Interpoli, hetim 25 makinave të vjedhura
Gjatë verifikimeve on line që po kryhen nga Interpoli ndërkombëtar me qendër në Lion të Francës, për 3125 mjete të regjistruara për herë të parë në të gjitha drejtoritë rajonale të policisë në Shqipëri, u konstatua se 26 mjete, prodhim i tre viteve të fundit, rezultojnë të trafikuara. "26 mjetet e mësipërme nuk janë të pajisura me leje qarkullimi dhe certifikata pronësie dhe dosjet e tyre janë dërguar zyrtarisht në Ministrinë e Brendshme, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në bazë të legjislacionit në fuqi për këto mjete ka nisur procedimi", pohuan dje burime zyrtare të Ministrisë së Transporteve. Kjo e fundit ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Ministrisë së Brendshme "Për shkëmbimin e informacionit ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit", në fundin e vitit 2007. Aktualisht, të dyja drejtoritë po vazhdojnë kontrollin mbi të gjitha mjetet e regjistruara për herë të parë në të gjitha drejtoritë rajonale të Republikës së Shqipërisë.