Opozita lëshon seancën

Me fillimin e punimeve të seancës plenare, në pjesën e dytë të ditë, shefi Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se në pjesën e parë të seancës është shkel kushtetuta dhe LDK për këtë qëllim nuk dëshiron të vazhdoj seancën.
“Me punimet që janë duke u bërë në këtë seancë, duke u shkel kushtetuta, ne si Grup Parlamentar do të lëshojmë seancën”, ka thënë Beqiri, siç transmeton Kosovapress.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se janë shkel procedurat dhe edhe ky grup parlamentar do ta lëshoj seancën.
“Me shkeljen e këtyre procedurave, ne nuk pajtohemi dhe do të lëshojmë sallën”, ka thënë Ymeri.
Atyre iu është bashkangjitur edhe Grupi Parlamentar i AAK-së. Shefi i këtij grupi, Ardian Gjini ka thënë se për këtë që po ndodh dikush duhet të vë gishtin në kokë dhe të mendoj.
“Me miratimin e shpejt të këtyre projektligjeve në mënyrë kaq të shpejt ne nuk dëshirojmë të vazhdojmë kështu dhe për këtë duhet të vë dikush gishtin në kokë”, ka theksuar Gjini.
Kryeparlamentarit Jakup Krasniqi nuk i ka mbetur tjetër, pos ta mbyll seancën dhe ajo të vazhdoj punimet nesër nga ora 10:00.
Në pjesën e parë të seancës, me 42 vota për, 36 kundër dhe 3 abstenime, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në lexim të dytë Ligjin për Radio Televizionin e Kosovës. Deputetët miratuan një nga një 21 amandamentet e propozuara, duke përfshi edhe amendamentin 6, propozim ky i Grupit Parlamentar 6 plus, pa përkrahjen e Komisionit funksional, i cili parasheh hapjen e kanalit të tretë për pakicat.