E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njohja, kthimi dhe kompensimi i pronave, sukses dhe peng i kohës



Nga Helga Vukaj*

Sot, procesi i njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave ish-pronarëve mund të konsiderohet procesi më i vështirë, për realizimin me sukses të të cilit reforma duhet të vazhdojë fuqishëm, ashtu siç edhe në ditën e parë është ekspozuar nga forca politike që qeveris sot vendin. Prej afro katër vjetësh, njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronës kjo forcë politike e ka pasur dhe e ka nga përparësitë e qëllimeve të saj e kjo për vetë rëndësinë që ka prona, si fondament për zhvillimin e vendit, në rrugën e njohur tashmë të botës së zhvilluar. Si parti e përgjegjshme, që kalendar të jetës së saj nuk ka zgjedhjet e ardhshme, por të ardhmen në tërësi, Partia Demokratike nuk e ka parë çështjen e pronës si një çështje që do të prodhojë gjithnjë politikë e konsum politik.

Politikë me këtë çështje kjo forcë ka bërë kur i dha të drejtës së pronës vendin që i takonte, si pjesë e pandarë e të drejtave themelore të individit. Në atë moment e më pas, gjithnjë shqetësimi ka qenë dhe mbetet, ai i realizimit në praktikë i kësaj të drejte të mohuar padrejtësish përmes akteve represive e regresive në të njëjtën kohë, në mënyrë që drejtësia në tërësi të ketë këtë komponent pa të cilin as ajo nuk ka kuptim.

Seriozitetin në trajtimin e kësaj çështjeje e shpreh më së miri së pari nisma ligjore përmes së cilës u krijua Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (organ monokratik, përmes të cilit përgjegjësia bëhej më evidente dhe e centralizuar) duke suprimuar ish-Komitetin Shtetëror të Kthimit e Kompensimit të Pronave, organ kolegjial dhe që përgjigjej përpara Kuvendit të RSH-së, që partia tashmë në opozitë e kishte ngritur duke politizuar me politikë atë problem që politika e sotme duhet dhe po e zgjidhte thjesht me teknikë e me teknicienë, sepse politika në këtë problem fillon e mbaron me të drejtën fondamentale të pronarit të ligjshëm për t'iu njohur, kthyer e kompensuar pronën e tij, të marrë arbitrarisht nga regjimi i kaluar.

Kalimi nën detyrimin e një agjencie qeveritare të realizimit të këtij procesi shpreh në radhë të parë mbartjen e përgjegjësisë nga qeveria e Partisë Demokratike, e cila nuk do të fshihet pas komiteteve dypalëshe, që në vend që të unanimizojnë vendimmarrjen dhe rezultatin për të, synojnë ta anonimizojnë atë, duke shpërndarë përgjegjësinë për mossukses. Asaj vendimmarrjeje me dy palë, i shkon për shtat ai proverbi i popullit që thotë: "Një njeri me dy fytyra e quajnë të pafytyrë", duke shprehur kaq filozofikisht dëmin që i sjell më shumë nga sasia, cilësisë.

Kjo marrje përgjegjësie shpreh së dyti, bindjen në forcën e saj për këtë parti se mund dhe do ta zgjidhë çështjen e pronës, duke trajtuar e rregulluar tërë elementët përbërës, pa të cilët zgjidhja nuk mund të vijë (kujtoj amendimet në ligj dhe vullnetin e implementimit të nenit 16/ç si mjet i jashtëzakonshëm për rregullimin e drejtë të çështjeve të pronësisë përmes shqyrtimit kryesisht të vendimeve të KKKP-së dhe ish KVKKP-së me indicie Avokaturën e Shtetit, Departamentin Antikorrupsion dhe të tjerë të tretë ose edhe vetë AKKP-ja, kur konstaton mbivendosje ose evidenton elementë të tjerë gjatë vlerësimeve të pretendimeve të një subjekti).

Këtë synim të sinqertë për ta trajtuar këtë problem nuk e gjej tek politika para katërvjeçare, të cilët mendoj se me politikë e vetëm me politikë, e aspak me hapa e vendimmarrje teknike, kanë dashur ta zvarritin këtë çështje, duke vërtetuar sloganin “drejtësi e vonuar - drejtësi e munguar”.

Mendoj se pështjellimi dhe çorganizimi i organizuar kanë synuar që të përfitojnë ata që e kanë bërë atë pështjellim, duke e bindur edhe kërkuesin e së drejtës së ligjshme, në pamundësinë e realizimit të saj, madje duke arritur që disa syresh t'i demotivojnë deri dhe për të paraqitur dokumentacionin për pronën e ligjshme, që ligjprodhuesit e mëparshëm e lakmonin në vend që ta respektonin.

Zgjidhja e çështjes së pronës është në vendin e duhur. Përdora fjalën "vendin e duhur" e jo rrugën e duhur, pasi, vërtet që kjo çështje kërkon shumë më tepër se një rrugë. Kërkon një "urbanizim" të përgjithshëm me qëllim që të funksionojë, pasi imagjinoni sa definitive do të ishte zgjidhja përfundimtare e çështjes së pronës, pa zgjidhur identifikimin e shtetasve, pa zgjidhur identifikimin e pronës.

Vështirësitë janë të gjithfarëllojshme, nga ato objektivet e deri tek subjektivet (këto të dytat edhe më të vështira). Kështu, në Shqipëri mungon një regjistër themelor përfundimtar i pronës, mungon një hartë ku të jetë shënuar e identifikuar çdo pronë dhe çdo lloj regjimi pronor apo edhe vetë ato prona që janë objekt i Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Akoma nuk ka një identifikim të saktë ndër vite për regjistrimin e tokave bujqësore të shpërndara me ligjin 7501 e përveç kësaj, mosndalja e zbatimit të këtij ligji deri para pak vitesh dhe për më keq transformimi i objektit të tij (shpërndarë sot me certifikatë pronësie pyje e kullota, gjë që pas sjell paaftësinë e një organi administrativ si AKKP për t’u rënë ndesh këtyre akteve tashmë të regjistruara në ZVRRPP, duke u bërë pengesë në të njëjtën kohë për disponimin nga kjo Agjenci me kthim fizik të pronës ish-pronarit, por me njohje të së drejtës për kompensim, duke rritur pa dashje faturën e qeverisë, pasi këto vendime të gabuara të komisionit për ndarjen e tokës pranë këshillit të rrethit, komunës dhe fshatit mund të atakohen dhe identifikohen vetëm nga struktura e posaçme aktuale e ngritur tashmë për identifikimin e shpërndarjes së tokave bujqësore në bazë të ligjit 7501). Pra, nisur nga ky ngërç, i mbartur ndër vite, objektivi i kthimit të pronës tek i zoti realizohet idealisht dhe jo konkretisht, ndaj ky proces duhet të vazhdojë.

Gjithashtu, institucionet që kanë lidhje me çështjen e pronës, nuk kanë të njëjtin qëndrim për zgjidhjen e saj. Kështu, bashkitë dhe entet që përfaqësojnë e duhet të mbrojnë interesa publike, spekulojnë me emërtimin e tyre duke cenuar interesa publike, sa kohë që në vend të detyrimit për t'i njohur pronën pronarit, sajojnë një mijë e një marifete për t'ia marrë këtë pronë, gjoja në interes të publikut. Kaq e ndjeshme dhe individuale, siç është pronësia, të gjitha këto kanë përfunduar në prova fajësie për përfituesit e padrejtë të pronës.

Në shumë e shumë raste dhe pragmatizmi i njerëzve ka bërë që procesi të deformohet, me mbivendosje, e dokumente që nga vërtetues të një fakti juridik janë kthyer në pronarë mbi pronarë, ku deri më tani asnjë prej të klonuarve nuk e ka gëzuar i qetë pronën dhe ka sjellë vështirësinë e ndërhyrjes sot për rregullimin e drejtë të çështjes në rrugë administrative me qëllim kthimin e pronës tek i zoti (pasi kemi arkiva të djegura gjë që vështirëson provimin e gëzimit në vazhdimësi të tagrave të pronarit dhe vërtetësinë e vet aktit, ose kemi ndërhyrje nga gjykatat, fakte për të cilat organi administrativ (madje edhe duke bërë pozicionime jo reale në varësi të asaj çfarë do të deklaronin dëshmitarët – çfarë e bënte hartën e pronës më shumë subjektive sesa rikthim në identitet dhe për të gjitha këto sot AKKP-ja nuk ka dijeni përveçse kur pranë saj paraqiten palët)).

Vetë shteti dhe entet e tij nuk janë sjellë deri më sot si pronarë të asaj çka është e tyre. Kjo sjellje liberale e pronarit-shtet konsiston në lënien e pronave të tij në mëshirë të fatit, pa menaxhim e përkujdesje, pa regjistrim dhe hipotekim, duke bërë që ato të mos prodhojnë të mira në interes publik, çka është dhe qëllimi i pronës në thelb.

Gjithashtu, edhe për ato prona që janë identifikuar e ndodhen nën inventarizimin e enteve apo institucioneve vendore apo shtetërore, sot duhet t’u kthehen të zotëve, për aq kohë sa mbi to nuk rezulton të jetë evident interesi publik dhe jo të magazinohet në listën e atyre pronave të cilave në të ardhmen do t’i atashohet një plan rregullues për ndryshim destinacioni. Në rast se kjo është realizuar, atëherë që të gjitha këto institucione pas një evidentimi paraprak të ish-pronarëve të njohur me vendim në këto sipërfaqe t’i shpërblejnë menjëherë për shpronësimin e pjesëve takuese, me qëllim që ky i fundit të mos presë pa fund realizimin e tagrave të tij de facto.

Tashmë, po kualifikojmë stafet teknike për hartën dixhitale e për ta zgjidhur problemin e jo shtyrë zgjidhjen, me qëllimin që pasi të akuzohet dikush për sabotazh, të bëhet ripremtimi për zgjidhje pas zgjedhjesh.

Zgjedhjet e 2005-s, mendoj se për këtë problem kanë përcaktuar dhe zgjidhjen, për të cilën pronarët e ligjshëm nuk janë objekt, por subjekt i saj.

*Zv.drejtor i përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›