Valutat zhvlerësojnë lekun
Valutat kryesore kanë arritur një nivel të ri në këmbimin me lekun vendas, një dollar amerikan, pas disa vitesh ka arritur vlerën më të lartë, duke u këmbyer me mbi 100 lekë, ndërsa monedha evropiane ka arritur pranë kufirit 140 lekë. Ekspertët e bankingut dhe ata të ekonomisë shprehen se së pari kjo situatë vjen si pasojë e mungesës së valutës në treg, pasi emigrantët nuk po sjellin më euro, investimet e huaja kanë rënë, eksportet pësuan rënie, për shkak edhe të krizës ekonomike. Por ajo çfarë parashikohet, është që ky forcim i valutave do të vijojë edhe në ditët në vazhdim. Ekspertët rekomandojnë që Banka e Shqipërisë duhet të vijojë me një politikë monetare më fleksibël, duke nënkuptuar një ulje të mëtejshme të kostos së parasë. Qeveria ka parashikuar që të marrë 300 milionë euro borxh, nga të cilat 100 prej tyre do t’i hedhë në treg për investime publike. Ky fakt pritet të ndikojë në një stabilizim të kursit të këmbimit, euro-lek.