E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, gati të votojë kodin që të hënën

Partia Socialiste nuk tërhiqet nga varianti aktual për Kodin Zgjedhor. Një anëtar i Kryesisë së socialistëve tha për "Shqip" se kodi ka përfunduar tanimë dhe pritet të kalojë në seancë. Edhe pse nuk është vendosur përfundimisht, një tjetër burim brenda partisë më të madhe të opozitës konstatoi se nuk përjashtohet mundësia për ta votuar ditën e hënë dokumentin. Sakaq, një prej sekretarëve socialistë konfirmoi se nuk ka asnjë negociatë me përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Edhe pretendimet se diçka e tillë ka ekzistuar, PS i hedh poshtë, duke insistuar te fakti se Kodi Zgjedhor u miratua edhe në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Duket që edhe një mbledhje e Kryesisë së socialistëve konsiderohet e panevojshme, për aq kohë sa nuk ka ndryshim në qëndrimet politike për këtë çështje. Praktikisht, një numër i konsiderueshëm deputetësh pohuan për "Shqip" se kanë marrë një kopje të Kodit të ri Zgjedhor, përgatitur nga sekretari për çështjet ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj. Ky i fundit, që prej fillimit të grevës së urisë i ka minimizuar daljet publike, duke mos preferuar t‘i përgjigjet as interesit të medias. Nëse ndonjëri prej deputetëve do të ketë vërejtjet përkatëse, do të duhet të koordinohet me grupin, por kjo ka pak gjasa të ndodhë. Direktiva e dhënë deri më tani, edhe prej kreut të Partisë Socialiste Edi Rama, është për ta votuar Kodin e Ri, siç është rënë dakord me Partinë Demokratike. Qëndrimi publik, por edhe vota në Kuvend për këtë kod, do të ndikojë jo pak në pozitat e deputetëve socialistë, në raport me zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Duke e konsideruar një sfidë të rëndësishme miratimin e kodit, duket se nuk do të tolerohen qëndrime të kundërta me vendimin politik. Me përjashtime sporadike, socialistët kanë arritur të krijojnë një kompaktësi të nevojshme për të votuar në grup ligjin e ri zgjedhor. Sa i takon grevës së 10 deputetëve, mes të cilëve kreu i LSI-së, Ilir Meta, ligjvënësit e PS-së ngjan ta kenë pranuar një fat të tillë në marrëdhëniet me aleatin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›