E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet Strategjia Kombëtare e Sigurisë në Punë



Këshilli Kombëtar i Punës miratoi dje Strategjinë Kombëtare të Sigurisë në Punë si edhe dy projektvendime për punësimin e të miturve dhe punët e vështira. Burime nga Ministria e Punës bëjnë të ditur se në listën e punëve të vështira janë shtuar disa profesione. Mbledhja e radhës e këtij këshilli në të cilin merrnin pjesë përfaqësues të qeverisë dhe partnerëve, punëdhënës dhe punëmarrës, u thirr nga ministri i Punës, z. Anastas Duro. Në rendin e ditës së mbledhjes së parë të KKP-së për vitin 2009 ishin përcaktuar për t’u konsultuar projekti i “Strategjisë Kombëtare të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, 2009-2013”, disa projektvendime “Për mbrojtjen e të miturve në punë” dhe “Për përcaktimin e punëve të vështira”, si dhe raporti statistikor për kontraktimin kolektiv për periudhën janar-dhjetor 2008. Duke u ndalur në pikën e parë të rendit të ditës, ministri i Punës, Duro, theksoi se “cilësia e punës dhe e punësimit është kthyer në një ndër pikat kryesore të Strategjisë së Lisbonës”. “Në këtë kuadër, - vazhdoi Duro, - Strategjia Kombëtare e SSHP-së, e cila po diskutohet sot, shpreh vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të siguruar kushte optimale të forcës së punës, brenda kushteve të qëndrueshme të zhvillimit ekonomik dhe social, si respektim i kushteve të denja të punës, të përcaktuara edhe në Kartën e të Drejtave të Njeriut”. Sipas ministrit të Punës: “Strategjia parashikon përmirësimin e sistemit të inspektimit nëpërmjet përafrimit të kuadrit ligjor me legjislacionin evropian, krijimin e një sistemi modern dhe unik të shërbimit të inspektimit të punës në të gjithë vendin dhe zhvillimin e një kulture parandalimi të rreziqeve në punë”. Drejtori i përgjithshëm i Politikave në Ministrinë e Punës, z. Gjergji Leka, u ndal në risitë që sjell ky dokument strategjik, duke theksuar se qëllimi i tij është ndërtimi i një shtegu të qartë për zhvillimin në të ardhmen të shërbimeve të sigurisë dhe shëndetit në punë. “Nëpërmjet saj ne synojmë që jo vetëm Inspektorati Shtetëror i Punës të kontribuojë në arritjen e vendeve të punës më të sigurta dhe të shëndetshme, por edhe përfshirjen e më shumë institucioneve dhe opinionit për ta bërë më produktiv vendin e punës, nga e cila të përfitojmë të gjithë”. “Dokumenti evidenton sektorët më problematikë, ku shqetësues është numri i lartë i aksidenteve në punë dhe sëmundjeve profesionale, ku veçohen ndërtimi, minierat, ndërmarrjet e nxjerrjes dhe përpunimit të mineraleve etj.”, - u shpreh Leka. Duke u ndalur në prioritetet strategjike dhe objektivat e këtij dokumenti, Leka theksoi se veç të tjerash “në të përcaktohet reduktimi i numrit të aksidenteve në punë dhe sëmundjeve profesionale në Shqipëri në masën 15%, për periudhën 2009-2013”. Leka përmendi se me qëllim ndjekjen dhe zbatimin e këtij dokumenti politikash, është menduar edhe ngritja e një komiteti ndërministror “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, pasi fushat që ai përfshin, por edhe institucionet përgjegjëse, janë të larmishme, duke filluar nga Inspektorati Shtetëror i Punës, Inspektorati i Inspektim-Shpëtim-Minierave, Inspektorati i Enëve nën Presion etj. Leka sqaroi se dokumenti nuk përfshinte sektorin bujqësor, pasi është menduar se pas konsolidimit të këtij procesi në sektorët e tjerë, strategjia të përfshijë edhe punët në bujqësi. Partnerët, njëherazi anëtarë të KKP-së, përshëndetën nismën e hartimit për herë të parë të një dokumenti të tillë dhe kërkuan bërjen eficient të tij në një kohë sa më të shkurtër. Në fund, Këshilli miratoi draftin strategjik si dhe VKM-në për mbrojtjen e të miturve në punë dhe përcaktimin e punëve të vështira, të cilat pritet të kalojnë së shpejti për miratim në Këshillin e Ministrave.

Fëmijët e dhunuar, UNICEF-i hap numër për këshillimet

Përmes një numri telefonik, të gjithë fëmijët e dhunuar do të këshillohen dhe ndihmohen. UNICEF-i në Shqipëri do të promovojë gjatë ditës së sotme hapjen e numrit 116 i cili do t’u vijë në ndihmë të gjithë atyre fëmijëve që ndihen të kërcënuar apo të dhunuar. Kjo linjë do të jetë në dispozicion të çdo fëmije përgjatë 7 ditëve të javës, gjatë 24 orëve. Kështu, për herë të parë në Shqipëri, të gjithë fëmijëve do t’u sigurohet një linjë telefonike kombëtare falas, për të kërkuar ndihmë në rastet kur ato ndihen të kërcënuar ndaj çdo lloj forme keqtrajtimi. Linja 116 do të jetë në dispozicion të çdo fëmije, nëpërmjet këshillimit dhe ndihmës në raste emergjente, 24 orë në ditë, gjatë 7 ditëve të javës. Prezantimi i kësaj linje do t’u bëhet të pranishmëve të cilët janë përfaqësues të qeverisë shqiptare, z. Genc Pollo, zv.kryeministri i Shqipërisë, z. Detlef Palm, përfaqësues rezident i zyrës së UNICEF-it në Shqipëri, si dhe përfaqësues nga Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, OJF-të që punojnë për fëmijët, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike Postare, operatorët e telefonisë fikse dhe asaj celulare, përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë të të drejtave të fëmijëve etj. Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijët në Shqipëri-ANCH, është një shërbim që vjen në mbrojtje të fëmijëve, për problematikat që ndeshin fëmijët në lidhje me keqtrajtimin, si dhe sigurimin e bashkëpunimit të institucioneve publike dhe private në mbrojtje të

fëmijëve në Shqipëri.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›