E Shtunë, 31 Tetor 2026

Realizohet suksesshëm transplanti i parë i veshkave



Për më shumë se katër orë mjekët shqiptarë dhe tre kirurgët italianë kanë kryer dje në QSUT transplantin e veshkave. Pas përfundimit të transplantimit, mjekët komunikuan se operacioni rezultoi i suksesshëm dhe se 19-vjeçarja, Matilda Gode, dhe i ati 50-vjeçar, Ndreci Gode, gëzojnë shëndet të mirë.

Pas operacionit

Operacioni rezultoi i suksesshëm. Kështu e cilësuan nefrologët dhe urologët transplantin mbi Matildën 19-vjeçare. Pas disa orë transplantimi, mjekët u shprehën se gjendja pasoperacionale e Matildës dhe babait të saj është e mirë. Ndërkohë, theksuan se ky lloj operacioni është tejet delikat dhe se duhet mbajtur nën vëzhgim ecuria pasoperacionale e të dy pacientëve.

“Edhe unë isha pjesë e stafit mjekësor që kryen transplantin, kolegëve shqiptarë me asistimin e kolegëve italianë. Ekipi u drejtua nga prof. dr. Mustafa Xhani dhe profesor Batalja. Operacioni shkoi shumë mirë”, - u shpreh prof. dr. Nestor Thereska. Ndërsa profesor doktor Mustafa Xhani, mjeku i cili ka drejtuar operacionin u shpreh: “Transplanti që realizuam mbi 19-vjeçaren rezultoi i suksesshëm. Tani babai dhe vajza janë mirë. Transplanti nuk është një operacion i zakonshëm. Ky lloj operacioni është tejet delikat, ai kërkon një vëmendje tejet të veçantë edhe pas transplantimit. Stafi mjekësor i urologjisë dhe nefrologjisë janë në dispozicion të plotë. Shpresojmë që fillimi i mbarë të jetë gjysma e punës”.

Ndërkohë prof. dr. Xhani pohoi se tashmë është krijuar një listë me pacientët që do të kryejnë transplantin e veshkave. “Kemi një listë, por këto do të realizohen hap pas hapi. Operacioni tjetër do të kryhet gjatë muajit prill dhe në plan për këtë vit janë rreth 10 transplante”, - konfirmoi Xhani. Kirurgu italian dr. A. Batalja e quajti transplantin një sukses të madh, i arritur falë bashkëpunimit mes mjekësisë shqiptare dhe rajonit të Puljas.

“Do ta konsideroja një sukses të madh edhe nga pikëpamja mjekësore bashkëpunimin e mjekëve urologë, nefrologë dhe imunologë. Unë e kam ndjekur që në hapat e parë ndërtimin e klinikës urologjike. Kryerja e transplantit të veshkave për herë të parë në spitalin publik është me të vërtetë një sukses edhe për qeverinë shqiptare”, - përfundoi dr. Batalja.

Thereska: Si u krye transplanti

Nga ana tjetër, profesor doktor Nestor Thereska e konfirmoi edhe një herë suksesin e këtij operacioni, duke pohuar se realizmi i transplantit në Shqipëri hapi një tjetër faqe për shëndetësinë e vendit tonë.

Cilat janë emocionet e para?

Më në fund ia arritëm kësaj dite. Personalisht, e quaj ditën më të gëzuar dhe më të shënuar të jetës sime, sepse prej ditës së sotme(dje) nefrologjia, urologjia, imunologjia shqiptare dhe mjekësia në përgjithësi kanë hyrë prej ditës së sotme në Bashkimin Evropian. Falë këtij projekti u realizua ky transplant. Por nuk duhet të harrojmë se pati një koordinim perfekt nga ana e doktor Bardh Spahisë i cili e ka ndjekur prej tre vjetësh këtë projekt. Falë Ministrisë së Shëndetësisë dhe kontributit të pashlyer përgjatë këtyre tre vjetëve të prof. Sali Berishës, ai më ka inkurajuar, pasi bërja transplantim të veshkave do të jetë pikënisja e bërjes së transplantimit të kockave, të mëlçisë dhe e një të ardhmeje të shkëlqyer të transplanteve në Shqipëri.

Pas operacionit, si paraqitet gjendja shëndetësore e pacientes?

Edhe unë isha pjesë e stafit mjekësor që kryen transplantin, kolegëve shqiptarë me asistimin e kolegëve italianë. Ekipi u drejtua nga prof. dr. Mustafa Xhani dhe profesor Batalja. Operacioni shkoi shumë mirë. Ne kemi krijuar një sallë operacioni tejet moderne që do ta kishte zili çdo shtet i Ballkanit. Në të janë investuar me miliona euro, për pajisjen e sallës së urologjisë dhe laboratorit të imunologjisë.

Sa persona janë në listën e pritjes për të kryer transplantin?

Tani ne jemi të bindur se jemi të përgatitur që të vijojmë me bërjen e transplanteve. Që nesër ne mund të bëjmë transplantin e dytë e kështu me radhë.

Sa operacione mund të përballohen?

Unë, për një vend si Shqipëria, duke e krahasuar me Greqinë, Malin e Zi, Maqedoninë, do të isha i kënaqur si shef shërbimi që të mjaftoheshim me një numër deri në 15 pacientë.

Spahia

U shënua një kthesë në shëndetësinë shqiptare

Bardh Spahia, drejtor në Drejtorinë e Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë, tha se kjo shënon një ditë të madhe, një ditë kthese në shëndetësinë shqiptare, realizimi i këtij transplanti vlerëson faktin që pati një impenjim të gjerë të të gjitha strukturave të shtetit faktin se ka përmirësim të sistemit shëndetësor në përgjithësi. “...pasi janë mbështetur shumë struktura të nevojshme për realizimin e këtij transplanti. Nga ky operacion tregohet një fakt tejet i rëndësishëm, që Shqipëria po ndryshon, pasi vetë fakti që bashkëpunime të tilla me palën italiane, me profesorët e Universitetit të Barit kanë treguar se Shqipëria është një vend i besueshëm”, - tha Spahia.

Godo

Hapet rruga për transplante të tjera

Nga ana tjetër, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, pasi përshëndeti dhe falënderoi ekipin mjekësor shqiptar dhe kirurgët italianë, tha se realizimi i transplantit të veshkave hap rrugën për realizmin e mëtejshëm të këtij lloj operacioni. “Të gjithë ne si mjekë, si qytetarë, jemi të gëzuar që çdo gjë vajti mbarë. Unë falënderoj me zemër Rajonin e Puljas që mundësoi realizimin e këtij projekti. Falënderoj ekipin e urologjisë të drejtuar nga prof. dr. Mustafa Xhani, ekipin e imunologjisë dhe nefrologjisë. Gjithashtu, edhe drejtorinë e QSUT-së të cilët u gjendën të gatshëm për çdo lloj eventualiteti. Ky është një ogur i mirë për të gjitha operacionet e tjera që do të kryhen. Ky është një shërbim i ri në shëndetësinë shqiptare dhe fillimisht shërbimet e reja bëhen me asistencën e mjekëve të huaj për të arritur një profesionalizëm më të lartë. Transplanti i dytë mbase do të jetë me më shumë mjekë shqiptarë dhe me më pak italianë. Dhe transplantet e tjera do të bëhen thjesht nga profesionistët tanë”, - tha Godo.

Transplanti “pezullon” operacionet te urologjia

Urgjencat, në Spitalin Ushtarak. Shkak, mungesa e mjediseve për shkak të transplantimit të veshkave.

Blerta Mrishaj

Por, jo të gjithë kanë qenë të kënaqur nga transplantimi i parë i veshkave. Kjo, pasi një sërë pacientësh janë dërguar drejt Spitalit Ushtarak nga QSUT-ja, për shkak të mungesës së mjediseve. Urologjia ka pezulluar kryerjen e çdo lloj operacioni, ndërsa rastet e urgjencës janë dërguar në Spitalin Ushtarak në Laprakë. Prej më se një jave të gjithë pacientët që i janë drejtuar urologjisë për të kryer ndërhyrje kirurgjikale, kanë marrë përgjigje negative nga mjekët. Ndërsa të gjitha rastet e urgjencës e paraqitura janë dërguar me ambulancë në SU.

Pezullimi

Asnjë pacient nuk është marrë përsipër nga mjekët për të kryer ndërhyrje kirurgjikale dhe aq më tepër për t’u shtruar. Urologjia prej një jave ka pezulluar aktivitetin normal, duke u përqendruar vetëm në realizmin e transplantit të veshkave. Kështu, i gjithë pavijoni është boshatisur duke liruar të gjitha dhomat, ndonëse janë zënë vetëm dy dhoma, pasi u realizua vetëm një transplant në dy pacientë. I gjithë stafi mjekësor ka qenë tejet i përqendruar mbi organizmin dhe realizmin e suksesshëm të transplantit të veshkave.

Siç mësohet edhe nga burime pranë këtij pavijoni, nuk dihet se kur do të fillojë puna normale në urologji, për shkak të përqendrimit së tepërmi mbi transplantin e veshkave.

Normaliteti

Kthimit në normalitet të këtij pavijoni do t’i duhet edhe pak kohë. Ndonëse i gjithë stafi mjekësor i urologjisë paraqitet çdo mëngjes pranë pavijonit, ata pothuajse janë në gjendje pushimi, pasi ndjekja e pacientëve që do të operoheshin, është vetëm me sy. Të gjithë pacientëve, që janë paraqitur për t’u shtruar apo operuar, u është komunikuar nga mjekët që janë pezulluar shtrimet dhe operacionet për një kohë të papërcaktuar.

Nuk dihet se kur mund të kthehen për t’u operuar këta pacientë. Ndërkohë që rastet, të cilat janë paraqitur në gjendje të rëndë shëndetësore, janë dërguar me ambulancë për në Spitalin Ushtarak.

Pacientët pohojnë se megjithëse kishin planifikuar edhe datën e ndërhyrjes, janë detyruar ta shtyjnë atë. “Erdhëm për t’u operuar, por na thanë që nuk mundemi pasi mjekët janë të zënë me transplantin e veshkave”, - shprehen pacientët. Të tjerë pacientë që kishin udhëtuar nga rrethet për t’u shtruar në urologji, janë vënë në dijeni të vendimit vetëm kur janë paraqitur në derën e pavijonit. “Me rekomandim nga mjeku dhe me të gjitha në rregull kam ardhur nga Berati për t’u shtruar dhe më thanë që nuk ka shtrime se po bëhet transplanti i veshkave. Ndërkohë që nuk thuhet se kur mund të vijmë”, - shprehet pacienti nga Berati. Kryerja e transplantit të veshkave në QSUT dhe pikërisht në një sallë tejet moderne në ambientet e urologjisë duket se ka pezulluar për momentin aktivitetin normal të këtij shërbimi, duke bërë që pacientët e tjerë të mos trajtohen me shërbim mjekësor.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›