E Shtunë, 31 Tetor 2026

Misteri Dardania

Për vetëm tetë muaj, Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës katër herë ia ka zgjatur administrimin e përkohshëm kompanisë së sigurimeve Dardania. Për ekspertët e sektorit bankar, kjo tregon dobësitë e mbikëqyrjes nga ana e BQK-së, e cila nuk ka arritur që një kompani të vogël ta kontrollojë në masën e duhur dhe sipas ligjit.
Ndryshe nga tri vendimet e tjera, vendimi i fundit i Bordit thirret në Ligjin për Bankën Qendrore të Kosovës. Mirëpo, ky ligj nuk përmban detaje, apo afate se kur duhet të merret vendimi definitiv kur një kompani nuk arrin të jetë likuide.

“Në bazë të zbatimit të Ligjit për Bankën Qendrore Kosovës, Bordi drejtues i BQK-së miratoi vazhdimin e emërimit të Administratorit të Përkohshëm të KS “Dardania” , thuhet në këtë vendim të datës 25 janar.

Administratori Faton Bajrami, i caktuar nga Banka Qendrore për përmirësimin e gjendjes financiare të kësaj kompanie, nuk pranoi të flasë se pse po ndodhin këto shtyrje. Ndërkaq, nga zyra për informim e BQK-së thonë se kompanisë Dardania nuk i ka kaluar faza e administrimit, por pa dhënë arsyet pse po shtyhet kaq gjatë.

“Afati i administrimit është vazhduar nga data 26 janar deri më 8 shkurt, sipas vendimit të fundit të Bordit”, tha Besnik Kada, zyrtar për informim.

Megjithatë, eksperti dhe njohësi i sektorit bankar, Flamur Keqa thotë se këto shtyrje tregojnë jo vetëm dobësitë e afarizmit të kësaj kompanie, por edhe dobësitë mbikëqyrjes nga ana e Bankës Qendrore.

“BQK-ja nuk ka arritur që një kompani aq të vogël ta kontrollojë në masën e duhur dhe sipas ligjit”, tha Keqa.

Sipas tij, kompanitë e sigurimit, që nga themelimi i kanë përcjellë pengesa, keqpërdorime dhe ndodhi të çuditshme. Nëse kompania nuk ka kryer detyrimet e saj ndaj Fondit Garantues apo nuk ka ndarë rezerva të mjaftueshme, kjo do të reflektohet negativisht edhe në shumën e paguar të borxheve.

Ndryshe, në qershorin e vitit të kaluar, kësaj kompanie iu caktua administratori, me gjithë kërkesat e BQK-së që kompania të jetë solvente. Atëbotë është thënë se administratori i përkohshëm do të menaxhojë kompaninë dhe do të ushtrojë funksionin e tij për periudhën prej 90 ditësh.

Zyrtarë të Bankës Qendrore patën thënë se deri në një vendim tjetër administrimi nuk nënkupton revokim të licencës apo likuidim të kompanisë.

Ndërkaq, opsion i hapur mbetet edhe shitja e kompanisë.

Keqa thotë se shitja varet nga gjendja financiare e kompanisë. Mirëpo nëse gjendja është shumë e keqe, sipas tij, një prej mundësive është shitja me qëllim të përmbushjes së obligimeve.

Krejt kjo ka ndodhur pasi aksionarët e kompanisë kanë pasur vështirësi në përmirësimin e gjendjes financiare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›