Berisha, festë me fëmijët në nevojë në Elbasan
Fëmijët, koncert me këngë e recitime
Kryeministri: Nderime për ata që përkujdesen për fëmijët
Kryeministri Sali Berisha dhe bashkëshortja znj. Liri Berisha, ishin dje midis fëmijëve të Qendrës së Fëmijëve “Shtëpia e shpresës" dhe të Shtëpisë Bamirëse "Nënë Tereza" në qytetin e Elbasanit, për të festuar së bashku me ta Vitin e Ri. "Festat pa ju mbeten të heshtura", - iu drejtua fëmijëve Kryeministri Berisha. Fëmijët mirëpritën Kryeministrin me bashkëshorten me një koncert me këngë dhe recitime. Një vajzë 7-vjeçare, e cila qëndron në qendrën “Shtëpia e shpresës”, iu drejtua Kryeministrit me fjalët: "Krishtlindjet dhe Viti i Ri janë dy festa, të cilat ne fëmijët i presim me padurim, sepse kjo është një kohë që ne festojmë me gëzim dhe lumturi dhe kur presim edhe dhurata".
Më pas, në një atmosferë të gëzuar, Kryeministri Berisha dhe znj. Liri Berisha, e cila është edhe Presidente e Fondacionit “Fëmijët shqiptarë”, shpërndanë dhurata për fëmijët. Në Shtëpinë Bamirëse "Nënë Tereza", Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen më të thellë për kujdesin e veçantë që motrat e Nënë Terezës tregojnë për fëmijët e braktisur. “Ju shprehim nderimin më të madh për punën e jashtëzakonshme që ju bëni për kujdesin ndaj këtyre fëmijëve, për rritjen e atyre, të cilët janë në nevojë të madhe, por që me kujdesin dhe dashurinë tuaj ju u zëvendësoni familjen, shoqërinë dhe kryeni një mision shumë fisnik. Keni mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve, mirënjohjen e Zotit, që kujdeseni me kaq dashuri për fëmijët”.
Qendra "Shtëpia e shpresës" është hapur në qytetin e Elbasanit në vitin 1993. Tek "Shtëpia e shpresës" janë të akomoduar 14 fëmijë jetimë, ndërsa trajtohen me shërbim ditor 25 fëmijë. Qendra i ka ofruar mbështetje në edukim dhjetë fëmijëve romë, të cilët frekuentojnë çdo ditë qendrën ditore.
Shtëpia Bamirëse “Nënë Tereza” ofron kujdes dhe mbështetje për 28 fëmijë në nevojë. Me rastin e festave të fundvitit shtresat në nevojë kanë qenë në qendër të vëmendjes nga qeveria, organizata bamirëse, parti politike etj.