Universitetet, brenda datës 15 shtator emrat e fituesve
Zirina Llambro
Emrat e fituesve në universitete pritet të shpallen javën që vjen. Ministria e Arsimit sqaron se procesi është vonuar për shkak të rivlerësimit të tezave. Por ata garantojnë se brenda datës 15 shtator listat do të jenë afishuara në të gjitha shkollat e larta e të mesme. “Sot ka filluar veçimi, pra lidhja e emrit me pikët dhe përfundimisht jepen vlerësimet. Po punohet për nxjerrjen e listës së fituesve sipas degëve”, u shpreh dje drejtori i sistemit parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Vejsiu. Ndërkaq ai shpjegoi edhe procedurat që do të ndjekin maturantët pas shpalljes së listave të fituesve. “Pas shpalljes së listave fillon regjistrimi paraprak me një afat kohor të përcaktuar, jo më shumë se një javë. Pas përfundimit të regjistrimeve bëhet bilanci i vendeve vakantë, çka nuk do të thotë se bëhen shtesa artificiale, por shtesat bëhen duke i ngjitur nga poshtë lart. Nëse në preferencën e parë një kandidat është djegur për pak pikë dhe krijohet një vend bosh, ai mund të futet në varësi të kuotave të mbetura bosh”, tha Fatmir Vejsiu. Parimi i meritë-preferencës do të aplikohet edhe këtë vit në përzgjedhjen e fituesve. Ata që kanë grumbulluar më shumë pikë nga komponentët e maturës shtetërore. Në vartësi të kuotave do të bëhet renditja përkatëse. Por ndërsa viti i ri akademik nis për pak javë, universitetet vijojnë të mbeten vend numëro në infrastrukturë e cilësi mësimdhënie.
Akreditimi
Asnjë nga universitetet publike të vendit nuk lëshon diploma që mund të njihen jashtë vendit. Kjo pasi ndonëse ka më shumë se 3 vjet që flitet për matje të standardeve dhe akreditimin e tyre, në këtë drejtim është bërë pak gjë. I vetmi universitet që i ka hyrë kësaj rruge është ai i Tiranës, por afatet e datat fikse shtyhen gjithnjë. Mosplotësimi i standardeve sipas kritereve të Kartës së Bolonjës, i bën të pavlefshme diplomat për tregun evropian të punës. Me këtë problem ndeshet çdo student që kërkon punë jashtë. Nga sa përcakton ligji i arsimit të lartë, shkollat e larta kanë 5 vjet kohë për të plotësuar standardet e kërkuara sipas Bolonjës. Pas këtij afati, ata duhet t’i nënshtrohen procesit të akreditimit. Kryetari i Konferencës së Rektorëve, Jorgaq Kacani, i ka kërkuar qeverisë rinisjen e procedurave për akreditimin e shkollave të larta, pas dështimit të projektit të parë. “Duhet një skemë e re sipas së cilës universitet të kenë mundësi të akreditohen dhe të masin cilësinë e diplomave që lëshojnë”, është shprehur Kacani. Në Shqipëri janë 11 universitete publike dhe mbi 22 private. Procesi i Akreditimit quhet i plotë, nëse ata plotësojnë të gjitha standardet, ku me kryesorët janë staf me tituj e grada pedagogësh, programe cilësore, ambjente dhe bazë materiale sipas numrit të studentëve.
Universiteti kërkon godinë borxh, këtë vit ulen 4 mijë studentë
DURRES - Universiteti “Aleksandër Moisiu” jep alarmin. Ai kërkon borxh nga Drejtoria Arsimore e Durrësit dhe Ministria e linjës, një shkollë të mesme, pasi godina ekzistuese nuk i përballon më se 4 mijë studentët e regjistruar, edhe në qoftë se aty mësimi kryhet me tre turne. Por lajmi i keq është se edhe gjimnazet janë në ditë të vështirë, pasi Durrësi i dyndjeve të mëdha demografike e ka rritur ndjeshëm kërkesën për arsimin e mesëm. Drejtoria Arsimore e ka hedhur poshtë në mënyrë kategorike këtë kërkesë, duke mos “bërë kurban” për universitetin asnjë shkollë të mesme. Në vitin akademik 2009-2010 “Aleksandër Moisiu” ka të regjistruar mbi 4,000 studentë. E thënë ndryshe kjo shifër është 10 herë më e lartë se ajo çfarë ishte planifikuar për godinën ekzistuese (e cila u projektua në vitin 2004 si një shkollë 9-vjeçare e Currilave). “I kemi kërkuar ministrisë së Arsimit dhe D.A.R. të na japë me kohë të pjesshme një shkollë të mesme të qytetit, për ta shfrytëzuar për një fakultet, sepse në këtë drejtim gjendja është kritike. Nuk na kanë kthyer ende një përgjigje, por kjo godinë e ndërtuar për shkollë 9-vjeçare pavarësisht shtesave të ndërtuara çdo vit nuk i plotëson nevojat për 4 mijë studentë”, deklaroi për këtë çështje rektori Agim Kukeli. Por që universiteti i Durrësit të marrë një shkollë të mesme qoftë edhe për pak kohë në dispozicion është krejtësisht e pamundur, sepse drejtoria Arsimore Rajonale në Durrës parashikon shifra tepër të larta për numrin e nxënësve që do të frekuentojnë këtë vit shkollën e mesme, duke e lënë të pazgjidhur kërkesën e universitetit. o.u