E Hënë, 2 Nëntor 2026

Renato Zanela, koreografi qe i fali shfaqjet 300 mije euroshe shqiptareve

02/12/2004  Renato Zanella

Balerini dhe koreografi i mirwnjohur, Renato Zanella, që ndodhet prej dy ditësh në vendin tonë, ka dhënë edhe lajmin e mirë. Një vepër e tij do t'i dhurohet baletit shqiptar me të gjitha të drejtat e autorit. Po të kihet parasysh që një vepër e tij do të kushtonte rreth 300 mijë euro, po të blihej, atëherw të gjithë e kuptojnë shumë mirë rëndësinë e këtij fakti. Një nga koreografët më të mirë, por edhe më të pagur në Evropë dhe, jo vetëm, Zanella prej 10 vitesh është drejtori i baletit dhe kryekoreografi i Teatrit Shtetëror të Operas së Vjenës, e paralelisht, drejtor artistik i Akademisë së Dansit, që funksionon pranë këtij teatri. Në impenjimet dhe përgjegjësitë e tij është edhe koreografia e Koncertit të Madh të Vjenës, që organizohet çdo 1 janar dhe që ndiqet nga miliona shikues në të gjithë botën. I ftuar nga drejtori i Akademisë së Dansit, Arjan Sukniqi, për mundësitë e një bashkëpunimi shumëplanësh midis dy akademive, Zanella ka deklaruar sot në konferencën për shtyp se "qëllimi i vizitës ka dy arsye kryesore. Së pari, një shkëmbim vizitash për një njohje më nga afër dhe për të ftuar një grup baleti për një shfaqje në Akademinë e Dansit në Vjenë, ku duhet të pranojw nivelin e lartë të balerinëve tuaj të vegjël dhe, së dyti, sepse në trupën tonë të baletit, ne kemi një balerin të mrekullueshëm shqiptar, një 'kalë të vërtetë lufte', Eno Peçin, i cili aktualisht luan role protagoniste në Operan e Vienës, dhe këtë do ta konstatini edhe në Koncertin e Madh të Vienës, në datën 1 janar".

Zanelli ka theksuar midis të tjerash bashkëpunimi mund të jetë si për nxënësit, por edhe për personelin arsimor. Ai vuri në dukje nivelin e lartë të balerinëve të vegjël, krysisht të djemve dhe nuk harroi të shtonte se ishte i impresionuar, jo vetëm me talentin e tyre, por edhe për faktin se ata ishin rreth 30, ndrkohë "që në Akademinë e Vjenës janë vetëm katër të tillë në moshat respektive". Në intervistën dhënë për "Metropol", Renato Zanella flet hapur për atë çka ka konstatuar për baletin shqiptar në përgjithësi, për Akademinë, për balerinin shqiptar Eno Peçi, si edhe per planet e bashkëpunimit midis Vjenës dhe Tiranës

Një vizitë e shkurtër e tepër intinsive...

Eshtë e vërtetë. Prej katër ditësh pothuajse udhëtojmë, or ishte një kënaqësi për të parë nga afër Akademinë e Tiranës, ku munda të shoh pjesërisht zhvillimin e proçesit mësimor. Natyrisht, që në vëmendjen tonë është më tepër mundsia për të dhënë të drejta studimi, për nxënësit e talentuar është vetëm vizita e parë dhe shpresoj që në muajin prill të jem përsëri këtu, për të parë mundësinë e vënies së një shfqje në skenë

Gjatë konferencës për shtyp ju dhatë përshtypjet më të mira për nxënësit shqipatarë. Por a konstatuat ndonjë defekt?

Natyrisht. Vura re se në sallat e vallëzimit bënte shumë ftohtë dhe për kërcimtarët e rinj besoj se është shumë e vështirë të punosh në kushte të tilla. Që të jem i sinqertë në këtë moment nuk kam asnjë vërejtje. Madje, mund të them pa hezitim se balerinët djem më pëlqyen shumë. Personalisht më pëlqen shkolla e rreptë dhe serioze. Këtu konstatova, për aq sa pashë, se disiplina ishte shumë e lartë dhe besoj se ajo është një element shumë i rëndësishëm në formimin artistik të artistëve të rinj.

Odiseja juaj artistike...

Do të thoja që është shumë e gjatë. Vetë fakti që kam braktisur vendnlindjen (Italinë), prej 25 vitesh flet qartë. Fillimisht, pas përfundimit të shkollës në Veronë, u largova drejt Francës, në Qendrën Ndërkombëtare të Dansit " Rosella Hightoëer" në Kanë, por që ishte shmë franceze në fakt. Një kërcim i lartë drejt Shtutgartit për nëntë vite me rradhë, ku në tre vitet e fundit isha edhe koreografi i kompanisë " Stuttgart Balletts". Prej vitit 1995 dhe aktualisht jam drejtori dhe koreografi i Operas Shtetërore të Vienës dhe në 3 vitet e fundit, paralelisht jam edhe drejtori artistik i Akademisë së Dansit të Operas Shtetërore të Vienës. Duke filluar nga viti tjetër do të marr përsipër edhe drejtimin e një festivali të madh që organizohet në jug të Austrisë. Një odise 25-vjeçare udhëtimesh e karriere.

Kush janë momentet më të bukura të jetës artistike?

Çdo periudhe përbën edhe një fazë të ndryshme krijimtarie. Jo edhe për vetë faktin se në shtete të ndryshme ndesh zhvillime kulturoro-artistike të ndryshme. Kam kaluar shumë momente të rëndësishme në karrierën time dhe besoj se kam bërë mjaft. Gjatë viteve '80 në Gjermani kam punur fort për baletin kontemporan edhe pse në ato vite ka patur një krizë të madhe të baletit dhe shumë kompani baleti u mbyllën. Kam patur fatin që të shfaqem në skenë gjithmonë në periudha të rëndësishme. Por edhe përgjegjësitë i mia kanë qenë të mëdha dhe me kënaqësi mund të them se karriera ime ndërkombëtare si balerin ka qenë shumë e bukur dhe përkrah shumë personazhve të njohura të baletit.

Po në aspekti e krijues?

Por të qenit koreograf është diçka shumë e veçantë dhe ku duhet të kuptosh se nuk je thjesht një koreograf por dhe një lloj ambasadori, që ke pushtetin e fjalës, të të vepruarit. Mund të veçoj bashkëpunimin me Xhorxh Kramb në vitet '80, ku mund të them pa frikë se kanë qenë vepra tepër të moderne për kohën, të cilat e bënë disi të njohur emrin tim, si "Empty place" (Vendi bosh), "Black angel", etj. Aktualisht punoj me vepra të klasikëve të mëdhenj, ku mund të përmend veprën "Spartaku", në të cilën Eno Peçi ka shkëlqyer, pasi jam përpjekur të prezantoj një Spartak jo si hero, por si një intelektual të vërtetë të kohës së tij. Kushdo që e kupton drejt kuptimin e lirisë, e di fare mirë se nuk është një "punë muskujsh" vetëm, por është mendja që punon. Ishte gati një sfidë për mua, pasi duhet të nxirrja në pah intelektin në një kohë lufte. Këtë ide Eno e kuptoi shumë mirë dhe e pasqyroi po kaq mirë edhe në skenë. Një punë e rëndësishme pasi mbyllte një seri bashkëpunimesh me regjisorë të mëdhenj të operas, si Dejvid Point, etj., bashkëpunim i cili më bëri të kuptoj më mirë forcën e dramaturgjisë dhe një zbërthim më të mirë subjektit të veprës dhe jo vetëm në aspektin e baletit. Natyrisht kam shumë dëshirë të vazhdoj me krijime eksperimentale, si dikur në vitet '80, por dihet që Vjena është shumë tradicionale dhe duhet me shumë "zgjuarsi" të futësh të renë, ku me të re mund të nënkuptosh edhe efektet e ndriçimit, lëvizjet e reja etj. Por kushdo që dëshiron apo kërkon të krijojë diçka të re gjithmonë e gjen mënyrën e duhur

Plani juaj i ardhshëm me Akademinë e Tiranës?

Në rradhë të parë po shohim mundësinë e afrimit midis Tiranës dhe Vjenës. Unë kam kontaktuar me disa persona dhe kam parë frikën në sytë e tyre se mos u mar "gjërat e bukura" larg prej këtej. Madje është diçka që edhe Eno (Peçi)ma thotë shpesh: Pasi të jem forcuar (ekonomikisht), dua të kthehem dhe të kërcej përsëri në Shqipëri. Për momentin po shohum mundësinë e studimit me bursë për nxënësit e akademisë dhe më pas, kur të njihemi edhe më mirë me Teatrin e Operas, do të shikojmë edhe për mundësi të tjera, përfshirë këtu edhe mundësinë e vënies në skenë të një vepre time, në pranverë vepër të cilën trupa e akademisë do të ketë të drejtën ta luajë në çdo turne brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Renato Zanella, lindi në Veronë të Italisë në vitin 1961. Pas përfindimit të studimeve në qytetin e lindjes për balet klasik, ai do të largohej së pari drejt Francës. Në vitin 1985 ai do të bashkohej me trupën e baletit të Shtutgartit të drejtuar nga Marcia Haydée. Gjatë tre viteve të fundit të qendrimit në Shtutgart ai do të bëhej edhe koreografi permanent i kësaj trupe. Viti 1995 do të shënonte kulmin e karrierës së tij. Ai emërohet drejtor i baletit dhe kryekoreograf i Teatrit të Shtetëror të Operas së Vienës. Ai është një ndër koreografët më të paguar e natyrisht më të talentuar. Në shtator të viti 2001, ai u emërua edhe drejtor artistik si Akademisë së Dencit që funksionon pranë Teatrit të Operas Vieneze.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›