Fluturojnë shpenzimet operative të qeverisë
Buxheti
Vetëm gjatë vitit 2009, u shpenzuan 41 milionë dollarë më shumë
Qeveria shqiptare ka shpenzuar gjatë vitit të kaluar rreth 270 milionë dollarë për shpenzime operative e mirëmbajtjeje, me një rritje të konsiderueshme prej 18 për qind ose mbi 41 milionë dollarë kundrejt vitit 2008, bëhet e ditur nga një raport i Ministrisë së Financave për ecurinë ekonomike. Shpenzimet operative konsistojnë në pagesën e shërbimeve të makinave, naftës e kancelarive të ndryshme, të cilat gjatë vitit të kaluar u konsumuan me bollëk veçanërisht për shkak të fushatës elektorale që zgjati shumë muaj dhe angazhoi pa kufizim të gjithë administratën publike. “Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes gjatë 11-mujorit 2009 arritën në rreth 26.2 miliardë lekë, duke qenë rreth 3.7 miliardë lekë nën nivelet e parashikuara, ose rreth 12.4 për qind nën parashikimin e periudhës. Krahasuar me planin vjetor, këto shpenzime deri në fund të muajit nëntor kanë arritur në nivelin 75.6 për qind të planifikimit vjetor. Në të njëjtën kohë, ato rezultojnë rreth 4.1 miliardë lekë më shumë se një vit më parë ose rreth 18.3 për qind më të larta”, thuhet në raport. Shpenzimet operative janë rritur edhe më shumë se sa shpenzimet e përgjithshme të buxhetit.
#