E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet buxheti i KQZ-së për 2011, 102.2 milionë lekë

12/01/2011  Punonjësit këtë vit do të paguhen më shumë se vitin e kaluar

Të premten do të miratohet dhe buxheti i zgjedhjeve vendore të 8 majit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi paraditen e djeshme buxhetin prej 102.2 milionë lekësh, shumë kjo që kryesisht do të përdoret për pagat e punonjësve, si dhe për shpenzimet operative të këtij institucioni. Në ligjin për buxhetin e vitit 2011, nga detajimi i shpenzimeve korrente dhe atyre kapitale për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve bëhet me dije se shuma totale për 2011-ën është 102.2 milionë lekë, të cilat do të shpërndahen në: shpenzime për paga, shpenzime për sigurime, shpenzime operative, transferta korrente me jashtë, pagesa të tjera me ligj të veçantë, si dhe në investime, shuma e të cilave do të jetë 3 milionë lekë. Ndërsa të premten e ardhshme pritet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të miratojë dhe buxhetin për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme lokale, që do të zhvillohen më 8 maj.

Pagat

Në buxhetin e miratuar dje, krahasuar me buxhetin e rishikuar të vitit 2010, vihet re se kemi një rritje prej 2.2 milionë lekësh sa u përket pagave të punonjësve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Dhe kjo për shkak të përfshirjes në zërin e pagave të efektit të VKM-së Nr. 610, datë 8.07.2010 dhe VKM-së Nr. 621, datë 8.07.2010, ku me anë të të cilave është rritur niveli i pagave si për nëpunësit civilë, ashtu edhe për punonjësit me klasa. Gjithashtu kjo rritje e pagave vjen edhe për arsye të çeljes së fondit të pagave për anëtarët e KQZ-së, në përputhje me nenin 17, pika 1 të Kodit Zgjedhor, sipas të cilit “Paga dhe privilegjet e anëtarit të KQZ-së janë të njëjta me pagën dhe privilegjet e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë”. Në zërin “shpenzime për paga” përfshihen pagat e stafit politik, punonjësve me status të nëpunësit civil, punonjësve me klasa. Gjithashtu, fondi i pagave përfshin edhe pagesën e anëtarëve të KQZ-së, të cilëve iu ndërpre mandati për shkak të hyrjes në fuqi të Kodit të ri Zgjedhor.

Shpërndarja e buxhetit

Në buxheti e djeshëm, KQZ-ja bëri të ditur se shpenzimet për mallrat dhe shërbimet do të kenë një ulje të fondeve prej 3.66 milionë lekësh, krahasuar kjo me shumë e përdorur një vit më parë nga ky institucion. Në relacionin e KQZ-së drejtuar Drejtorisë së Financave, thuhet se është bërë dhe përcaktimi i numrit të automjeteve dhe të shoferëve që janë në dispozicion të këtij institucioni. Gjithashtu, detajimi i shpenzimeve operative, sipas KQZ-së, është bërë në përputhje me limitet e miratuara, realizimin e vitit 2010, si edhe në prioritetet që ka institucioni për vitin 2011. Ndër të tjera, pjesë e strukturës së shpenzimeve buxhetore për vitin 2011 do të jenë edhe detyrimet e pashlyera në fund të vitit 2010, si rezultat i rishikimit që iu bë buxhetit të vitit 2010 me Ligjin nr. 10310, datë 26.07.2010 “Për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2010”.

Investimet

Sa u përket investimeve që KQZ-ja do të bëjë këtë vit, ajo ka përcaktuar që “fondi i investimeve në shumën totale prej 3 milionë lekësh është menduar të përdoret për rikonstruksionin e rrjetit elektrik dhe atij kompjuterik të KQZ-së. Rrjeti kompjuterik i KQZ-së është ndërtuar në vitin 2003 dhe po paraqet probleme në funksionimin e tij. Për këtë arsye Drejtoria e Teknologjisë së Informacionit propozon që të bëhet një rikonstruksion i rrjetit kompjuterik”, thuhet në relacionin e KQZ-së drejtuar Drejtorisë së Financave të institucionit më të lartë zgjedhor në vend.

Buxheti i KQZ-së për 2011-n

Shuma totale e buxhetit 102,200,000 lekë

Shpenzime për paga 68.200.000 lekë

Shpenzime për sigurime 8.000.000 lekë

Shpenzime operative 19.680.000 lekë

Transferta korrente me jashtë 200.000 lekë

Pagesa të tjera me ligj të vecantë 3.120.000 lekë

Investime 3.000.000 lekë

Në zërin shpenzime operative përfshihen:

Shpenzime për materiale zyre dhe të përgjithshme

Shpenzime për shërbime

Shpenzime transporti

Shërbime për mirëmbajtje mjetesh transporti dhe të zakonshme

Shpenzime për udhëtim dhe dieta

Shpenzime të tjera operative

Shpenzime për kuota që rrjedhin nga detyrimet

Pagesa për individë (përcaktuar me ligj të veçantë)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›