E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përjashtohen nga ndihma ekonomike ata që kundërshtojnë punët komunitare

Qeveria ka vendosur një kusht të ri për të gjithë ata që përfitojnë nga pagesa e ndihmës ekonomike. Do të përjashtohen automatikisht nga skema e asaj që ndryshe vazhdon të quhet asistenca sociale, të gjithë ata persona apo familje që refuzojnë të marrin pjesë në punët komunitare. Kështu, në një vendim të miratuar dje nga Këshilli i Ministrave dhe i propozuar nga Ministria e Punës, specifikohet fakti se "familjet që nuk pranojnë të marrin pjesë në punët komunitare me kohë të pjesshme, apo dhe në projektet me kohë të plotë pune, përjashtohen nga skema e ndihmës ekonomike". Sipas drejtuesve të Ministrisë së Punës, në vendimin e djeshëm u zhvilluan në mënyrë të plotë kriteret dhe rregullat për kushtëzimin e përfitimit të Ndihmës Ekonomike me punë komunitare. "Të gjitha komunat dhe bashkitë janë të detyruara që shpërndarjen e ndihmës ekonomike ta kushtëzojnë çdo muaj me pjesëmarrjen e personave të aftë për punë të familjeve aplikante në punë komunitare me kohë të pjesshme, disa ditë në muaj". Në këtë mënyrë, sqarojnë më tej specialistët, do të realizohet transparenca në shpërndarjen e fondeve, duke realizuar edhe një kontroll më të plotë nga të gjithë pjesëmarrësit lidhur me punësimin në punë informale, emigracionin etj. Vendimi përmirëson nivelin tavan të masës së ndihmës ekonomike, që nevojitet për mbulimin e nevojave të familjeve të varfëra nga 7.000 lekë në 7.500 lekë në muaj. Në këtë mënyrë do të përfitojnë më shumë pagesë familjet që kanë numër të madh anëtarësh në përbërjen e tyre, siç janë romët dhe familjet e tjera të varfëra me shumë anëtarë. Vendimi ndryshon gjithashtu kriteret dhe koeficientët që shërbejnë për vlerësimin e të ardhurave, që sigurohen nga aktivitetet bujqësore dhe blegtorale në zonat rurale. Po ashtu, bashkitë e komunat me të ardhura të mjaftueshme nga taksat vendore mund të organizojnë projekte që të plotësojnë me fondet e veta pagën minimale, si dhe sigurimet shoqërore për pjesëmarrësit në këto punë komunitare. Shuma e përgjithshme e shpenzimeve do të përballohet nga buxheti i vitit 2008, ku për këtë zë për Ministrinë e Punës janë programuar 3.3 miliardë lekë, të cilat do t‘i përfitojnë rreth 93.000 familje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›