Dëshmia e rreme, pranga brigadierit të Gërdecit
Nuk e kishte menduar se do vinte për të dëshmuar dhe do përfundonte me katër të arrestuarit e tjerë të tragjedisë së Gërdecit, ish-pronarin dhe ish-drejtorin e tij. Për gati dy orë, ish-përgjegjësi i punëtorëve, Veiz Muça, ka dëshmuar rreth rolit të tij në fabrikë, punës që kryhej aty, rregullave që zbatoheshin, por nuk u qëndroi të njëjtave thënie si tre deklaratat e dhëna më parë në prokurori. Kjo solli reagimin e organit të akuzës, duke kërkuar arrestimin e menjëhershëm të Muçës për dëshmi të rreme, pasi kulmi i dëshmisë do të arrinte në momentin që do deklaronte se në fabrikë nuk kishte të mitur të punësuar. Ky arrestim solli edhe reagimin e avokatëve, të cilët braktisën në mënyrë demonstrative sallën e gjyqit, me pretendimin se dëshmitarët po goditeshin psikologjikisht me presionin e arrestimeve. Ndërkohë që, për këtë fakt të pranuar publikisht, ish-drejtori Minxholli ka kërkuar edhe falje publike dhe ka shpjeguar arsyet pse ka punësuar një kategori prej 16 minorenësh.
Dëshmia
Fillimisht, para gjykatës Muça deklaroi se në momentin e shpërthimit kishte qenë në restorant duke ngrënë drekë më Dritan Minxhollin, ndërsa më pas ishin ngritur dhe i kishin hipur makinës për në fabrikë. Gjatë rrugës, sipas tij, ai kishte humbur shikimin dhe ndjenjat, ndërsa e kishin përmendur një grua me dy vajzat e saj. Por gjatë marrjes në pyetje, Veiz Muça kishte deklaruar se në momentin që ka ndodhur shpërthimi kishte qenë me një makinë së bashku me Dritanin, ku shofer ishte ky i fundit, duke u larguar për të drekuar. Së dyti, i pandehuri deklaroi se në fabrikë nuk kishte të punësuar fëmijë të mitur, ndërkohë që në deklarimet e dhëna para prokurorisë ishte krejt e kundërta. Së treti, dëshmitari bëri me dijeni para gjykatës se në fabrikë nuk kishte pasur asnjë incident të mëparshëm, ndërsa në prokurori ai kishte shpjeguar se kishte pasur një incident me fishekët. Së fundmi, Muça bëri me dije se edhe në procesin e demontimit të predhave kishte pasur amerikanë në fabrikë, duke dëshmuar se vinte Patrik Henry dhe Rodi, ndërkohë që në tre procesverbalet që dispononte akuza gjatë marrjes së provave në hetimet paraprake, ai sqaronte se nuk kishte pasur shtetas të huaj në këtë fazë. Gjatë dëshmisë së tij të dhënë para gjykatës, Veiz Muça i njohur si Vangjeli ka shpjeguar se “kam nisur punë në Gërdec, pasi Pandeliu ishte ortak me Mihal Delijorgjin, të cilin e furnizonte me hekur për ndërtimin e objekteve të tij. Pandeliu u bë ortak edhe me Dritan Minxhollin, më mori edhe mua në punë. Punën e kam nisur më 28 qershor të vitit 2007. Dritani më telefonoi 10 ditë më para. Shkova në Gërdec dhe më tha se për demontimin e fishekëve “do jesh brigadier në fabrikë. Do shikosh 3-4 ditë brigadierin e mëparshëm, Gramozin. Procesi ishte demontimi i fishekëve këmbësorie dhe bëhej njësoj si në ushtri. Furnizimi me fishekë bëhej me makina ushtrie, të cilat vinin nga e gjithë Shqipëria. Në ditë vinin 10-15 makina. Puna ishte e organizuar me grupe. Sigurimi teknik kishte rregullore. Ajo ishte marrë nga rregullorja e ushtrisë dhe ishte hedhur në një fletë formati. Nuk kam bërë asnjë kontratë punësimi. Në fabrikë vinin edhe shtetas të huaj, si Rodi, Davidi dhe Patrik Henry. Demontimi i predhave ka filluar në 25 janar. Predhat i sollën makinat ushtarake të shoqëruar edhe makina të policisë ushtarake. Kur erdhën predhat ishte Sokol Ngjeci, Dritan Minxholli dhe Mihal Delijorgji. Kishte nga të gjitha llojet e kalibrave. Demontimi si provë u bë nga ana e të pandehurit Sokol Ngjeçi”.