Miratohen rregullat për marrjen nën kontroll të shoqërive publike
Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi dje projektligjin "Për marrjen në kontroll të shoqërive publike", që ka si objekt përcaktimin e rregullave që lidhen me kushtet dhe procedurat për ofertat publike të blerjes së titujve të emetuar nga një shoqëri aksionare. Projektligji rregullon në mënyrë më të saktë kushtet dhe procedurat për ofertat publike, duke kërkuar që këto oferta të jenë transparente. Ato do të monitorohen dhe mbikëqyren si proces nga ana e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AFM). Nënkryetari i AMF-së, Keler Gjika, sqaroi dje se mund të ketë një përqendrim në treg, si pasojë e përfitimit të kontrollit që parashikohet të ndodhë si rezultat i ofertave publike të titujve. Sipas tij, investuesi kërkon të fitojë kontrollin përmes blerjes së aksioneve, duke fituar kështu kontrollin e ushtruar përmes votave, në lidhje me operacionet e shoqërisë. Në thelb, shpjegoi ai, marrja në kontroll bëhet me pjesëmarrjen e ofruesit dhe të aksionarëve të shoqërisë objekt i ofertës, të cilëve u drejtohet oferta. "Duke qenë se oferta ka për synim fitimin e kontrollit mbi shoqërinë objekt i ofertës, vetë procesi i bërjes së ofertës kërkon norma rregulluese", - u shpreh Gjika. Ligji parashikon qe të gjithë aksionarët e shoqërisë objekt i ofertës duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë. Ata duhet të kenë kohën dhe informacionin e mjaftueshëm për të qenë në gjendje të arrijnë një vendim për ofertën, të mbështetur siç duhet në informacion. Administratorët e shoqërisë, objekt i ofertës, nuk duhet t’ua mohojnë aksionarëve mundësinë për të vendosur për vlerat e ofertës.