E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet akti për rivlerësimin e pasurive

Sipas zv/ministrit të Financave, Aflred Rushaj, nevoja për një shtyrje të dytë të këtij afati erdhi pas fluksit të madh të qytetarëve për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme.

Ai bën me dije se deri tani janë legalizuar 4.6 miliardë lekë asete nga individët dhe 3.1 miliardë lekë nga biznesi. Rushaj bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe janë legalizuar 506 milionë lekë makineri dhe pajisje, ndërsa ka patur 46 mijë aplikime nga individët për rivlerësimin e pasurive me vlerë 211 miliardë lekë.

Opozita e kundërshtoi këtë vendim të qeverisë. Deputeti Arben Malaj tha ligji ka vepruar në mënyrë spontane dhe qeveria nuk ndërmori fushatë sensibilizuese, por fushatë frike, duke kërcënuar biznesin për penalitete pas përfundimit të procesit të amnistisë dhe se tatimpagusit do të paguanin më shumë.

Nevoja për të ndryshuar afatin ka ardhur kryesisht për shkak të rritjes së fluksit të kërkesave të qytetarëve, veçanërisht gjatë 2 muajve të parë të këtij viti, por lidhet edhe me sezonin turistik, ku në vendin tonë pritet të kthehet një numër i madh emigrantësh, të cilët do të mund të rivlerësojnë pasuritë e tyre. Amnistia fiskale për faljen e detyrimeve doganore dhe tatimore nisi zbatimin në maj të vitit 2011./Start/

                                                                                             2012-04-11 14:25
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›