E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohen tekstet alternativë, 104 tituj në treg

Plot 104 tekste alternativë do të jenë në treg këtë vit shkollor. Për çdo lëndë mësimore ka tre libra të mundshëm, botuar nga shtëpi botuese të ndryshme. Ministria e Arsimit njoftoi dje se "janë miratuar tekstet fituese për vitin shkollor 2008-2009". Në këtë konkurs morën pjesë 24 shtëpi botuese që ofruan 169 variante tekstesh, nga të cilat u zgjodhën 104 të tillë. Në bazë të reformës së Altertekstit, vlerësimi i ofertave të paraqitura bëhet në bazë të kurrikulës zyrtare. Kriteret që u vlerësuan ishin cilësia teknike, çmimi, formulimi gjuhësor dhe shkencor. Ky vlerësim u krye një muaj më parë në qytetin e Durrësit, ku në komision ishin 200 persona, si mësues, profesorë dhe gjuhëtarë. Pjesa më e madhe e teksteve të paraqitura janë miratuar. Ndaj mesatarisht një lëndë do të ketë deri në tre tekste alternativë. Këtë vit do të pajisen me tekste të reja klasat e 5-ta dhe të 9-ta, hartuar mbi bazën e kurrikulës së re. Ndërsa klasat e tjera do të punojnë me të njëjtin program, por me tekste të përmirësuara nga shtëpitë botuese. Bordi i Miratimit të Teksteve pranë MASH-it, i cili shqyrton paraprakisht të gjitha tekstet e propozuara nga botuesit certifikon ato që do t‘i paraqiten shkollës në shtator. Vendimi për tekstet shkollore parashikon që librat të sigurohen nga botuesit privatë dhe jo nga ministria. Kjo e fundit bën vlerësimin se cili do të hyjë në treg e cili jo. Më tej janë shkollat ato që zgjedhin se me librin e cilit botues do të punojnë. Për certifikimin e librave që dalin këtë vit në treg, Ministria e Arsimit pohon të ketë angazhuar specialistët më të mirë në vend. "Tekstet e miratuara do të kenë tregues të lartë të anës shkencore dhe gjuhësore", bën të ditur MASH-i, teksa veçon se për përzgjedhjen e fituese punuan mjaft pedagogë krahas mësuesve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›