Policët kosovarë: Serbët na kapën 150 metra brenda Kosovës

Jakup Krasniqi
Pas kthimit në Kosovë, dy policët kufitarë të Kosovës, Shukri Binaku dhe Sami Beqiri, kanë deklaruar për autoritetet se ata u rrëmbyen nga xhandarmëria serbe rreth 150 metra në brendësi të territorit të Kosovës. Ndërsa UNMIK ka nisur një hetim, atë po e pason edhe EULEX, për të zbardhur incidentin që vuri në lëvizje të gjithë diplomacinë në Ballkan. Hetimet do të tregojnë nëse akti i xhandarmërisë serbe ka qenë vërtet një rrëmbim, siç pohojnë autoritetet në Kosovë, apo kalim në zonën neutrale të dy policëve. Pasi EULEX i ktheu në Kosovë, policët kufitarë janë marrë në pyetje në stacionin e Policisë në Llozhan, pranë Podujevës e më pas janë dërguar në vendngjarje, ku përcaktuan zonën e ndalimit. EULEX nuk i ka publikuar rezultatet e hetimit të tij dhe një ditë më parë njoftoi se nuk ka gjasa që hetimi të bëhet publik. Por reagimet e zyrtarëve kosovarë tregojnë se ata kanë pasur të drejtë mbi deklaratat e rrëmbimit. Kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, e konsideroi arrestimin e policëve kosovarë nga xhandarmëria serbe si një akt që tregon se politikat e regjimit të Beogradit nuk kanë ndryshuar. Arrestimi ishte një sulm i shtetit serb në hapësirën e Kosovës, prandaj Ministria e Brendshme duhet të informojë Kuvendin në mënyrë të detajuar për këtë ngjarje, theksoi Krasniqi.
Deklarata e Daçiç
Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç, ka deklaruar dje se cilido që shkel parimet mbi vijën administrative në Serbi, do të bartë pasoja. Deklaratat e tij u bënë një ditë pasi Gjykata serbe liroi dy policët kosovarë të arrestuar në kufirin mes dy vendeve. Duke dëshmuar se veprimi ishte hakmarrje, Daçiç tha se nëse komuniteti ndërkombëtar do paqe, atëherë nuk duhet të lejojë që serbë të pafajshëm të arrestohen në Kosovë.