E Diel, 1 Nëntor 2026

Fshatrat turistikë, Kuvendi hedh poshtë propozimet e Pangos

Pa kaluar ende një vit nga miratimi i ligjit të ri "Për turizmin", ministria përgjegjëse e ka sjellë sërish në Kuvend me disa ndryshime, që prekin kriteret e dhënies së licencave për fshatrat turistikë. Për këtë qëllim, Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese ka nisur dje diskutimet për variantin e ri të paraqitur nga ministri i Turizmit, Ylli Pango, i pranishëm në Kuvend, në mbrojtje të ndryshimeve. Sipas tij, synohet të vendoset rregulli në zbatimin e projekteve të fshatrave turistikë, që kanë shkelur të gjitha kushtet e kontratës, të lidhura vite më parë me qeverinë. "Në këtë mënyrë, ministria propozon vendosjen e sanksioneve deri në 100 për qind gjobë, për operatorët që shkelin thelbin e funksionimit të fshatit turistik", tha Pango. Lidhur me këtë pikë, sipas kryetarit të komisionit, Ylli Bufi, "problemi me ndërtimin e fshatrave turistikë lidhet me planet rregulluese të territorit, pra ekzistojnë strukturat përkatëse për zbatimin e ligjit dhe nuk është kompetencë e Ministrisë së Turizmit, të vendosë sanksione". Sipas Bufit, çështja e funksionimit të fshatrave turistikë rregullohet me veprimtarinë e operatorëve turistikë, që Ministria e Turizmit e hoqi si formulë vitin e kaluar. Ky pretendim u hodh poshtë nga ministri Pango, i cili u mundua të sqarojë pozicionin e ministrisë lidhur me kompetencat e reja. "Duhet të sqaroj diçka, se të gjitha subjektet që kanë ndërtuar fshatrat turistikë, në të dyja qeverisjet, të djathta e të majta, kontratat i kanë me Ministrinë e Turizmit. Për këtë arsye duhet të jetë kjo ministri që do të procedojë me kontratat e lidhura vite më parë, por që nuk janë zbatuar", tha Pango, fjala e të cilit u ndërpre nga kryetari Bufi, me motivin se "këto çështje janë diskutuar një herë dhe se MTKRS-ja nuk të drejtë të ndërhyjë". Megjithatë, debati mes tyre vazhdon më tej, kur Pango dha shembuj për mënyrën e funksionimit të KRRT-ve. "Në Këshillat e Rregullimit të Territorit nuk mund të jepet leje ndërtimi për sektorin e turizmit, pa marrë më parë aprovimin e ministrisë përgjegjëse lidhur me plotësimin e standardeve. Unë konkretisht u referohem atyre kontratave të vjetra që nuk lidhen me Ministrinë Publike, por që përplasen me ministrinë që drejtoj. Ndaj tyre unë dua të marr masa", shtoi Pango. Por, sipas Bufit, standardet turistike futen në lojë pasi të jenë hartuar planet rregulluese për zonat turistike. Në këtë pikë të debatit, ministri Pango nuk mori mbështetjen e deputetëve, por gjithsesi u la të diskutohej herën tjetër, kur projektligji të miratohet nen për nen.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›