E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohen taksat që do të paguajnë qytetarët e Tiranës për 3 vite

Këshilli Bashkiak miraton taksat e reja dhe rritjen e disave. Parkimi në rrugët kryesore do të kushtojë 100 lekë
Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar ditën e djeshme paketën fiskale që kryeqyteti do të përdorë deri në vitin 2010. Sipas paketës fiskale, një pjesë e taksa ekzistuese pësojnë rritje. Kjo është bërë në bazë të një politike, e cila ka për t’i ardhur në ndihmë disiplinimit të trafikut të makinave, përmirësimit të mjedisit si dhe shërbimeve të tjera që ofron pushteti lokal. Përsa i përket pastrimit të qytetit, taksa e pastrimit do të pësojë një rritje. Kështu, nga 2100 lekë që ishte në vitin e kaluar, ajo do të bëhet 3600 lekë këtë vit, 4 mijë lekë në vitin 2009 dhe 5 mijë lekë të rinj në vitin 2010. Këshilltarët demokratë nuk kanë qenë shumë dakord dje me këtë rritje, duke deklaruar se shërbimet që ofron Bashkia e Tiranës nuk janë në nivelin e kërkuar. Megjithatë, shumica e këshilltarëve e miratoi paketën fiskale.
Taksat
Taksa e gjelbër do të ndryshojë në mënyrë progresive deri në vitin 2010. Kështu, ajo do të bëhet 300 lekë gjatë këtij viti, 400 lekë për vitin e ardhshëm dhe 500 lekë në vitin 2010. Këto vlera janë miratuar përsa u përket familjarëve. Ndërsa për bizneset, ato do të jenë pak më të larta. Për vitin në të cilin ndodhemi aktualisht ajo do të pësojë një rritje në masën 3600 lekë në vit, pra 1500 lekë më shumë sesa ishte në vitin 2007. Vitin e ardhshëm kjo tarifë do të shkojë në 4 mijë lekë, ndërsa në vitin 2010, çdo kryefamiljar do të paguajë plot 5 mijë lekë të rinj në vit. Taksat për biznesin e vogël kanë pësuar gjithashtu ndryshime. Kështu, për objektet e shitjes me pakicë, që bëjnë deri në 2 milionë lekë xhiro, do të paguajnë 45 mijë lekë si taksë vjetore. Kjo është më e ulëta, ndërsa për biznese që kryejnë deri në 8 milionë lekë xhiro, tarifa që ato duhet të paguajnë shkon në 143 mijë lekë në vit. Rritje pëson edhe taksa e tabelës, e vendosur për qëllime reklamimi. Kështu, ajo bëhet 1 mijë lekë metri katror në ditë. Sipas formulimit që i bëjnë ekspertët, vendosje tabele në funksion të ekspozimeve të ndryshme të hapura do të kuptohen të gjitha ato tabela në funksion të panaireve të ndryshme, që kanë si qëllim për vete ose për të tretët. Paketa e re fiskale arrin që të favorizojë biznese si lojëra me kompjuter, lojëra fëmijësh të hapura dhe të mbyllura, institucionet jopublike të edukimit si shkollat, kopshtet apo çerdhet, shërbimet në klinikat e specialiteteve të ndryshme mjekësore dhe subjektet që zhvillojnë aktivitet në fushën e prodhimit të produkteve ushqimore.
Parkimi dhe rrugët
Këshilli Bashkiak ka miratuar edhe një taksë të re, siç është ajo e parkimit. Kështu, vlera e kësaj tarife është 100 lekë dhe pagesa kryhet sa herë që këto mjete hyjnë në qytetin e Tiranës në katër kordonët hyrës si Rruga e Durrësit, Rruga e Elbasanit, Kombinati dhe Dajti. Të detyruara për të bërë pagesë janë autoveturat 8+1, automjetet për transport të përzier, mjet që ka një peshë të përgjithshme me ngarkesë të plotë jo më të madhe se 3,.5 tonë, autobusët përveç mjeteve të shërbimit qytetës, mjetet e destinuara vetëm për tërheqjen e rimorkiove dhe gjysmërimorkiove. Po ashtu, këtë detyrim për të paguar tarifën e kanë edhe mjetet e transport të veçantë, autotrenat, gjysmërimorkiatorët, autokampet dhe makinat e ngarkim-shkarkimit. Këshilli Bashkiak ka vendosur dje miratimin e propozimit të Bashkisë së Tiranës për futjen e tarifës së parkimit. Në projektvendimin e Bashkisë, shtohen edhe taksitë 4+1, të cilat do të paguajnë 20 lekë në orë. Për subjektet që kërkojnë parkim të rezervuar pranë institucioneve të tyre publike ose private, tarifa përllogaritet duke shumëzuar vlerën sipas zonës së parkimit , me koeficientin 0,7 për rezervim 12-mujor. Kjo tarifë llogaritet për 12 orë pune dhe për 22 ditë pune në muaj. Të gjitha subjektet që përfitojnë nga rezervimi i vendparkimeve të miratuara janë të detyruara të lidhin kontratë me Drejtorinë e Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore, pasi subjekti ka marrë lejen përkatëse nga Drejtoria e Transportit në Bashkinë e Tiranës. Nga këto detyrime bëjnë përjashtim taksitë që nuk kanë parkim fiks, të cilat nuk detyrohen të lidhin kontratë.

Taksat e Tiranës

Ishte bëhet
Taksa e Pastrimit 2100 lekë 3600 lekë

Taksa e gjelbër 200 lekë 300 lekë

Taksat për biznesin e vogël 45 000 lekë

Taksa për biznesin e mesëm 143 000 lekë

Tabela e reklamave 1 000 lekë m2

Parkimi 100 lekë

26 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›