E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: “Të rritet përfaqësimi i grave në Kuvend”

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka deklaruar se zgjedhja e sistemit elektoral duhet të jetë një e drejtë ekskluzive e Kuvendit dhe e partive politike. Topi, i cili ka qenë i pranishëm në konferencën e organizuar nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ka kërkuar nga politika që të zgjedhë një sistem elektoral që do të mundësojë rritjen e nivelit të përfaqësimit të grave në Kuvend. “Sistemi elektoral që do të zgjidhet është një e drejtë ekskluzive e partive politike parlamentare, është një e drejtë ekskluzive e Kuvendit të Shqipërisë. Pra, pavarësisht nga sistemi, duhet të garantohet e drejta e marrjes pjesë në mënyrë të barabartë në debate, në fushata, të garantohet e drejta e votës në mënyrë që Kuvendi i Shqipërisë në të ardhmen, pavarësisht nga sistemi, të ketë më shumë prani të grave në Kuvend, të cilat, për hir të së vërtetës, në këto beteja elektorale kaq të forta, kaq maskiliste, në mjaft raste e kanë të vështirë jo të arrijnë suksesin, por e kanë të vështirë edhe të futen në konkurrim”, - u shpreh Presidenti Topi. Numri një i Republikës ka paralajmëruar politikën shqiptare që të mos luajë me çështjen e reformës zgjedhore. Ai ka kërkuar nga faktorët politikë që të kontribuojnë për realizimin demokratik të kësaj reforme dhe për arritjen e standardeve perëndimore në zgjedhjet e ardhshme elektorale në Shqipëri. “Parlamenti shqiptar duhet, në zgjedhjet e ardhshme natyrisht, të shkojë në standardet që kanë jo vetëm vendet e rajonit, por vendet me demokraci të zhvilluar, që të krijojnë jo vetëm kushtet për konkurrim, por të kërkojnë patjetër nevojën për një pjesëmarrje më të madhe të grave”, - deklaroi Presidenti i Republikës, Bamir Topi.

26 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›