprime dhe mosveprime, të kryera në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, në mospërmbushje të rregullt të detyrës, me synim sigurimin e përfitimeve të padrejta materiale dhe jo materiale të shoqërisë ALBADEMIL sh.p.k. nga dhënia e të drejtës së shfrytëzimit të territorit në pronën nr. 126, në administrim të KFB-së, në periudhën 26. 06. 2007 – 25. 10. 2007, pa konkurrim, në mungesë të dokumentacionit ligjor dhe mbi sipërfaqen e dhënë me qira, ka sjellë pasojë të rëndë dëmtimin e interesave të shtetit, pronës në administrim të KFB-së në vlerë 4 206 684 lekë. Për këtë fakt kriminal, i pandehuri Shpëtim Spahiu ka kryer veprën penale ushtarake “Shpërdorimi i detyrës”, nga kuadri komandues, parashikuar nga neni 70/2 i K. P. Ushtarak.

Roli i Ylli Pinarit

Referuar hetimit të Prokurorisë së Përgjithshme, i pandehuri Ylli Pinari, në cilësinë e përfaqësuesit të ndërmarrjes MEICO, në vijim të kësaj veprimtarie kriminale të kryer në bashkëpunim me të pandehurit e tjerë, me synim realizimin e përfitimeve të padrejta materiale dhe jomateriale të shoqërisë ALBADEMIL sh.p.k., nëpërmjet shoqërisë SAC inc, në bashkëpunim me të pandehurën Juliana Margariti kanë lidhur dhe zbatuar kontratën nr. 1, datë 06. 06. 2007, me këtë shoqëri të huaj për shitjen e municioneve me gëzhojë tunxhi, të kalibrave 7.62 mm – 14.5 mm, për çmontimin dhe çmilitarizimin e tyre brenda vendit. Në harmoni me veprimtarinë e kundraligjshme, që lidhet me përgatitjen dhe miratimin e urdhrit të MM-së nr. 550, datë 25. 04. 2007, lidhja e kontratës me SAC është kryer, pa qenë subjekt i së drejtës tregtare shqiptare i regjistruar në gjykatë dhe në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, si dhe pa qenë subjekt i tatueshëm. Në këtë aspekt, ky veprim është kryer në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore. Me këtë veprim, të kryer në bashkëpunim, në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, në mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë sjellë pasojë përfitime materiale të padrejta për shoqërinë SAC inc. Gjithashtu, kanë sjellë dëmtim të interesave materiale të shtetit në vleftë 4 425 USD (408 870 lekë), shumë e cila përfaqëson detyrimin tatimor të papaguar të kësaj shoqërie, duke sjellë përfitimin materiale të padrejta në të njëjtën vlerë shoqërisë SAC inc. Të pandehurit e mësipërm, në bashkëpunim, kanë lidhur kontratën nr. 1, datë 06. 06.2007, me shoqërinë e huaj SAC inc, për llogari të shoqërisë ALBADEMIL sh.p.k., në mungesë të lejes mjedisore dhe të certifikatës së konformitetit, e cila do të siguronte realizimin e procesit të demontimit sipas standardeve. Ky veprim është kryer në paramendim të faktit se ky aktivitet do të zhvillohej nga shoqëria ALBADEMIL. Me këtë veprim, të kryer në bashkëpunim, në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, në mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë sjellë pasoja: përfitimin e padrejtë jomaterial të shoqërisë ALBADEMIL sh.p.k., nëpërmjet shoqërisë SAC inc, për shkak të dhënies së kundërligjshme të së drejtës për blerjen e municioneve dhe realizimin e aktivitetit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municionit, në mungesë të verifikimit të ndikimit në mjedis të këtij aktiviteti, pra në mungesë të lejes mjedisore, si dhe ka sjellë mosgarantimin e të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve, për shmangien e ngjarjeve të jashtëzakonshme për jetën, shëndetin dhe pasurinë publike e private në rajonin e Komunës Gërdec e më gjerë. Kjo, sepse i kanë hapur rrugë kryerjes së një procesi të pagarantuar për respektimin e standardeve të sigurisë nga shoqëria ALBADEMIL sh.p.k. Të pandehurit kanë lidhur kontratën nr. 1, datë 06. 06.2007, me shoqërinë e huaj SAC inc, pa pasur asnjë dokument që të vërtetonin: licencën për mbajtjen e municioneve, përvojën dhe llojin e teknologjisë së kësaj shoqërie në fushën e armatim municioneve dhe të çmontimit e çmilitarizimit të tyre, si dhe përvojën në këtë fushë të shoqërisë shqiptare që ajo do të kontraktonte për kryerjen e këtij procesi. Gjithashtu, kjo kontratë është lidhur pa pasur asnjë dokument për të verifikuar dhe vlerësuar respektimin e masave të sigurisë gjatë procesit të çmontimin dhe çmilitarizimit të municioneve që formalisht u mor përsipër për t’u kryer nga shoqëria SAC inc, por që u realizua nga shoqëria ALBADEMIL sh.p.k., si dhe në mungesë të një projekti të detajuar demilitarizimi si kushte të domosdoshme për fillimin e aktivitetit te çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve. Me këtë veprim, të kryer në bashkëpunim, në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, në mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë sjellë pasojë mosgarantimin e të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve, për shmangien e ngjarjeve të jashtëzakonshme për jetën, shëndetin dhe pasurinë publike e private në rajonin e Komunës Gërdec e më gjerë, pasi i ka hapur rrugë kryerjes së një procesi të pa garantuar për respektimin e standardeve të sigurisë nga shoqëritë SAC inc dhe ALBADEMIL sh.p.k. Gjithashtu, kanë sjellë pasojë përfitimin e padrejtë jomaterial të shoqërisë ALBADEMIL sh.p.k., nëpërmjet shoqërisë SAC inc, për marrjen e paligjshme dhe në shkelje të standardeve të sigurisë, të së drejtës për ushtrimin e kësaj veprimtarie biznesi. Kanë lidhur kontratën e mësipërme, me shoqërinë e huaj SAC inc, pa parashikuar pagimin e shpenzimeve të transportit të municioneve nga grup-depot në Gërdec në ngarkim të shoqërive SAC inc dhe ALBADEMIL sh.p.k. Ky veprim i kundraligjshëm i të pandehurve është në përmbushje të synimit për të siguruar përfitime të padrejta për shoqërinë ALBADEMIL sh.p.k., nëpërmjet shoqërisë SAC inc, synim i cili është vendosur në dhjetor të vitit 2006, sikurse është argumentuar më sipër në këtë kërkesë për gjykim, si dhe në harmoni me të gjithë procesin e mëparshëm vendimmarrës të kundraligjshëm të kryer nga të pandehurit e punësuar në strukturat përkatëse të Ministrisë së Mbrojtjes.

Dokumentet që i mungonin SAC-së në lidhjen e kontratës

* Licenca për mbajtjen e municioneve;

* Përvoja dhe lloji i teknologjisë së kësaj shoqërie në fushën e armatim-municioneve dhe të çmontimit e çmilitarizimit të tyre;

* Përvoja në këtë fushë të shoqërisë shqiptare që ajo do të kontraktonte për kryerjen e këtij procesi.

Shkeljet në lidhjen e kontratave, bashkëpunimi

Të pandehurit në bashkëpunim kanë lidhur kontratën nr. 1, datë 06. 06.2007, me shoqërinë e huaj SAC inc, në mungesë të parashikimeve për penalitete, sanksione apo dëmshpërblime, si dhe pa e miratuar nga Avokati i Shtetit, veprime të cilat janë në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore. Me këtë veprim, të kryer në bashkëpunim, në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, në mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë sjellë si pasojë përfitim të padrejtë jomaterial shoqërisë SAC inc dhe shoqërisë ALBADEMIL sh.p.k., për shkak të një pozite favorizuese juridike, si palë kontrakuale, për blerjen e municioneve dhe realizimin e aktivitetit të çmontimit dhe çmilitarizimit të tyre. Sipas akuzës, të pandehurit kanë lidhur kontratën nr. 1, datë 06. 06.2007, me shoqërinë e huaj SAC inc, në pikën 1, “Objekti i kontratës” pa përcaktuar saktë sasitë fishekëve me gëzhojë tunxhi (kalibër 7.62 mm afërsisht 100 milion copë, kalibër 12.7 mm afërsisht 20 milion copë dhe kalibër 14.5 mm afërsisht 20 milion copë), megjithëse e dinin sasinë ekzakte të gjendjes së tyre, që ishte: kalibër 7.62 mm 53 093 108 copë, kalibër 12.7 mm 4 264 155 copë dhe kalibër 14.5 mm 3 587 566 copë. Ndërsa, në pikën 2 të kontratës “Çmimi, sasia dhe vlera” kanë vendosur sasitë fikse maksimale të shitjes - kalibër 7.62 mm 100 milion copë, kalibër 12.7 mm 20 milion copë dhe kalibër 14.5 mm 20 milion, megjithëse e dinin, siç u trajtua më sipër, që këto sasi fishekësh të kalibrave të kërkuar me gëzhojë nuk ishin gjendje në depot ushtarake të FA-së. Sipas kësaj pike të kontratës, vlera e përgjithshme e të ardhurat nga shitja e municioneve të këtyre kalibrave me gëzhojë tunxhi është parashikuar 1 611 200 USD ose në vlerë 148 955 440 lekë, megjithëse që në momentin e lidhjes së saj, për të pandehurit, dihej se realizimi i kësaj kontrate do të ishte 53.9 % për fishekët e kalibrit 7. 62 mm, 21.3 % për fishekët e kalibrit 12.7 dhe 17.9% për fishekët e kalibrit 14.5 mm. Me këtë veprim, të kryer në bashkëpunim, në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, në mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë sjellë pasojë çrregullime të rëndësishme në veprimtarinë e ndërmarrjes MEICO në këtë marrëdhënie kontraktore, që kanë pasuar me çrregullime të rëndësishme në strukturat ushtarake të FA-së. Për faktet e përmendur më sipër, të pandehurit Ylli Pinari dhe Juliana Margariti, në bashkëpunim, kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga nenet 248 e 25 të K. Penal. I pandehuri Shpëtim Spahiu, në cilësinë e kuadrit komandues dhe përfaqësuesit të KFB-së, në bashkëpunim me të pandehurin Ylli Pinari, përfaqësues i ndërmarrjes MEICO, kanë rënë dakord dhe nënshkruar aktmarrëveshjen, nr. 4343, datë 26. 06. 2007, për të drejtat dhe detyrimet e KFB-së dhe MEICO-s, në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, në raport me procesin e çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve, që do të kryhej në “Ish-Brigadën e Tankeve”, Gërdec, duke parashikuar veç të tjerave, në nenin 3 pika 5, pika 6, paragrafët tre dhe katër, që ndërmarrja MEICO: të sigurojë ruajtjen e depove të municionit, linjës teknologjike të çmontimit dhe çmilitarizimit, si dhe nënprodukteve të tyre; të mbajë dokumentacionin ditor dhe mujor për procesin e çmontimit dhe çmilitarizimit si dhe; të përpilojë konformmarrje të sasisë së municionit të çmontimit dhe çmilitarizimit. Me këtë veprim, të kryer në bashkëpunim, në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, në mospërmbushje të rregullt të detyrës, me synim sigurimin e përfitimeve të padrejta nga shoqëria ALBADEMIL sh.p.k., kanë sjellë pasoja të rënda në dëm të interesave të shtetit dhe interesave të ligjshme të shtetasve, duke mos garantuar shmangien e ngjarjeve të jashtëzakonshme për jetën, shëndetin dhe pasuritë publike e private në rajonin e Komunës Gërdec e më gjerë. Kjo, sepse duke shmangur strukturat ushtarake të KFB-së nga mbikëqyrja e sigurisë së këtij procesi për çmontimin dhe çmilitarizimin në Gërdec, kanë lejuar që subjektet demontuese të kryejnë një proces të pasigurt, rezultat i të cilit ishte mbajtja nga shoqëria ALBADEMIL të depozituar e sasisë 404.8 tonë barut, në ato ambiente, deri në datën e shpërthimit, 15. 03. 2008, çka ka ndikuar në rritjen e nivelit të pasojave të ardhura nga kjo ngjarje. Për këtë fakt kriminal, të pandehurit Shpëtim Spahiu dhe Ylli Pinari kanë kryer veprën penale ushtarake “Shpërdorimi i detyrës”, nga kuadri komandues, parashikuar nga neni 70/2 e 2 të K. P. Ushtarak dhe 25 i K. Penal. I pandehuri Spahiu ka kryer veprime dhe mosveprime në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore, në dorëzimin ndërmarrjes MEICO të municioneve për shitje për çmontim dhe çmilitarizim. Me urdhrat e tij nr. 491, datë 26.07.2007 “Për dorëzim municioni” dhe nr. 523, datë 2.08.2007 “Për dorëzim municioni”, ka urdhëruar strukturat ushtarake vartëse të dorëzojnë për çmontim dhe çmilitarizim municione të kalibrave 7. 62 mm, 12.7 mm dhe 14.5 mm, të cilët ishin municione mbi kompletimin organik, të pa verifikuara dhe vlerësuara nga Komisioni i Posaçëm për Kategorizimin e Pajisjeve për daljen nga armatimi dhe përdorimi dhe pa specifikuar të dhënat e kompletimit (partia, viti, uzina), sasitë dhe pa specifikimet e tjera për secilin kalibër, të domosdoshme për të bërë të kuptueshëm dhe të zbatueshëm këtë urdhërim. Këta urdhra janë nxjerrë prej tij, në zbatim të urdhrit të MM-së nr. 1208, datë 19.07.2007 “Për zbatimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 138, datë 14.03.2007 “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi” për sa i përket shitjes për çmontim dhe çmilitarizim të një sasie municioni”. Me këtë veprim, të kryer prej tij në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, në mospërmbushje të rregullt të detyrës, me synim përfitimin e padrejtë të shoqërisë ALBADEMIL, nga dhënia e municioneve me gëzhojë tunxhi të pa dala nga armatimi e përdorimi, ka sjellë si pasojë dëmtimin e interesave të shtetit, duke krijuar çrregullime të rëndësishme në veprimtarinë e KFB-së, lidhur administrimin e municioneve, me nxjerrjen nga armatimi dhe përdorimi të municioneve, si dhe më pas, mostrajtimin e tyre në interesin më të mirë të shtetit. Për këto fakte, i pandehuri Shpëtim Spahiu ka kryer veprën penale ushtarake “Shpërdorimi i detyrës”, nga kuadri komandues, parashikuar nga neni 70/2 i K. P. Ushtarak.

Somario

Sipas kësaj pike të kontratës, vlera e përgjithshme e të ardhurat nga shitja e municioneve të këtyre kalibrave me gëzhojë tunxhi është parashikuar 1 611 200 USD ose në vlerë 148 955 440 lekë, megjithëse që në momentin e lidhjes së saj, për të pandehurit dihej se realizimi i kësaj kontrate do të ishte 53.9% për fishekët e kalibrit 7. 62 mm, 21.3% për fishekët e kalibrit 12.7 dhe 17.9% për fishekët e kalibrit 14.5 mm

Roli i të pandehurit Zija Baja

I pandehuri Zija Baja, me gradë ushtarake Gjeneral Brigade, ish-komandant i Komandës Mbështetëse (KM), në ushtrimin e detyrave të tij, ka kryer me dashje veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin dhe në mospërmbushje të rregullt të detyrës së tij, me synim sigurimin e përfitimeve të padrejta për shoqërinë ALBADEMIL, sh.p.k. Sipas organit hetimor, ka urdhëruar strukturat ushtarake vartëse për nxjerrjen nga grup-depot e KM-së të municioneve e kalibrave 7.62 – 14.5 mm dhe kryerjen e transportit të tyre për në Gërdec, pa verifikuar dhe garantuar për sigurinë dhe shmangien e ngjarjeve të jashtëzakonshme nga ky proces. Ka nxjerrë urdhrin nr. 1648/1, datë 08. 05. 2007, “Për dorëzim municioni ndërmarrjes MEICO”, pa pasur një grafik të përbashkët lidhur me sasitë e lëvizjes së municioneve dhe grafikun e transportit me ndërmarrjen MEICO, si dhe nuk ka lidhur kontratë/akt-marrëveshje me këtë ndërmarrje për mbulimin e shpenzimeve të transportit prej saj, për t’iu faturuar shoqërisë ALBADEMIL sh.p.k. Me këto veprime dhe mosveprime, të kryera prej tij, në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, në mospërmbushje të rregullt të detyrës, me synim përfitimin material të padrejtë të shoqërisë ALBADEMIL sh.p.k., ka sjellë pasojë dëmtimin e interesave të ligjshme ekonomike të shtetit në vlerën 35 389 246 lekë, si dhe ka sjellë dëmtimin e interesave te ligjshme te shtetasve, duke mos garantuar në këtë mënyrë të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve lidhur me jetën, shëndetin dhe pasurinë publike e private ne rajonin e Gërdecit nga depozitimi i municioneve të dërguara që kanë qenë burim rreziku i shtuar për ngjarje të jashtëzakonshme. Rezulton e provuar sipas akuzës se i pandehuri Spahiu ka urdhëruar verbalisht kryerjen e transportit të municioneve të kalibrave 7.62 – 14.5 mm të (KFB), duke mos lidhur kontratë/akt-marrëveshje me KFB-së dhe MEICO-n, për të parashikuar grafikun e transportit të municioneve dhe shpenzimet e transportit. Me këto veprime dhe mosveprime të kryera prej tij, në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, në mospërmbushje të rregullt të detyrës, me synim realizimin e përfitimit të shoqërive ALBADEMIL sh.p.k. dhe SAC inc, ka sjellë pasojë dëmtimin e interesave të ligjshme ekonomike të shtetit në vlerën 997 623 lekë. Ka urdhëruar nxjerrjen e municioneve kalibër 8 mm nga grup-depot e KM-së dhe kryerjen e transportit të tyre për në Gërdec, duke nxjerrë urdhrin nr. 3761/1, datë 20. 09. 2007 ”Për dorëzim municioni ndërmarrjes MEICO”, në mungesë të një grafiku të përbashkët me ndërmarrjen MEICO dhe duke mos parashikuar përballimin e shpenzimeve të transportit në lidhjen e kontratës/akt-marrëveshje të transportit me ndërmarrjen MEICO. Me këto veprime dhe mosveprime, të kryera prej tij, në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, në mospërmbushje të rregullt të detyrës, me synim përfitimin material të padrejtë nga shoqëritë ALBADEMIL sh.p.k. dhe SAC inc. ka sjellë si pasojë dëmtimin e interesave të ligjshme ekonomike të shtetit në vlerën 49 046 lekë, si dhe ka sjellë dëmtimin e interesave te ligjshme te shtetasve, duke mos garantuar në këtë mënyrë të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve lidhur me jetën, shëndetin dhe pasurinë publike e private në rajonin e Gërdecit nga depozitimi i municioneve të dërguara që kanë qenë burim rreziku i shtuar për ngjarje të jashtëzakonshme. Për këtë fakte, i pandehuri Zija Baja ka kryer veprën penale ushtarake “Shpërdorimi i detyrës”, nga kuadri komandues, parashikuar nga neni 70/2 i K. P. Ushtarak.

Pinari e Margariti, kontratë me SAC-në pa qenë subjekt tregtar i regjistruar

Dëmet sjellë shtetit, 1.7 miliardë lekë. Shuma kaloi në favor të ALBADEMIL-it

Në realizimin e synimeve të kësaj veprimtarie kriminale, ashtu si në procesin administrativ të përgatitjes dhe miratimit të urdhrave dhe kontratave, edhe në procesin e zbatimit të kontratës nr. 1, datë 06. 06.2007, me shoqërinë e huaj SAC inc, për llogari të shoqërisë ALBADEMIL sh.p.k., i pandehuri Ylli Pinari, në bashkëpunim me të pandehurën Juliana Margariti kanë kryer veprime në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore në mospërmbushje të rregullt të detyrës. Sipas grupit hetimor, me këtë veprim, të kryer në bashkëpunim, në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, në mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë sjellë pasojë dëmtimin e interesave të ligjshme ekonomike të shtetit në vlerën 17 531 056,19 lekë, si dhe kanë sjellë përfitim material të padrejtë për shoqërinë ALBADEMIL në të njëjtën vlerë. Në bashkëpunim me Ylli Pinarin, ish-drejtor i ndërmarrjes MEICO, ka lidhur dhe zbatuar kontratën nr. 1, datë 06. 06.2007 me kompaninë “Southern Ammunition Company Inc” (SAC), për shitjen e municioneve me gëzhojë tunxhi, të kalibrave 7.62 mm – 14.5 mm për çmontim dhe çmilitarizim brenda vendit, pa qenë subjekt i së drejtës tregtare shqiptare i regjistruar në gjykatë dhe në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, si dhe pa qenë subjekt i tatueshëm. Gjithashtu, ka bërë faturimin e municioneve në zbatim të kësaj kontrate, duke përpiluar faturat tatimore për shitjen e municioneve sikur janë përpiluar për subjektin ALBADEMIL, në një kohë që kontratat për shitjen e municioneve janë lidhur me subjektin SAC. Me këtë veprim, të kryer nga të pandehurit në bashkëpunim, në mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë sjellë pasojë përfitime jomateriale të padrejta për shoqërinë SAC pas të cilës ishte shoqëria ALBADEMIL. Kjo, sepse ka favorizuar shoqërinë SAC, e cila nuk ka pasur personalitet juridik për të zhvilluar aktivitet tregtar në Republikën e Shqipërisë. Gjithashtu, ka sjellë dëmtimin e interesave materiale të shtetit, nga kontrata e parë, në vleftë 4 425 USD (408 870 lekë), shumë e cila përfaqëson mospagimin e detyrimeve tatimore prej kësaj shoqërie, si dhe ka sjellë përfitimin e padrejtë material të kësaj shoqërie në po këtë shumë.

Bashkëpunimi

Sipas kërkesës për gjykim, me urdhrin nr. 2588/F, datë 22. 11. 2007, në bashkëpunim, kanë bërë dalje për çmontim dhe çmilitarizim për shoqërinë ALBADEMIL sh.p.k., sasinë e 500 000 fishekëve, kalibër 7.62 mm, të kategorizuar për shitje si municion luftarak, me çmim 0,022 $/copa, pa pasur vendim të Komisionit të Miratimit të Çmimeve dhe pa pasur vendim të Komisionit të Kategorizimit të Pajisjeve dhe Teknikës, si dhe nuk kanë bërë arkëtimin e vlerës së tyre në shumën 13 200 $USA, megjithëse me datë 30. 10. 2007 kishte përfunduar rakordimi me kontraktorin për zbatimin e kontratës nr. 1, datë 6. 06. 2007. Me këtë veprim, të kryer në bashkëpunim, në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, në mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë sjellë pasojë dëmtimin e interesave të ligjshme ekonomike të shtetit në vlerën 13 200 $USA ose 1 108 800 lekë, si dhe kanë sjellë përfitimin material të padrejtë nga shoqëria ALBADEMIL sh.p.k. në të njëjtën vlerë. Në bashkëpunim, nuk kanë llogaritur dhe faturuar ambalazhet e municioneve, që i janë shitur shoqërisë ALBADEMIL sh.p.k., në procesin e zbatimit të kontratës nr. 1, datë 06. 06.2007. Ky veprim është kryer në shkelje të ligji nr. 6942, datë 25. 12. 1984 “Për administrimin, ruajtjen, dokumentimin dhe qarkullimin e vlerave materiale e monetare”, neni 12. Me këtë veprim, të kryer në bashkëpunim, në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, në mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë sjellë pasojë dëmtimin e interesave të ligjshme ekonomike të shtetit në vlerë 5 491 173,60 lekë, si dhe kanë sjellë përfitimin material të padrejtë të shoqërisë ALBADEMIL sh.p.k. në vlerë të njëjtë. Me këtë veprim, të kryer në bashkëpunim, në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, në mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga moslidhja e kontratës dhe mosvjelja e qerasë për shfrytëzimin e truallit dhe të ndërtesave në territorin në administrim të ndërmarrjes MEICO, në ish-Brigadën e Tankeve në Gërdec, kanë sjellë pasoja të rënda dëmtimin e interesave të ligjshme të shtetit, në vlerë 2 278 620,5 lekë, si dhe kanë sjellë përfitimin material të padrejtë në të njëjtën vlerë për shoqërinë ALBADEMIL, sh.p.k. Në përfundim të kësaj kontrate, me datë 30. 10. 2007 është bërë akti i rakordimit ndërmjet shoqërisë ALBADEMIL sh.p.k. dhe ndërmarrjes MEICO. Pas këtij rakordimi, e pandehura Juliana Margariti. në bashkëpunim, ka bërë faturën përmbledhëse tatimore të shitjes së municioneve nr. 181, datë 1. 11. 2007, nga ku rezulton se ndërmarrja MEICO nga kjo kontratë ka realizuar të ardhura në vlerë 97 146 150,2 lekë. Sipas kontratës nr. 1, datë 6. 06. 2007, në pikën 3, “Kushtet e pagesës”, është parashikuar që blerësi të paguajë mallrat çdo muaj pas dërgimit të municionit në ambientet e Gërdecit. Është provuar se në shkelje të kësaj pike të kontratës, pagesat nuk janë kryer çdo muaj dhe as në përfundim të kësaj kontrate, por janë paguar me datë 17 mars 2008, dy ditë pas ngjarjes tragjike në Gërdec. Me këtë veprim, të kryer nga të pandehurit, në bashkëpunim, në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, në mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë sjellë pasojë dëmtimin e interesave të ligjshme ekonomike të shtetit, të ndërmarrjes MEICO, në moslëvrimin në kohë të të ardhurave në vlerë 97 146 150,2 lekë nga shitjet e municioneve, si dhe kanë sjellë përfitimin material të padrejtë për shoqërinë ALBADEMIL sh.p.k. në të njëjtën vlerë. Për faktet e sipërpërmendura, të pandehurit Ylli Pinari dhe Juliana Margariti kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 e 25 të K. Penal.

Somario

Është provuar se në shkelje të kësaj pike të kontratës, pagesat nuk janë kryer çdo muaj dhe as në përfundim të kësaj kontrate, por janë paguar me datë 17 mars 2008, dy ditë pas ngjarjes tragjike në Gërdec

Detaje

97 146 150,2 lekë është shuma e palëvruar në kohë, e ardhur nga shitjet e municioneve, duke sjellë përfitimin material të padrejtë për shoqërinë ALBADEMIL sh.p.k. në të njëjtën vlerë

5 491 173,60 lekë është vlera e dëmit që nga bashkëpunimi mes të pandehurve ka sjellë pasojë dëmtimin e interesave të ligjshme ekonomike të shtetit, si dhe ka sjellë përfitimin material të padrejtë të shoqërisë ALBADEMIL sh.p.k. në vlerë të njëjtë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›