E Diel, 1 Nëntor 2026

Suedia, 2.7 milionë euro Shqipërisë në mbështetje të integrimit evropian



Suedia garanton mbështetjen e saj për integrimin evropian të Shqipërisë, duke nënshkruar dhe një marrëveshje bashkëpunimi dhe granti prej 2.7 milionë eurosh. Në Ministrinë e Financave u nënshkrua dje një marrëveshje bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Suedisë, e përfaqësuar nga Agjencia Suedeze për Zhvillim (SIDA). Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje kuadër, pala suedeze vë në dispozicion për programet dhe projektet që do të realizohen për periudhën 2009–2012 një kontribut në formën e grantit deri në 90 milionë SEK për çdo vit, ose rreth 2.7 milionë euro në total. Në emër të qeverisë shqiptare, marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Financave, z. Ridvan Bode, i cili falënderoi qeverinë suedeze për ndihmën, duke theksuar se kjo do të rrisë më tej bashkëpunimin mes dy vendeve. Ndërkohë në emër të palës suedeze ka përshëndetur nënshkrimin e marrëveshjes z. Joakim Stymne, zv.ministër për Bashkëpunimin për Zhvillim, i cili garantoi për mbështetjen e Suedisë në rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë, realizimin e reformave, si dhe rritjen e bashkëpunimit në mbështetje të këtij qëllimi. Në përputhje me Axhendën e Parisit dhe kodin e sjelljes së BE, bashkëpunimi do të përqendrohet në dy sektorë kryesorë: Qeverisja demokratike dhe të drejtat e njeriut, si dhe përdorimi i qëndrueshëm i burimeve njerëzore, mjedisit dhe mbështetja në shoqërinë civile.

AMC dhuron 600 pemë bliri për Bashkinë e Kamzës

Nisma e Bashkisë së Kamzës “Qytet i gjelbër, qytetarë të shëndetshëm” është mbështetur nga kompania celulare AMC, e cila bëhet pjesë e këtij projekti në kuadrin e kontributeve të saj sistematike në shoqëri dhe veçanërisht në shërbim të mjedisit. Përgjatë gjithë “Bulevardit Blu” të Kamzës do të mbillen 600 rrënjë bliri, dhuruar nga kjo kompani, në kuadër të shtimit të sipërfaqeve të gjelbra dhe angazhimit për qytetarë të shëndetshëm. Pemët do të gjelbërojnë bulevardin në një gjatësi prej 2 km, nga rrethrrotullimi i qendrës në “Bulevardin Blu”, deri tek Universiteti Bujqësor. Mbjellja e pemëve ka filluar disa ditë më parë, ndërkohë që dje për të parë nga afër ecurinë e punës për gjelbërimin e qytetit ka shkuar drejtori ekzekutiv i AMC, z. Stefanos Oktapodas, i shoqëruar nga kryebashkiaku i Kamzës, z. Xhelal Mziu. Kryetari i Bashkisë së Kamzës, pasi falënderoi AMC për gjelbërimin, drejtori ekzekutiv i AMC, në emër të kompanisë që ai drejton shprehu kënaqësinë e veçantë për kontributin në fushën e mjedisit dhe veçanërisht të gjelbërimit të Kamzës. “Siguroj kryetarin e bashkisë si dhe banorët e Kamzës, - deklaroi z. Oktapodas, - se AMC do të vazhdojë t’ju mbështesë pasi është gjithmonë pranë komunitetit jo vetëm me shërbimet dhe produktet që ofron, por duke kontribuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve, duke kthyer kështu një pjesë të besimit që na është dhënë prej tyre”. Këshilli Bashkiak i Kamzës i ka vendosur emrin “AMC” një prej rrugëve të qytetit në respekt të kontributit të kësaj kompanie, për mbështetjen e saj të vazhdueshme në mbarë vendin, e në veçanti, në Kamëz.

Kryetari i Bashkisë së Kamzës, z. Xhelal Mziu, i dorëzoi drejtorit ekzekutiv të AMC, z. Stefanos Oktapodas, çmimin “Mirënjohja e qytetit” në shenjë falënderimi për ndihmën që po jep në gjelbërimin e Kamzës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›