E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet Kodi Zgjedhor me ndryshimet që kërkoi Presidenti

Kuvendi në seancë plenare

Tiranë, 29 dhjetor 12:36 NOA – Deputetët e Kuvendit kanë votuar sot në mesditë me 116 vota pro, Kodin e ri Zgjedhor duke i hapur rrugë përfundimisht, ligjit të parapëlqyer me konsensus nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike

Në seancë morën pjesë 121 deputetë ndër 140 që janë mandatuar në Kuvend.

Pro Kodit të ri Zgjedhor votuan 116, kurse tre ishin kundër. Sakaq u regjistrua një abstenim, kurse një tjetër, nuk mori pjesë në votim.

***

Më herët, Arjan Madhi foli në emër të komisionit të posaçëm zgjedhor, si relator i projektligjit: “Komisioni u njoh me arsyet e kthimit të projektligjit nga Presidenti, i cili shihte pamundësi juridike dhe kushtetuese për dekretimin e datës së zgjedhjeve, zgjidhja u gjet tek miratimi i një dispozite tranzitore që i hap rrugën caktimit të datës së zgjedhjeve parlamentare 2009 nga kryetari i Shtetit”, - nënvizoi z. Madhi.

Njëkohësisht kryetar i grupit parlamentar të PR, Madhi tha se dispozita e miratuar nga komisioni bën të mundur që Presidenti i Republikës të nxjerrë dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve, pas hyrjes në fuqi të Kodit zgjedhor.

“Me këtë amendament, përjashtohet çdo mundësi për keqkuptim, apo keqintepretim lidhur me datën e zgjedhjeve”, - sqaroi Madhi.

Ai shtoi se tani, “Presidenti është i detyruar që në konsultë me partitë parlamentare, të dekretojë si datë të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare një nga dy datat e ligjshme të mundshme, 22 qershorin, ose 28 qershorin 2009”.

a.l/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›