Topi, 7 ditë afat për të caktuar datën e zgjedhjeve
Ndryshohet Kodi Zgjedhor i kthyer nga Presidenti
LSI, mundësia e fundit, në seancën e së hënës
Presidenti i Republikës ka 7 ditë afat për të caktuar datën e zgjedhjeve pas hyrjes në fuqi të Kodit Zgjedhor. Komisioni i Reformës Zgjedhore miratoi dje një dispozitë kalimtare për përcaktimin e datës së zhvillimit të zgjedhjeve nga ana e Presidentit të Republikës. Në këtë mënyrë, komisioni i dha fund punës së tij qysh në mbledhjen e dytë, duke mos marrë në shqyrtim asnjë prej kërkesave të dorëzuara nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Megjithatë, seanca e ditës së hënë është mundësia e fundit për këto amendamente, pasi pritet që kërkesat e saj të merren në shqyrtim nga deputetët.
Në një njoftim nga zyra e shtypit e Kuvendit thuhet se Komisioni i Reformës Zgjedhore mori në shqyrtim dekretin e Presidentit të Republikës, i cili kishte kritikuar vetëm nenin që kishte të bënte me dekretimin datës së zgjedhjeve. Sipas këtij neni, data caktohej 9 muaj para zgjedhjeve, ndërkohë që parashikohej që ato të bëheshin në qershor, duke krijuar një ngërç datash. Kuvendi bën të ditur se komisioni mori në shqyrtim propozimin e grupit të ekspertëve dhe miratoi një dispozitë kalimtare që përcakton periudhën kohore për nxjerrjen e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve. Dispozita parashikon që “Presidenti i Republikës nxjerr dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve të radhës për Kuvend të vitit 2009, jo më vonë se 7 ditë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, në përputhje me pikën 1 të nenit 9 të këtij kodi”. Në një përllogaritje të thjeshtë sipas këtij formulimi Presidenti mund të zgjedhë datën 21 ose 28 qershor të vitit 2009 si datën e zhvillimit të zgjedhjeve.
Në njoftimin e djeshëm nënvizohet se puna e këtij komisioni përfundon me miratimin e kësaj dispozite, por mbetet ende një shpresë për LSI-në, sepse kërkesat e saj priten të merren në shqyrtim, jo më nga komisioni, por në seancë, duke shuar përfundimisht shpresat e Lëvizjes Socialiste për Integrim që të përfshihet në administrimin e zgjedhjeve. “Me miratimin e kësaj dispozite Komisioni i Reformës Zgjedhore përfundoi punën e tij për shqyrtimin e dekretit. Raporti i komisionit do t’i paraqitet Kuvendit për shqyrtim dhe miratim”, - thuhet në njoftim. Ditën e hënë, ku pritet të zhvillohet seanca e fundit parlamentare për këtë vit, do të kalojë për miratim Kodi Zgjedhor. Ligji i ri elektoral u miratua që në muajin nëntor, por dekreti i Presidentit e riktheu atë sërish në Kuvend. Presidenti kërkoi rregullime të mëtejshme për nenet 8 dhe 9 të këtij ligji, duke arsyetuar se mënyra se si ishte formuluar ai, nuk i jepte mundësi që të shpallte datën e zgjedhjeve pa shkaktuar përplasje me Kushtetutën. Kthimi i ligjit mundësoi ringritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore e si rrjedhojë, rriti shpresat për partitë kontestuese si LSI-ja apo PDK-ja. Pavarësisht refuzimit të PS-së për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesave të tyre, LSI-ja dorëzoi në komision propozimet e saj dhe bazuar në nenin 86 të rregullores së Parlamentit, pika dy e tij kërkoi që veç dekretit të Presidentit të diskutoheshin dhe kërkesat e saj.