E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet akti, shpërblime për festat për 600 mijë familje



Berisha, i sigurt për rritjen ekonomike dhe fitoren e zgjedhjeve

Opozita nuk merr pjesë në punimet e Kuvendit

Kuvendi miratoi dje aktin normativ për një ndryshim në Buxhetin e Shtetit, duke miratuar rishpërndarjen e 12 miliardë lekëve nga të cilat do të përfitojnë shpërblim për festat e fundvitit rreth 600 familje shqiptare. Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në Kuvend se ky shpërblim për qytetarët erdhi si rezultat i mirëmenaxhimit të fondeve. Ai tha se këtë vit do të përfitojnë rreth 600 mijë familje, duke e bërë vitin 2008 si vitin më të mbarë për buxhetorët për shkak se asnjëherë më parë nuk është ndarë kaq shumë shpërblim për ta. Ndërkaq, në listën e përfituesve do të jenë punonjësit e administratës, ku nuk do të përfitojnë më pak se 100 mijë lekë dhe pensionistët e të gjitha kategorive do të përfitojnë nga 50 mijë lekë të vjetra. Berisha tha se kjo qeveri ka bërë të mundur që çdo vit të ketë shpërblime, ndërkohë që në 8 vitet e socialistëve, vetëm një vit u nda shpërblim për pensionistët në masën 25 mijë lekë të vjetra. “Si rezultat i menaxhimit të mirë nga ana e qeverisë, ku vetëm nga prokurimet janë kursyer 12 për qind më shumë, këtë vit do të përfitojnë pensionistët shpërblim, por edhe një gamë më e madhe qytetarësh në krahasim me vitet e kaluara”, - tha Berisha. Ky akt normativ kaloi me 74 vota pro, pasi opozita nuk erdhi fare në seancë për shkak të ultimatumit të saj se do të bojkotojë Kuvendin deri në ardhjen e Kodit Zgjedhor në sallë. Të pranishëm nga opozita ishin vetëm Pëllumb Xhufi, Nikollaq Neranxi nga LSI-ja dhe Angjelina Kola nga PSD-ja, të cilët abstenuan.

Më pas, Berisha tha se ky menaxhim ka ardhur si rezultat edhe i reformave dhe rritjes ekonomike. Ai tha më tej se Shqipëria ka një rritje ekonomike dyshifrore dhe ftoi opozitën të verifikojë shifrat, që sipas tij, janë të certifikuara nga FMN-ja. “Shqipëria ka pasur një rritje ekonomike të mrekullueshme e cila ka qenë e certifikuar nga fillimi në fund nga FMN-ja. Kemi dy vjet që negociojmë me FMN-në për të zgjidhur problemin e rritjes ekonomike, pasi ishim i vetmi vend që rritjen ekonomike të një viti e nxirrnim tre muaj më vonë të vitit pasardhës. Të gjithë treguesit pa përjashtim i kalojnë ekspertit të FMN-së. Opozita i ka të gjitha mundësitë, si dhe të gjithë ish-drejtuesit e institucionit, le të shkojnë t’i verifikojnë shifrat”, - tha Berisha. Kryeministri parashikoi se edhe vitin e ardhshëm do të ketë rritje të lartë ekonomike dhe duke mos dashur të japë një shifër konkrete, ai e paralelizoi me bindjen e tij për fitore në zgjedhjet e ardhshme. “Vitin e ardhshëm Shqipëria do të jetë sërish në një rritje të fuqishme. Nuk them shifra sepse... e keni vënë re ju se kur nuk them shifra për zgjedhjet, si mund të them për ekonominë! Unë them se do të fitojmë dhe e marr fitoren si bizhu, e madhe apo e vogël, është bizhu ajo. Ky është qëndrimi im, ndaj dhe nuk them shifra, por them se do të ketë rritje të fuqishme”, - deklaroi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›