E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohen 5 muaj me vonesë masterat te Shkencat e Natyrës dhe Infermieria

Këshilli i Ministrave ka miratuar dje hapjen e studimeve Master i nivelit të parë në dy fakultete të Universitetit të Tiranës, plot pesë muaj pas fillimit të vitit akademik 2008-2009. Përfitues janë studentët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, në degën Teknologji Informacioni. Po kështu këto studime të avancuara universitare janë hapur edhe për Fakultetin e Infermierisë në UT, për vitin akademik 2008-2009, në degët Menaxhim infermieror, Mami, si dhe Teknik Laboratori. Të gjithë ata studentë që do të përfundojnë këto studime të avancuara do të pajisen me diplomë "Master i nivelit të parë", MNP. Këshilli i Ministrave ka miratuar 30 kuota për studimet Master i Nivelit të parë në Teknologji informacioni. Ndërsa tarifa për këto studime është 70 mijë lekë. Në Fakultetin e Infermierisë janë akorduar 100 kuota për Menaxhim infermieror, pagesa për të cilat është 55 mijë lekë. Ndërsa për degën Mami, numri i kuotave për studentë është 50 dhe tarifa e shkollimit për ta arrin në shumën e 60 mijë lekëve. Në degën Teknik Laboratori janë miratuar po 50 kuota pranimi me të njëjtën pagesë prej 60 mijë lekësh. Kandidatët, që u përkasin shtresave sociale, si të verbrit, të shurdhët, invalidët, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, studentët me aftësi të kufizuara, fëmijët romë apo fëmijët e policëve, të rënë a të plagosur për shkak të detyrës, të të ish-të përndjekurve politikë, që fitojnë të drejtën për të ndjekur një program studimi, master i nivelit të parë, në institucionet publike të arsimit të lartë, të paguajnë 50 për qind të tarifës së shkollimit. Ndërsa, studentët e shkëlqyer nga cikli i parë, nuk e paguajnë tarifën e shkollimit në vitin akademik pasardhës. Programet e studimeve, master i nivelit të parë, realizohen me 60 kredite dhe zgjatja normale e tyre është një vit. Në vendimin e Këshillit të Ministrave saktësohet edhe fakti se UT i shpërndan kuotat e vëna në dispozicion të tij në masën jo më pak se 30%, për studentët, që kanë përfunduar, të paktën, ciklin e parë të studimeve në institucionet e tjera të arsimit të lartë dhe jo më shumë se 70%, për ata, që i kanë përfunduar këto studime pranë këtij universiteti. Në rastet kur nuk ka kandidatë nga institucionet e tjera të arsimit të lartë, që plotësojnë kriteret, Universiteti i Tiranës ka të drejtë ta plotësojë kuotën e vënë në dispozicion me studentët, që janë diplomuar pranë tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›